Flamurtari dridhet, Idrizi dhe Pollozhani marrin “frenat”. Drejtuesit, samit me shqiptarët para Dinamos
Flamurtari “zien”, drejtuesit të mërzitu ar nga starti i ekipit. Artim Pollozhani qëndroi dy orë në zyrë me Sinan Idrizin. Humbja ndaj Egnatias ka “djegur” shumë në Vlorë, ndërsa drejtuesit e klubit kanë nisur lëvizjet me qëllim që situata të mos rëndohet edhe më shumë dhe skuadra të mos pësojë një humbje tjetër këtë javë ndaj Dinamos.
“Panorama Sport” zbulon se orët e fundit kreu i klubit ka thirrur urgjentisht drejtorin e klubit, Artim Pollozhani. Ishte një telefonatë e papritur gjatë paradites, nga e cila Pollozhani është shfaqur i nxituar duke hyrë në ambientet e stadiumit. Takimi mes Idrizit dhe Pollozhanit u zhvillua në katin e dytë të klubit, në zyrën e presidentit. Mësohet se nuk ka pasur të tjerë veç dy drejtuesve, të cilët diskutuan dhe analizuan gjatë situatën e krijuar. Idrizi ka kërkuar nga Pollozhani që të mbajë përgjegjësi për rezultatet negative të skuadrës. Të gjithë në Vlorë e dinë se presidenti Idrizi zakonisht nuk ndërhyn në punët e merkatos, por edhe këtë herë ia besoi menaxhimin Pollozhanit dhe trajnerit Karlos Garsia.
“Ju kam vendosur në dispozicion një buxhet që nuk e ka asnjë klub tjetër i Superiores. Çfarë nuk shkon? Pse këto rezultate? Pritshmëritë kanë qenë të larta dhe me të drejtë. Pse kjo situatë? Duhet ndryshim urgjent, duke nisur nga ndeshja e radhës,” mësohet se i ka thënë Idrizi, Pollozhanit.
Mësohet gjithashtu se presidenti ka pasur rezerva për disa zgjedhje të trajnerit, si mosaktivizimi i disa lojtarëve dhe ndryshimet në formacion gjatë pesë ndeshjeve të fundit. Nga ana tjetër, Pollozhani ka premtuar ndryshime nga ndeshja e radhës dhe ka dhënë të drejtë Idrizit. Ky i fundit i ka bërë të qartë se pas sfidës me Dinamon, nëse nuk do të ketë reagim nga skuadra, ndryshimet do të jenë të pashmangshme.
TAKIM EDHE ME FUTBOLLISTËT SHQIPTARË Takimi nuk ka qenë vetëm me Pollozhanin. Administratori Sinan Idrizi ka zhvilluar së fundi një mbledhje veçanërisht me futbollistët shqiptarë të Flamurtarit. Gazeta mëson se Idrizi ka bërë bashkë kapitenin Lorenc Trashi, vlonjatin Bruno Telushi dhe Valentino Muratajn. Takimi ka shërbyer për të diskutuar mbi ecurinë jo pozitive të skuadrës. Idrizi i ka pyetur lojtarët për mendimin e tyre mbi situatën, ndërsa gjatë diskutimeve është trajtuar edhe çështja e futbollistëve shqiptarë, të cilët megjithëse në formë të mirë nuk janë aktivizuar nga trajneri Karlos Garsia, përveç në ndeshjen me Egnatian, ku u aktivizua Telushi, i cili mungoi në katër sfidat e tjera. Dukshëm, futbollistët shqiptarë i kanë shprehur kreut të klubit pakënaqësitë e tyre për përzgjedhjet selektive të trajnerit spanjoll.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













