Kampionati U-19: Teuta, kampione pas 10 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2012 | 10:07

Kampionati U-19: Teuta, kampione pas 10 vitesh

TEUTA – TIRANA 4-2
GOLAT: Petro 4′, 6′, Sina 33′, Çyrbja 40’/ Gjasula 15′, Gjeçi 22′
TEUTA: E.Kastrati, R.Kastrati, Rigo, Emini, Marku, Troplini, Çyrbja, Tepshi, Ramidhi, Petro, Sina. (U aktivizua: Beqja). Trajner: G.Begeja
TIRANA: Çali, Njebza, Sallaku, Habibi, Gjasula, Grabova, Hoxha, Saliaj, Gjeçi, Levendi, Ibrahimi. Trajner: A.Kola
GJYQTARË: E.Zhuli, E.Potomi, A.Shkreta (Tiranë)

Teuta është shpallur dje zyrtarisht kampione e Shqipërisë. Durrsakët kanë lënë gjithçka për javën e fundit. Ndeshja përmbyllëse ndaj Tiranës nuk ishte e zakonshme për Teutën. E ndodhur vetëm 2 pikë larg rivales së saj më të afërt Vllaznisë, durrsakët ishin të dënuar të fitonin për të siguruar titullin. Pjesa e parë qe më e bukur dhe përcaktuese. Të dy ekipet i shkarkuan bateritë e tyre në 45 minutat e para, ku u shënuan edhe 6 golat. Në 6 minutat e para të takimit, shënuesi më i mirë i Teutës, Enio Petro, realizoi 2 gola. Por tifozëria vendëse, e cila ishte në një numër rekord, u drithërua kur djemtë e Agustin Kolës barazuan shifrat në 2-2 me anë të Gjasulës dhe Gjeçit. Trajneri Begeja u dha porosi lojtarëve të tij të ushtronin presing, për të kapur medoemos rezultatin e shumëpritur. Dhe shprehje e lojës sulmuese të Teutës, ishin edhe dy golat e tjerë shënuar nga Sina dhe Çyrbja. Në pjesën e dytë Teuta u kujdes për të ruajtur fitoren, e cila sigurisht vlente sa një kampionat i tërë. Durrsakët arritën ta mbanin të paprekur portën e tyre. Me fitoren 4-2 futbollistët dhe stafi teknik kaloi në delir.
Ceremonia Të parët që uruan kampionët e rinj të Teutës ishin futbollistët e Tiranës. Tifozëria durrsake u bashkua njësh me futbollistët, duke shprehur entuziazmin dhe kënaqësinë për këtë sukses të ndjeshëm të futbollit durrsak. Përfaqësuesi i FSHFsë, Ilir Shulku, i dorëzoi ekipit fitues trofeun e titullit kampion për sezonin 2011-2012 dhe medaljet e rastit. Në 30 ndeshje, Teuta grumbulloi 64 pikë, me 20 fitore, 4 barazime dhe 6 humbje. Golavarazhi i saj mbeti pozitiv: 75-35. Ndërkohë, sulmuesi Enio Petro është ndër golashënuesit më të mirë të kampionatit, me 32 gola.
Lojtarët Kampionët e rinj të Shqipërisë janë: Elham Kastrati, Murat Rexhepaj, Resul Kastrati, Maksi Rigo, Rexhep Meminaj, Kristi Marku, Reilando Troplini, Arbër Çyrbja, Adriano Balani, Elion Tepshi, Ahmedin Murati, Myslim Rramidhi, Adriano Peqini, Alfred Deliallisi, Enio Petro, Leotrim Pajaziti, Dario Sina dhe Fabio Beqja. Ata u drejtuan me shumë sukses nga trajnerët: Gentjan Begeja dhe Markelian Xhai. Ndër takimet më mbresëlënëse të Teutës në fushën e saj mbeten ato me Vllazninë në Durrës 5-3, me Skënderbeun 5- 1 dhe me Elbasanin 2-1. Ndërsa në transfertë takimet e luajtura me Vllazninë 0-0, me Skënderbeun 3-1 dhe me Dinamon 2-0. Në historinë e saj, kjo është hera e tretë që Teuta kurorëzohet kampione e vendit për të rinjtë. Titulli i parë është marrë në vitin 1956, kur ekipi drejtohej nga Faik Dervishi. Pas 44 vitesh ky sukses do të përsëritej nga trajneri Edmond Zalla. Ishte sezoni 2002-2003. Suksesi i tretë fiksohet më 20 maj 2012. Titulli kampion është shprehje e punës së jashtëzakonshme që kryhet me futbollistët e moshave nga akademia e futbollit të KF Teuta, që drejtohet nga Haxhi Ballgjini. Një meritë të veçantë ka puna e palodhur e trajnerëve Gentjan Begeja dhe Markelian Xhai. E gjitha kjo falë edhe e kujdesit të vazhdueshëm që tregohet nga presidenti Edmond Hasanbelliu dhe sekretari Eduart Salillari.
BUJAR QESJA

Vllaznia, probleme dhe… poker
VLLAZNIA – KAMZA 4-1
GOLAT: Markolaj 26′, Kruja 52′, Idrizi 66′, Pelingu 68’/ Mehmeti 18′
VLLAZNIA: Sukaj, Lekaj, Bashi, Nikshiqi, Ujkaj, Tafa (Hebaj 46′), Çekaj (Vecaj 62′), Markolaj, Hasa (Pelingu 65′), Kruja, Idrizi. Trajner: I.Dibra
KAMZA: Pasha, Leka, Klosi, Lika, Osmani, Koldashi (Zela 61′), Koleci, Lame, Ferati (Gjokmeli 85′), Mehmeti, Karrosi (Doda 74′). Trajner: F.Tarja
GJYQTARË: E.Hamiti, E.Gjoka, R.Alushi (Lezhë)
KARTON I KUQ: Mehmeti 35′

Vllaznia fitoi 4-1 në ndeshjen e fundit ndaj Kamzës. Ndonëse miqtë kanë shënuar të parët me Mehmetin, kuqeblutë kanë përmbysur gjithçka. Kamza ka luajtur me 10 lojtarë pas minutës së 35-të, për shkak të dëbimit për fyerje ndaj arbitrit të autorit të golit të vetëm të kamzalinjve, Xhuljo Mehmeti. Pas kësaj minute çdo gjë ka folur për shkodranët, të cilët kanë shënuar 4 gola, 3 prej të cilëve në pjesën e dytë. Ndërkohë, nga ana e klubit të Vllaznisë nuk ishte marrë asnjë masë për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje të rëndësishme për ekipin e tyre. Kjo detyroi gjyqtarët ta nisnin me 25 minuta vonesë këtë sfidë të fundit për kampionatin e të rinjve. Golat për shkodranët u shënuan nga Markolaj, Kruja, Idrizi dhe në fund vulosi fitoren Pelingu.
Abdulla Dushku

Partizani feston titullin
PARTIZANI – BUTRINTI 4-0
GOLAT: Limani 60′, Muça 65′, Marku 69′, Tabaku 77′
PARTIZANI: Dibra, Muça, Lika, Xhaçi, Hasani, Demiri, Sina, Bliu, Koçiaj, Brahimaj, Zyba. (U aktivizuan: Limani, Tabaku, Marku). Trajner: G.Tomori
BUTRINTI: Doleqi, Koshi, Konomi, Baze, Kërma, Basha, Bello, Duka, Pashaj, Barka, Qoku. (U aktivizuan: Mane, Ccukari, Gjinika). Trajner: F.Shehu
GJYQTARË: K.Lapa, A.Bame, D.Vrapi (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Bliu / Qoku

Takimi i fundit i Partizanit kampion të Kategorisë së Parë për të rinj u mbyll në mënyrën më të mirë, me të kuqtë që fituan 4-0 ndaj sarandjotëve. Në pjesën e parë loja pati ekuilibër, teksa mungoi goli. Miqtë u paraqitën mirë, por rendimenti i tyre ra në pjesën e dytë. Kryeqytetasit e deshën fitoren më shumë për të festuar, dhe kështu bënë. Shënoi i pari Limani, i cili erdh nga stoli, por brenda 9 minutave u realizuan edhe dy gola të tjerë. Në fund Tabaku realizoi golin e katërt, ndërsa futbollistët e Butrintit shpërfytyrohen, aq sa edhe portieri zëvendësohet. Në fund përfaqësuesit e FSHF-së u dhanë Kupën e Kategorisë së Parë lojtarëve të Partizanit. Sezonin e ardhshëm të kuqtë e drejtuar nga Genc Tomorri do të militojnë në Kategorinë Superiore U-19.
Erjon Hamitaj

Vlonjatët zhgënjejnë në fund
FLAMURTARI – SHKËNDIJA T. 0-1
GOLAT: Picaku 80′
FLAMURTARI: Dërgjini, Hametaj, Hyso, Kuçi, Nelaj, Hitaj, Stara, Qejvani, Azizaj, Nelaj, Shehu. (U aktivizuan: Fegaj, Nurçe, Hysa). Trajner: A.Behari
SHKËNDIJA T.: Biduli, Xhakollari, Liçaj, Bertini, Pere, Hyseni, Lala, Gjonaj, Hoxha, Picaku, Marku. (U aktivizuan: Lilaj, Gjoni, Ibraj). Trajner: K.Sterjo
GJYQTARË: O.Grabova, A.Halili, A.Paço (Patos)

Flamurtari i ka bërë një mbyllje me humbje kampionatit. Vlonjatët janë mposhtur në shtëpi nga Shkëndija e Tiranës me rezultatin minimal 0-1. Një gol i Picakut në minutën e 80-të u ka dhënë tri pikë të arta miqve. Kjo sfidë është zhvilluar në kompleksin sportiv të Pyllit të Sodës. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërkohë që në fraksionin e dytë skuadrat ishin më kërkuese. Dhjetë minuta nga fundi Picaku do të realizonte golin e fitores për kryeqytetasit, duke i lënë pak mundësi Flamurtarit për të reaguar. Gjithsesi, skuadra e drejtuar nga Ardi Behari, duhet thënë se e ka realizuar misionin e saj, pasi disa prej lojtarëve të rinj janë evidentuar dhe afruar së fundmi në ekipin e parë. Kuqezinjtë e rinj e mbyllën kampionatin në vendin e pestë.
Altin Pavllo

Besa, një pikë mbijetese
ELBASANI – BESA 2-2
GOLAT: Bezhani 20′, Xhardja 35’/ Zenaj 70′ Fejzullahu 80′
ELBASANI: Gurra, Gjorga, Fero, Ozuni, Broshka, Lleshi, Zogu, Xhardja, Bezhani, Dalipi, Lamçja. (U aktivizuan: Gjeli, Matraku, Bajrami). Trajner: A.Kila
BESA: Sula, Duro, Kullolli, Tahiri, Kapedani, Balliu, F.Hasa, Nasufi, Zenaj, Fejzullahu, M.Hasa. (U aktivizuan: Çelhaga, Leka, Boriçi). Trajner: B. Sinella
GJYQTARË: A.Paço, D.Vogli, H.Troga (Fier)

Nuk ka fitues në ndeshjen ndërmjet 19-vjeçarëve elbasanas dhe bashkëmoshatarëve të tyre nga Kavaja. Verdheblutë realizuan dy herë në pjesën e parë, me anë të Bezhanit në minutën e 20-të dhe Xhardjan në të 35-tën, por nuk e ruajtën dot këtë rezultat. Në pjesën e dytë, pikërisht në njëzet minutat e fundit, u takoi miqve të barazonin shifrat. Në të 70- tën ishte Zenaj që ngushtoi diferencat, ndërsa Fejzullahu barazoi dhjetë minuta më pas. Verdheblutë luajtën më mirë, por ndoshta vetëkënaqësia bëri që ata të mos e fitonin këtë ndeshje. Më të interesuar për rezultatin në këtë takim ishin kavajasit, të cilëve u duhej patjetër një pikë për të shpëtuar nga rënia. Kësisoj ata ia arritën, duke mbijetuar në Kategorinë Superiore pas një kampionati të vështirë.
Vladimir Mema