EKSKLUZIVE/ Historike! Mesfushori i Partizanit merr ftesë nga federata për Botërorin e…
Kazim Ogunleje, talenti 19-vjeçar i Partizanit, ka marrë një ftesë historike nga Federata e Futbollit të Nigerisë. Fantazisti do të jetë pjesë e kombëtares U-20 në Botërorin që do të zhvillohet në Kili përgjatë muajit shtator. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se futbollisti i Partizanit është përfshirë në listën përfundimtare të skuadrës.
Ogunleje pritet të largohet në ditët e ardhshme, duke humbur fillimin e kampionatit. Nigeria U-20 ndodhet në grup me Norvegjinë, Kolumbinë dhe Arabinë Saudite.
Ky është një moment me peshë të veçantë për Partizanin, pasi është e rrallë, në mos e para herë, që një lojtar i Superiores të ftohet për një Botëror të moshave. Ogunleje u bashkua me të kuqtë në marsin e këtij viti si pjesë e projektit afatgjatë të klubit, duke u parë investim për të ardhmen.
Megjithatë, përfaqësimi në Botëror është një shans për të treguar potencialin e tij sërish jashtë Shqipërisë. Botërori U-20 ndërkohë është një trampolinë ku kanë luajtur shumë prej yjeve të futbollit botëror. Këtu mund të përmenden ndër të tjerë Maradona, Mesi, Ronaldinjo, Aguerro, Pogba dhe Haland.
Ogunleje do të humbasë javët e para të kampionatit, por mbetet të konsiderohet si një investim afatgjatë. Kthimi nga Kili, me një eksperiencë të tillë ndërkombëtare, mund ta bëjë Ogunlejen edhe më të vlefshëm për pjesën tjetër të sezonit.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













