Mbrojtësi i Vorës, Shehi: Futemi në ndeshje me mendjen për tre pikët! Dinamo gëzon respekt, është klub legjendar
Vora i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për takimin e derbit të tretë të saj në kryeqytet, ndaj Dinamos.
Sigurisht që në këtë derbi Bellaj ndjehet më komod sepse disa lojtarë të dëmtuar janë rikuperuar dhe Kevin Dalipi shleu dënimin me kartonat e verdha duke pastruar veten pas asaj ndeshje që nuk luajti në Elbasan.
Kështu në dispozicion të trajnerit Bellaj do të jetë edhe Ruzgis por edhe Dalipi, gjë që e bën shumë më të fortë në këtë përballje ndaj Dinamos. Lidhur me takimin e radhës futbollisti me mjaft përvojë që ka luajtur në të 7 takimet me minutazh të plotë nga 90 minuta për secilën ndeshje dhe i pazëvendësueshmi tek Vora, qendërmbrojtësi Dajan Shehi. Ai për “Panorama Sport” dha këtë intervistë para kësaj sfide.
Si është situata në klubin tuaj para kësaj përballje derbi?
Si çdo ndeshje tjetër, edhe këtë herë jemi përgatitur me seriozitet. E vetmja gjë që ka ndryshuar është fakti se kemi pasur pak kohë në dispozicion të kësaj përgatitjeje, krahasuar me një javë normale mes ndeshjeve, sidomos nga ndeshja me Elbasanin, kur kishim në dispozicion 10 ditë.
Çfarë pritet nga kjo ndeshje dhe cilat objektivat e Vorës në këtë takim?
Objektivi ynë madhor i këtij takimi mbetet fitorja dhe për këtë jemi të përgatitur për të hyrë me mendjen tek tre pikëshi. Natyrisht që fusha është me bar sintetik që mund të jetë dhe një disavantazh për ne. Por Vora është mësuar tashmë me disavantazhet, pasi kemi luajtur gjithmonë jashtë fushës sonë, me mungesa lojtarësh e në fund ja kemi dalë me sukses.
Cilat janë pikat më të rrezikshme tek Vora dhe si keni menduar ti eliminoni?
Vora edhe sezonin e kaluar ka zhvilluar një kampionat të mirë dhe e ka ruajtur vazhdimësinë si në staf, po ashtu edhe për një grup lojtarësh. Tashmë Vora ka ambiciet e veta të larta, për të qenë në 4-shen më të mirë, për tu paraqitur edhe në arenën europiane dhe mendoj se është një ekip solid. Për ne ekziston një moto: “nëse do të respektosh të tjerët, fillimisht respekto veten” dhe ne do ta nisim nga vetvetja dhe në fushë lufta përqendrohet vetëm tek fitorja, baza mbete një sulm agresiv dhe një mbrojtje solide.
Së fundmi një mesazh për tifozët e Vorës?
Ndeshja pavarësisht se nuk i ka përmasat e një derbi të madh mes klubeve legjendare, por kjo do të sjellë një numër të konsiderueshëm tifozësh, ku tifozët tanë do të jenë të padiskutueshëm. Dhe I ftoj të jenë sa më të shumtë sepse do kënaqen jo vetëm nga loja por edhe nga fitorja.
PANORAMASPORT.AL













