Kombëtaret i vijnë në ndihmë Partizanit, pas Teutës nuk do të ketë ndeshje zyrtare për dy javë
Partizani do të luajë më 30 gusht ndeshjen e radhës në Superiores. “Demat” do të masin forcat me Teutën në javën e dytë. Ndeshja do të luhet në “Arena e Demave”, prej orës 20:00.
Më pas do të jenë dy javë pushime, për shkak të angazhimeve që kanë ekipet kombëtare. Një asist mjaft i mirë për Mladen Milinkoviç, që është përballur me shqetësime jo të pakta në fillimin e rrugëtimit të tij.
MILINKOVIÇ Trajneri që ka më pak kohë me ekipin e tij nga klubet e Superiores është Mladen Milinkoviç. Ky i fundit u prezantua në fillimin e këtij muaji si zëvendësues i Skënder Gegës. Me pushimin prej kombëtareve do të ketë më tepër mundësi për të implementuar idetë e tij në skuadër, si dhe ekipi do të shfaqet më i gatshëm fizikisht.
PROBLEMET Disa lojtarë ndodheshin në tribunë ndaj Vorës. Partizani njoftoi të martën, me rikthimin e ekipit në stërvitje, se grupi është i plotë. Kështu Tedi Malaj, Elson Himallari, Dion Vata, Gjergji Kote, Arshonzh Bintsuka dhe Skandër Tahri janë bashkuar me pjesën tjetër. Diego Kontreras është një nga elementet e ekipit B, që në të njëjtën kohë është vendosur nën urdhrat e Milinkoviç gjatë muajit gusht.
SKUKA DHE DA SILVA Në pjesën e dytë ndaj Vorës, për Partizanin u aktivizuan dy futbollistë për sulmin, Skuka dhe Da Silva. Impakti që pritej prej tyre nuk erdhi. “Na mungojnë disa lojtarë, Skuka e Da Silva nuk janë gati për nga fillimi. Cilësi ka, por cilësia pa vrap është e pamundur të shfaqet”, u shpreh Milinkoviç në konferencë për shtyp. Një sinjal i qartë që kushdo duhet të djersijë për të fituar fanellën e titullarit. Mund të shikohet si kohë e mjaftueshme, ajo që Skuka dhe Da Silva do të kenë në vazhdim për të punuar. Skuka është një element i rëndësishëm drejt arritjes së objektivave. I graduar kapiten menjëherë pas rikthimit duhet të jetë ai shembulli për pjesën tjetër të skuadrës.
MALAJ, KOTE DHE BINTSUKA Partizani nuk kishte të gatshëm tre lojtarë ndaj Vorës, që mund të bënin mjaft mirë edhe si titullarë. Milinkoviç duhet t’i bënte llogaritë pa Malajn, Koten dhe Bintsukën. Malaj dhe Kote që mund të kontribuojnë në mesfushë kanë vuajtur shqetësimet fizike, ndërsa Bintsuka duhet të punojë për të gjetur formën e duhur. Sulmuesi nga Kongo është afrimi i fundit në grupin aktual të Partizanit. Bashkë me tre lojtarët në fjalë, në tribunë ndodheshin edhe Himallari me Vatën. Dy talente nga akademia, që kanë një rrugë të gjatë përpara.
ROUEN HJUMEN Partizani afroi një mesfushor nga Afrika e Jugut, që tashmë është lojtari më i vlerësuar në tregun(“transfermarkt”) e Superiores. Vlera e tij është plot 850 mijë euro, ndërsa asnjëherë më parë nuk është afruar një futbollist me vlerësim të tillë në Shqipëri. Besimi është i madh, për Hjumen që duhet të jetë numri 10 i skuadrës. Fillimisht duhet punuar me kujdes, që të jetë plotësisht i gatshëm për trajnerin Milinkoviç. Fillimi i shtatorit do të jetë asist edhe për të.
VLLAZNIA Pas ndeshjes me Vorën dhe atë që po vjen me Teutën, Partizani do të udhëtojë në transfertë. Më 13 shtator është programuar takimi me Vllazninë në stadiumin “Loro Boriçi”. Një sfidë e vërtetë kjo, për të parë se ku ndodhet secila skuadër që objektivat i ka madhorë. Lëvizjet kanë qenë të shumta në këtë merkato për të dyja skuadrat. Dhe tashmë është koha që të testohen. Fillimisht këtë javë Partizani do të përballet me Vorën, ndërsa Vllaznia me Dinamon. Nga sfidat e javës së parë, bashkë kanë dalë triumfues.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













