Kapiteni Dita “fik” Dajën edhe në Tiranë, Dinamo nuk do të jetë e plotë as në ndeshjen e kthimit kundër Jagiellonias
Dinamo-Jagiellonia është ndeshja e kthimit e raundit “play off” të Ligës së Konferencës, takim i cili do të luhet të enjten, ora 20:45 në stadiumin “Air Albania”. Blutë vijnë në këtë sfidë pas humbjes 3-0 në ndeshjen e parë të luajtur në Poloni, ku padyshim ndikim patën edhe mungesat.
Trajneri Ilir Daja arriti që një ditë para transfertës polake të riaftësonte mbrojtësin Lorran, por njëkohësisht humbi kapitenin Bruno Dita. Gjithashtu i pamundur në këtë sfidë ishte edhe Klevi Qefalija, duke e detyruar trajnerin Daja që të eksperimentojë në formacion. Problemet mbarten edhe për sfidën e kthimit, ku dinamovitët nuk i kanë humbur shpresat, edhe pse janë mundur 3- 0 në Poloni. Bruno Dita nuk pritet të jetë i gatshëm as për nesër, kështu që në qendër të mbrojtjes, përkrah Alijit, pritet që të luajë një mes Meksit dhe Nezirit.
Qefalija ka shanse të rikthehet në këtë sfidë, por sot pritet që të vendoset nëse trajneri Daja do ta aktivizojë ndaj Jagiellonias. Por, nëse pritet rikthimi i Qefalijas, në dyshim duket Ledio Beqja, i cili së fundmi ka shfaqur disa shqetësime muskulore. Gjendja e mesfushorit po monitorohet nga stafi dinamovit dhe sot do të krijohet një ide më e qartë nëse ka vend për Beqjan ndaj polakëve. Pra, situata nuk është aspak favore për trajnerin Ilir Daja, as në prag të ndeshjes së kthimit me Jagiellonian.
Trajneri Daja pohoi para ndeshjes së parë në Poloni se Dinamo duhet të mësohet të luajë edhe pa dyshen sulmuese, Itodo Mandela-Baton Zabërgja, që u shitën në Ukrainë te Metalist 1925. Por, u mbetet lojtarëve që i kanë zëvendësuar të bëjnë të njëjtën gjë si Mandela dhe Zabërgja, duke shënuar gola. Trajneri Daja nuk pritet të rrezikojë ndaj polakëve, duke ditur se të dielën luajnë ndeshjen e parë në kampionat ndaj Vllaznisë.
PANORAMASPORT.AL













