Formacioni i mundshëm/ Bylisi është i fortë me më të fortët, ja plani i Josës
Bylisi ka përfunduar seancën e djeshme dhe direkt është grumbulluar për sfidën me Elbasanin, të cilën do e luajë sot në orën 17:00, në “Elbasan Arena”.
Mallakastriotët do të synojnë një rezultat pozitiv dhe për këtë kanë punuar gjatë gjithë javës, duke përgatitur këtë duel interesant dhe delikat, aq më tepër që të besuarit e Josës vijnë pas një disfate të humbur, por me pengje me Vllzninë, në fundjavën e shkuar. Presidenca i ka qëndruar në kokë skuadrës në seancat e fundit, ndërsa stafi dhe lojtarët kanë pasur angazhim maksimal.
FORMACIONI – Bylisi luan një duel mjaft të fortë në “Elbasan Arena”, sot pasdite, pasi do të ndeshet me një nga ekipet më të forta siç është Elbasani. Mallakastriotët kërkojnë pikë, edhe pse në transfertë të fortë në dukje, por jo e pamundur. Për më tepër që skuadra e Mirel Josës ka treguar se di të jetë edhe më e fortë me më të fortët.
Ndaj edhe në fushë sot, trajneri kryeqytetas i ballshiotëve pritet që të përzgjedhë më të mirët dhe lojtarët më në formë, aq më tepër që ka edhe disa rikthime nga pezullimet dhe sidomos dëmtimet dhe lëndimet që kanë pasur në javët e fundit. Josa dhe stafi i tij e kanë një ide për lojtarët me të cilët Bylisi mund të zbresë sot në fushën e blertë, në orën 17:00, në “Elbasan Arena”. Me shumë gjasa kjo pritet që të jetë 11-shja e Bylisit ndaj verdhebluve, në shtëpinë e këtyre të fundit…
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













