“Elbasani gati t’i japë goditjen Dinamos”, Kuçi: Objektivi “Final 4”, titulli “qershia mbi tortë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2026 | 23:05

“Elbasani gati t’i japë goditjen Dinamos”, Kuçi: Objektivi “Final 4”, titulli “qershia mbi tortë”

Elbasani luan këtë të shtunë në transfertë ndaj Dinamos, në një duel direkt ku do të kërkohet patjetër marrja e tri pikëve për të ruajtur kreun. Situata në kampin verdheblu është optimiste, për vetë faktin se vijnë pas një ecurie pozitive në javët e fundit. ”Panorama Sport” mori opinionin e ishfutbollistit të Elbasanit, Egert Kuçi, rreth këtij dueli. Ai e vlerëson Dinamon si një rival të denjë, por ka besim se elbasanasit do të dinë të dalin me tri pikë. ”

egert kuci

Kuptohet që do të jetë një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë, sepse është një rival për katërshen. Megjithatë, Elbasani në çdo ndeshje hyn në fushë për të marrë fitoren, pavarësisht kundërshtarit apo fushës në të cilën luajnë. E di që stafi e ka vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje dhe kam besim se do t’ia dalin të kthehen me tri pikë në Elbasan. Ekipi ka treguar një qëndrueshmëri përgjatë gjithë sezonit dhe për asnjë moment nuk ka qenë poshtë katërshes, çka tregon punën që është bërë”, u shpreh fillimisht ish-mesfushori elbasanas.

DËMTIMET – Verdheblutë kanë qenë të privuar nga shumë dëmtime dhe mungesa gjatë kësaj periudhe, por për Kuçin, forca e ekipit të Ivan Gvozdenoviç është grupi dhe jo individi. Ai nxjerr në pah edhe punën e teknikut serb: ”Është e vërtetë që ka pasur vazhdimisht mungesa, por kam vënë re se ato nuk kanë ndikuar shumë. Për mua, Elbasani ka arritur në një pikë që nuk varet nga individi, por është grupi ai që po i mundëson skuadrës të ecë përpara. Është puna e mirë e trajnerit së bashku me stafin që kanë krijuar një harmoni në skuadër dhe kanë bërë që të gjithë lojtarët të ndihen të rëndësishëm dhe të japin maksimumin”, theksoi më tej Kuçi.

TITULLI – Në Elbasan tashmë të gjithë ëndërrojnë edhe titullin kampion dhe Kuçi, si një ish-futbollist i ekipit që u shpall fitues në sezonin 2005-2006, e di rëndësinë e një arritjeje të tillë. Ai qëndron me këmbë në tokë, duke theksuar se objektivi fillestar është “Final 4”, ndërsa titulli do të ishte “qershia mbi tortë”. ”Deri më tani, Elbasani e ka treguar veten se ka potencial për të pretenduar gjithçka. Më ka pëlqyer fakti që drejtuesit kanë ditur të mos jenë euforikë dhe ta mbajnë skuadrën në tonus, sepse dihet që në situata të tilla, euforia është armiku më i keq.

Ende objektivi është ‘Final 4’, sepse me formulën që ka kampionati, objektivat shihen hap pas hapi. Nëse në fund të kampionatit diferencat me rivalët mbeten këto që janë aktualisht, normalisht titulli kthehet në objektiv. Elbasani nuk ka asgjë më pak se të tjerët, ndaj duhet ta tentojë deri në fund. Një qytet i tërë e pret një titull në Elbasan”, përfundoi Kuçi. Elbasani ndodhet në krye të renditjes me pikë të barabarta me Vllazninë dhe, shtatë javë nga fundi, synon të paktën të ruajë këtë pozicion në fazën e rregullt të kampionatit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL