EKSKLUZIVE/ Mehmeti motivon ish-skuadrën e tij: Partizani të mos dorëzohet për titullin, ekipet e kreut nuk kanë diferenca (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2026 | 22:08

EKSKLUZIVE/ Mehmeti motivon ish-skuadrën e tij: Partizani të mos dorëzohet për titullin, ekipet e kreut nuk kanë diferenca (E PLOTË)

Partizani nuk po kalon momentin më të mirë të mundshme në këtë fazë vendimtare të kamppionatit duke qenë se ekipi i drejtuar nga trajneri Oltijon Kërnaja ka koleksionuar vetëm dy pikë në tre ndeshjet e para të fazës së katërt.

mehmeti

Megjithatë, ish-trajneri i të kuqve, Dritan Mehmeti shpreh besimin se ekipi kryeqytetas e ka forcën dhe kualitetin për t’u rikthyer te rezultatet pozitive, madje jo vetëm për të ruajtur vendin e katërt, por edhe për të tentuar titullin kampion.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Mehmeti shprehet se diferencat mes pesë skuadrave të para të klasifikimit nuk janë të mëdha, e në këtë formë edhe Partizani mund të bëjë surprizën në fundin e sezonit. Ndër të tjera, Mehmeti komentoi edhe garën e mbijetesës duke theksuar se Flamurtari ka një ndeshje finale këtë fundjave ndaj Vorës me vlonjatët që ndoshta luajnë shansin e fundit për të qëndruar në Superiore, ndërsa shtoi se Tirana ka ndryshuar pas emërimit të trajnerit Orges Shehi.

Si e gjykoni disfatën e fundit të Partizanit ndaj Vllaznisë, cilat ishin faktorët që ndikuan? A e meritoi Partizani humbjen për atë që shfaqi në fushë?

Mendoj se tek humbja me Vllaznisë ndikuan episodet, sidomos kur Partizanit nuk i munguan situatat dhe rastet para portës kundërshtare. Pastaj ishin edhe problemet që kanë shfaqur në këto tre javë të fundit sa i përket goditjeve standarte dhe këto janë episode që ndikojnë më pas në rezultatin e ndeshjes. Besoj se nuk e meritonte që të humbte për atë që prodhoi dhe mënyrën si e interpretoi lojën, ishte skuadra që kërkoi shumë më tepër, edhe nëpërmjet tranzicioneve pozitive. Ju dhanë shumë situata që mund t’i kishte kthyer në favorin e tij, por futbolli është i paparishikueshëm dhe duhet të jesh i kujdesshëm gjatë gjithë minutave të lojës sepse mënyra si u pësua goli i pari ishte mëse i evitueshëm. Por, e rikthesoj se në rast se ekipi do të ishte treguar i qetë para porte në dy-tre situata, ndeshja mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë.

A solli kjo disfatë me Vllazninë edhe fundin e shpresave të Partizanit për t’u shpallur kampion?

Them se Partizani nuk i ka humbur akoma shpresat për të fituar titullin kampion sepse vetë formula e ndihmon dhe sidomos mënyra se si i ka interpretuar përballjet me rivalët direkt, mendoj se ka shpresa dhe nëse do të jenë në të gjitha faktorët në ekuilibër e sidomos sa i takon përgatitjes së ndeshjeve jo vetëm në planin tekniko-taktik por edhe psikologjik, mendoj se i ka shanset për të fituar titullin sepse edhe organika është e plotësuar dhe shumë pak diferenca kanë skuadrat e renditura në pesë vendet e para.

Detajet dhe mënyra se si do të menaxhohen ndeshjet në vazhdim do të jenë vendimtare. Ky kampionat ka treguar se asnjë prej këtyre skuadrave nuk ka bërë diferencën dhe të krijojë atë avantazhin e pikëve. Por, jo vetëm sa i takon pikëve, por asnjëra prej skuadrave nuk është se ka bërë diferencën edhe sa i takon interpretimit të lojës, shumë pak ekipe kanë bërë diferencë dhe të gjitha kanë oshilacionet e veta dhe në këtë pikë të kampionatit skuadra që do të menaxhojë të gjithë faktorët e komponentët e futbollit, siç janë ato fizikë, tekniko-taktik dhe psikologjik, do të jetë edhe skuadra që do t’i shkojë më afër titullit. Por, Partizani ka shanset e barabarta me të gjithë skuadrat e tjera.

Gjashtë gola të pësuar në tre ndeshjet e fundit, mbrojtja duket se po “çalon” sërish te Partizani…

Po t’i referohemi gjashtë golave të fundit të pësuar, pesë prej tyre janë pësuar në goditje standarte dhe theksojmë se Partizani në këtë pikë, ka qenë një nga skuadrat më të forta në goditjet standarte. Por, tani ka çeduar në këtë aspekt dhe janë shumë që të pësosh kaq gola në tre ndeshje radhazi, sidomos në goditje standarte. Por, normalisht skuadra në fazën difensiv dhe në mbrojtje ka hasur probleme në lojën dinamike, por duke iu referuar edhe këtyre tre ndeshjeve të fundit, kam besim se stafi bashkë me skuadrën do të reflektojnë dhe do të riparojnë problemet në goditjet standarte dhe mendoj se skuadra do të përmirësohet në këtë aspekt.

Mendoni se tashmë Partizani e rrezikon vendin e katërt apo në fund do t’ia dalë të fitojë duelin me Dinamon?

Partizani e ka vetë në dorë vendin e katërt dhe këtu i referohem ecurisë së ndeshjeve të fundit që ka qenë e mirë dhe besoj se ka forcën brenda grupit të lojtarëve, stafit e po ashtu edhe mbështetjen e klubit, ka treguar që ka ditur të dalë nga situata shumë të vështira dhe tani në këtë situatë dhe në këtë pikë kaq deçizive të kampionatit besoj se gjithçka do ta shikojnë tek vetja dhe mendoj se do të jetë e vështirë, por jo e pamundur dhe ndoshta gjithçka do të varet nga ndeshjet direkte me Dinamon, por edhe nga gabimet që do të bëj njëra skuadër apo tjetra. Partizani e ka treguar se në ndeshjet me rivalët direkt ka ditur të imponojë edhe ritmin e lojës, por edhe të dalë me rezultat pozitiv, duke marrë edhe fitore. Kështu që jam i mendimit se Partizani i ka të gjitha mundësitë që ta ruajë vendin e katërt.

Si e shikoni ndeshjen e radhës të Partizanit me Elbasanin? Për më tepër do të mungojë edhe Atanaskoski, teksa në stol nuk do të jetë as trajneri Kërnaja, sa do të ndikojnë këto faktorë?

Partizani ka një plus për vetë faktin se Elbasani luajti në mesjavë një ndeshje shumë të rëndësishme dhe në aspektin psiko-fizik, Partizani është më i avantazhuar sepse do të jetë më i freskët dhe mendoj se kjo duhet shfrytëzuar si bonus për të marrë maksimumin tek ndeshja e radhës në kampionat. Megjithatë, Partizani do të ketë përballë një kundërshtar me cilësi shumë të mira, me organikë shumë të mirë dhe është një ndeshje interesante. Mendoj se duke iu referuar edhe difeerencave të vogla mes skuadrave, pres që ndeshja të zgjidhet nga detaje.

Mendoj se janë të gjitha mundësitë që Partizani të bëjë më të mirën sepse është vetëm në kampionat në garë kështu që duhet ta shfrytëzojë këtë pikë. Sa i takon mungesës së Atanaskoskit, bëhet fjalë për një mungesë shumë të rëndësishme për Partizanin, pasi ai është një lojtar që është kthyer në lider për atë që jep në fushë për proçesin motorik, grintën dhe mentalitetin që tregon në lojë. Megjithatë, skuadra e Partizanit është një ekip me lojtar mjaft cilësor, me organikë të plotë dhe besoj se stafi e ka luksin që të gjejë zëvendësuesin e duhur.

Mungesa e trajnerit Kërnaja është po ashtu një mungesë e rëndësishme sepse normalisht lojtarët e kanë të vështirë kur nuk e ndjejnë prezencën e trajnerit dhe gjithmonë është një mungesë për udhëzimet, por edhe për aspektin psikologjik ku normalisht në situata të ndryshme komunikimi është shumë i rëndësishëm dhe prania e tij jep më tepër besim. Por, megjithatë lojtarët e kanë treguar që edhe në situata të tilla të vështira kanë ditur të dalin nga kjo vështirësi që do të ndjejnë në ndeshjen me Elbasanin.

Fitorja në kryeqytet me Partizanin, por edhe disfata e Elbasanit me Dinamon, a mendoni se tashmë Vllaznia ka kaluar si pretendenti kryesor për titullin kampion? Si i shihni shkodranët në krahasim me Egnatian dhe Elbasanin?

Patjetër që fitorja ndaj Partizanit në kryeqytet është një bonus emocional. Megjithatë, dhe humbja e Elbasanit me Dinamon nuk ka ndryshuar shumë për titullin. E theksova edhe më lart se pesë skuadrat e para të tabelës së klasifikimit kanë shumë pak diferenca përsa i përket edhe elementëve në organikë, por edhe interpretimit të lojës, ku shpeshherë kanë treguar një fuitboll tërheqës dhe dominues, por me oshilacione. Besoj Vllaznia gjatë gjithë këtij kampionati ka udhëhequr garën me meritë të saj, por është shumë e rëndësishme që në këto ndeshje të fundit dhe sidomos ato të “Final Four”, duhet të jetë shumë e kujdesshme.

Por, e shikoj si një skuadër që është shumë afër fitimit të titullit, megjithatë në futbollin shqiptar kur katër apo pesë skuadra kanë kaq pak diferenca ndaj njëratjetrës e bëjnë të vështirë që të flasësh me siguri. Vllaznia patjetër që i ka elementët dhe të gjitha komponentët për të qenë ajo fituesja e titullit, megjithatë duhet kujdes në menaxhimin e elementëve si ai taktiko-fizik, psikologjik, sepse jemi në fundin e kampionatit dhe ndeshjet janë të ngjeshura.

Shkodranët janë edhe në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe këtu shtohet edhe rëndesa fizike e duhen menaxhuar më së miri rotacionet e lojtarëve. Mendoj se është një kampionat i paparashikueshëm e ekipi që do të menaxhojë mirë të gjithë faktorët, ritmin dhe rotacionet, e problemet fizike do të jetë dhe ekipi që do të fitojë kampionatin. Por, e shikoj një Vllazni që i ka të gjitha mundësitë për të qenë favorite kryesore.

Gara e mbijetesës, katër skuadra në vetëm pesë pikë diferencë… A është Flamurtari tashmë drejt Kategorisë së Parë? Po Tirana pas dy fitoreve dhe një barazimi ndaj rivalëve direkt, mendoni se do t’ia dalë që të shpëtojë?

Është shumë e vështirë për të parashikuar sepse vetë renditje aktuale ku katër skuadrat e fundit janë me pesë pikë diferencë, normalisht nuk të jep shumë siguri. Flamurtari ka një ndeshje finale këtë fundjavë ndaj Vorës dhe është shumë e rëndësishme si do ta interpretojë ku i vetmi rezultat që i shkon për shtat dhe që e mban në lojë është fitorja. Vetëm tre pikët i japin shans, në rast të kundërt atëherë situata do të vështirësohej shumë sa i takon prezencës së Flamurtarit në Superiore sezonin e ardhshëm. Sa i takon Tiranës, mendoj se ka fituar shumë stabilitet jo vetëm për pikët, por edhe për lojën.

Trajneri Orges Shehi ka bërë një punë shumë të mirë duke i marrë maksimumin dhe duke i pozicionuar lojtarët në vendin e duhur dhe duke marrë më të mirën prej tyre. Besoj se kanë bërë një hap të madh për të qenë në elitë, megjithatë nuk duhet ulet vigjilenca në asnjë moment, kjo për të gjitha skuadrat sepse është një kampionat mjaft interesant në të gjithë komponentët si për pjesë e sipërme të tabelës ashtu edhe për fundin e saj. Tirana mendoj ka një bonus që mundet t’ia dalë për vetë faktin e atyre që kanë arritur në ndeshjet e fundit, por që sigurisht duhet të vazhdojnë në këtë ritëm për të qëndruar në Superiore.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL