EKSKLUZIVE/ “Luhatjet e Dinamos kanë qenë për mungesë të fatit”, kapiteni Dita: Besojmë te “Final 4”, Kupa është një objektiv
Dinamo e këtij sezoni ka pasur oshilacione të shumta megjithatë në kampin blu, janë të bindur se skuadra ka ende mundësi për të arritur në “Final 4”.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni i bluve, Bruno Dita u shpreh se skuadra kryeqytetase do të luftojë deri në momentin e fundit për të arritur objektivin që ka. Dita u ndal edhe te skemat e përdorura nga trajneri Daja, të cilat kanë qenë të shumta duke pranuar se skuadra është ambientuar dhe ka punuar maksimalisht për të qenë sa më komode me të gjitha formacionet.
Një sezon me oshilacione. Çfarë nuk shkoi me Dinamon?
Ka qenë vërtet një sezon me ulje-ngritje për ne dhe kjo është reflektuar edhe në rezultate. Mendoj se ajo që nuk ka shkuar ka qenë më shumë çështje fati, sepse në shumë ndeshje kemi zhvilluar lojë të mirë dhe kemi krijuar raste të shumta për shënim, por nuk kemi arritur gjithmonë t’i konkretizojmë.
A mendoni se mund të ndikojë pozitivisht pushimi nga Kombëtarja?
Besoj se ky pushim ka ndikuar për mirë për skuadrën, sidomos duke marrë parasysh edhe atë ndeshje të mirë që zhvilluam në Shkodër para ndërprerjes. Kemi pasur kohë për t’u rikuperuar dhe për të reflektuar, dhe mbi të gjitha besojmë shumë te cilësitë tona, kështu që mendoj se çdo gjë është e mundur në vazhdim.
Vendi i katërt është 4 pikë larg. Sa besoni se mund ta arrini?
Pse jo? Është një objektiv që është ende i arritshëm dhe diferenca nuk është e madhe. Do të japim maksimumin në çdo ndeshje të mbetur dhe do të luftojmë deri në fund për ta kapur këtë pozicion.
A do ta konsideronit të suksesshëm sezonin nëse e mbyllni me fitimin e Kupës së Shqipërisë?
Po, sigurisht që do të ishte një sezon i suksesshëm nëse arrijmë të fitojmë Kupën e Shqipërisë. Është një trofe shumë i rëndësishëm për klubin dhe për ne si skuadër, dhe përveç kësaj na jep mundësinë për të marrë pjesë në Europë, që është një objektiv i madh.
Nëse do të duhej të zgjidhnit mes Kupës dhe “Final 4”, cilën do të preferonit?
Duke parë diferencën aktuale në kampionat, do të thoja Kupën, pasi duket një objektiv më i prekshëm në këtë moment. Megjithatë, gjithçka është ende e hapur dhe ne nuk jemi dorëzuar për asnjë objektiv, do të luftojmë në të dyja frontet deri në fund.
Trajneri ka ndërruar shpesh modul loje këtë sezon. Cila është skema ku ndiheni më mirë?
Do të thosha që jemi përshtatur me 2-3 skemat që kemi përdorur gjatë gjithë sezonit. Si skuadër kemi punuar për t’u ndjerë komod në secilën prej tyre dhe për ne në fushë nuk ka ndonjë ndryshim të madh, pasi e dimë mirë çfarë kërkohet në çdo situatë loje.
Sa e vështirë është për ju si kapiten të motivoni skuadrën pas rezultateve jo të mira?
Nuk do të thosha që është shumë e vështirë, sepse të gjithë e dimë forcën tonë reale dhe cilësitë që kemi si grup. Edhe në momentet kur rezultatet nuk kanë qenë në favorin tonë, nuk ka pasur pesimizëm në skuadër dhe kjo e bën më të lehtë motivimin.
Çfarë prisni nga ndeshjet e mbetura të kampionatit?
Presim të paraqitemi sa më mirë në çdo ndeshje dhe të japim maksimumin për të arritur objektivat tona. Qëllimi ynë është që në fund të sezonit të kemi rezultate pozitive dhe të arrijmë të sjellim edhe një trofe për klubin.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













