Intensitet e luftë nga Partizani, si Milinkoviç eksperimentoi dhe pati sukses ndaj Vorës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2025 | 23:04

Intensitet e luftë nga Partizani, si Milinkoviç eksperimentoi dhe pati sukses ndaj Vorës

Mladen Milinkoviç debutoi me fitore te Partizani. Mjaftoi një autogol në minutën e 9- të nga Vora, që 3 pikët t’i buzëqeshnin të kuqve në stadiumin “Arena e Demave”.milinkovicEkipi u tregua mjaft luftarak, por edhe i kujdesshëm. Goli në fillimin e takimit i dha mundësinë, që të mos kishte presion. Vora që e kishte ndeshje debutuese bëri maksimumin ndërkohë, por pa rezultat. Puna në grup te Partizani ishte garanci dhe pse Vora nuk do të merrte asgjë pa meritë, nëse përballja do të mbyllej me barazim.

DEKLARATA- “Panorama Sport”, bazuar në situatën e Partizanit, kishte publikuar një formacion të mundshëm para ndeshjes. Dhe Milinkoviç deklaroi në konferencë për shtyp: “Kam parë dy ditë më parë formacionin te ‘Panorama’. Gjithmonë mund të presësh surpriza, nganjëherë surprizoj edhe vetë lojtarët. Për mua më e rëndësishme është stërvitja. Dhe shikoj sa shumë japin në stërvitje, sa mund të ndihmojnë skuadrën dhe kjo është mënyra si do zgjedhim kush do vazhdojë. Nuk është që vetëm 11 lojtarë janë të rëndësishëm, ka ndeshje që lojtarë që futen bëjnë ndryshime gjatë ndeshjes”. Pikërisht kjo ishte çfarë trajneri i “demave” bëri: Eksperimentoi.

SKEMA- Partizani e nisi me skemën 4-2-3-1. Milinkoviç i qëndroi kështu besnik ideve të tij, ndërsa duhet të eksperimentonte në fushë. Kjo për shkak edhe të problemeve fizike, që disa lojtarë kanë pasur gjatë përgatitjeve. Nëse mbrojtja dhe dyshja Ismaili-Mehmeti në mesfushë ishin në rolet e tyre, në repartin ofensiv pati lëvizje.hjghjREPARTI OFENSIV- Gudjufi e nisi i vetëm në majën e sulmit. Në stol qëndronte Skuka, që nuk ishte i gatshëm për ta përballuar ndeshjen nga fillimi. Kontreras i ekipit B mungonte për shkak të një shqetësimi fizik. Gudjufi bëri mirë ndërsa pas tij qëndronin Isgandarli, Garsia dhe Qokthi. Vetëm Isgandarli luajti në pozicionin e tij, krahun e majtë ku dhe jemi mësuar ta shohim.

QOKTHI- Nuk ishte debutim vetëm për Milinkoviç. Ditë speciale edhe për Nebi Qokthin, që për herë të parë u llogarit në një ndeshje të Superiores. Dhe Milinkoviç i dha statusin e titullarit. Qokthi luajti në sulm ku edhe njihet për kontributin e tij më të madh te moshat. Në krahun e djathtë bëri mjaft mirë. Tashmë me siguri që do të fitojë minuta edhe në të ardhmen.

GUDJUFI DHE GARSIA– Për herë të parë te Partizani, Gudjufi luajti në qendër të sulmit. Megjithatë, kjo nuk ishte risi për të. Gudjufi luante në majën e sulmit te Beshiktash U-19 dhe pse nuk ia dilte të shënonte gol. Te Partizani pati një paraqitje mjaft pozitive, ndërsa u zëvendësua nga Da Silva në minutën e 77-të. Pasi doli nga fusha, Gudjufi mori duartrokitjet e tifozerisë vendëse. Garsia, i transferuar këtë verë te Partizani duhet të luante si numër 10. Kështu mund t’i bënte vend Qokthit në formacion. Në pjesën e dytë i la vendin Skukës, që zhvendosej në majën e sulmit.

REZULTATI- Milinkoviç ishte treguar i qartë para sfidës me Vorën: Rëndësi ka rezultati. Eksperimenti i tij funksionoi, pasi objektivi për të grumbulluar 3 pikë u arrit. “Jam munduar të transmetoj te lojtarët që në ndeshjen e parë është më i rëndësishëm rezultati. Shpresoj se e kanë kuptuar mesazhin, besoj do kemi ndeshje të mirë nesër dhe ta fillojmë me këmbën e mbarë”, u shpreh trajneri i Partizanit para ndeshjes. Dhe pse pa shkëlqyer, fitorja e parë u korr që në debutim.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL