Nga titulli i fundit kampion te Partizani, Milinkoviç ndjek “traditën” e krijuar nga paraardhësit
Partizani i ka ndryshuar disa herë trajnerët në harkun kohor të dy viteve. Që pasi të kuqtë fituan titullin e fundit kampion, disa ndryshime kanë pasur. Çfarë mund të vihet re janë paraqitjet pozitive në debutime, pasi Partizani ka pësuar ndryshime në stol. Mladen Milinkoviç e nisi me fitore, pikërisht përballë Vorës në javën e parë të kampionatit. Triumf me avantazh minimal, 1-0, që është vënë re edhe te debutuesit e tjerë. Vetëm Veselinoviç e niste rrugëtimin e tij me fitore të pastër. Milinkoviç ka ndjekur kështu “traditën” e krijuar nga paraardhësit e tij në dy vitet e fundit, që nga Zoran Zekiç te Skënder Gega.

RRUGËTIMET- Vetëm largimi i Zoran Zekiç nuk ishte plotësisht dëshirë e klubit. Trajneri kroat kërkonte të drejtonte Osijekun, që në anën tjetër paguante rreth 100 mijë euro për ta transferuar nga Partizani. Zekiç debutonte me barazim në Europë përballë Bate Borisov. Fakt është që prej largimit të tij dhe deri tani, të gjithë trajnerët e tjerë kanë fituar në debutimin e tyre te “demat”. Drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj, është ulur tre herë në stolin e të kuqve.
Megjithatë, në sezonin e kaluar sapo u largua Orges Shehi, ishte shprehur qartë që po e mbantë si rol provizorisht. Partizani e niste edicionin e kaluar në kampionat me humbje minimale përballë Vllaznisë. Në dy herët e tjera, Abilaliajt i ka buzëqeshur fitorja si debutues në stolin e Partizani. Fillimisht në derbin me Tiranën dhe këtë vit në Kupë duke eliminuar Laçin. Entuziazmi ishte i lartë edhe me Aleksandër Veselinoviç në stol. Jo vetëm që fitonte takimin e parë në krye të Partizanit, por si askush tjetër i përmendur më sipër, qëndronte 14 javë pa humbje.
Ishte Bylis që mposhti më pas Partizanin e Veselinoviç, i cili për ironi të fatit mungonte në stol. Para Milinkoviç, ishte Skënder Gega që merrte drejtimin e Partizanit. Një rikthim i trajnerit që fitonte titullin kampion në vitin 2019. Dhe gjithçka nisi mirë për Gegën, i cili fitoi minimalisht përballë Laçit në kampionat. Nëse trajnerët e tjerë, me përjashtim të Zekiç, nuk janë larguar me shije pozitive nga Partizani, mbetet për t’u parë si do shkojë për Milinkoviç. Fakt është që të kuqtë do të përforcohen sërish në merkato dhe tekniku i ri do të ketë më tepër zgjedhje.

PANORAMASPORT.AL













