EKSKLUZIVE/ Dalipi, i bindur për objektivat: Dinamo e arrin “Final 4”, shanse në Kupë (E PLOTË)
Dinamo e këtij sezoni ka pasur oshilacione të shumta dhe rezultatet negative sidomos në fazën e tretë të kampionatit, sollën edhe largimin e skuadrës nga vendi i katërt.
Megjithatë, blutë kanë ende shanse dhe në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Edmond Dalipi shprehet se blutë kanë mundësi të arrijnë sërish “Final 4”, teksa shton se edhe shanset për të kaluar në Kupë, janë reale.
Si e vlerëson sezonin e Dinamos deri tani në kampionat?
Dinamo, në fillim të sezonit, u ndërtua me objektivin për të fituar trofe. Megjithatë, deri në këtë pikë të kampionatit, nuk ka marrë rezultatet që ishin parashikuar. Ka pasur oscilacione të dukshme, veçanërisht në periudhën e fillimit të këtij viti, ku ka arritur vetëm një fitore. Kjo ka ndikuar në rendimentin e ekipit.
Çfarë mendon se nuk ka shkuar mirë deri tani te Dinamo?
Në çdo ekip që nuk ka rezultate të mira, është e natyrshme që ka diçka që nuk shkon. Realisht, për Dinamon në fillim të sezonit, largimi i dy lojtarëve kryesorë ka lënë një boshllëk. Edhe pse erdhën disa zëvendësues, ata nuk kanë arritur të përshtaten mirë me lojën dhe filozofinë e trajnerit. Shtohen këtu edhe dëmtimet që ndikojnë negativisht.
Megjithatë, nuk janë këto arsye të mjaftueshme për të justifikuar performancën e ekipit, sepse të gjithë ekipet kanë probleme të tilla. Ajo çka ka rëndësi është si menaxhohen këto situata. Në këtë kuadër, besoj se Dinamo nuk ka marrë maksimumin e mundshëm nga grupi dhe lojtarët që ka në dispozicion.
Çfarë mendimi keni për afrimet në merkaton e janarit? A kanë përmbushur pritshmëritë që kishte Dinamo?
Gjatë merkatos së janarit është e vështirë të gjesh lojtarët që ekipi ka nevojë. Megjithatë, Dinamo ka bërë afrime të rëndësishme. Por barra kryesore bie mbi grupin e lojtarëve që janë tashmë pjesë e skuadrës dhe që duhet të ndihmojnë të tërheqin edhe këta elementë të rinj. Vetëm përmes konsolidimit të grupit dhe ndihmës së lojtarëve të rinj mund të vijnë rezultatet pozitive.
A mendon se Dinamo mund të arrijë të përfundojë brenda “Final 4”-ës, duke marrë parasysh edhe konkurrencën e Partizanit dhe të tjerëve?
Dinamo ishte brenda objektivit për një pozicion të tillë, por rezultatet e fillimit të vitit bënë që Partizani ta parakalonte. Megjithatë, në ndeshjet e fundit po shoh një Dinamo më të motivuar. Kam besim se do ta arrijnë “Final 4”, edhe pse do të ketë konkurrencë të fortë nga Partizani dhe ekipet e tjera.
Në Kupë, Dinamo barazoi 1-1 me Vllazninë. Si i sheh shanset për kualifikimin dhe mundësitë për trofeun?
Kupa ka specifikat e veta, sepse është me eliminim direkt. Rezultati i barazimit 1- 1 në ndeshjen e parë la gjithçka të hapur, dhe shanset janë 50 me 50. Megjithatë, Dinamo ka mundësinë të kalojë tutje, nëse arrin të bëjë një performancë të mirë në ndeshjen e kthimit.
A mendon se Kupa mund ta shpëtojë sezonin e Dinamos?
Pa dyshim, Kupa është një mundësi për të shpëtuar sezonin, sidomos sepse është një trofe që dërgon në Europë dhe ka përfitime financiare. Po të shohim nga vendet fqinje, ekipe që arrijnë të fitojnë Kupën e kanë mundësinë të shkojnë në grupet e Ligës së Konferencës. Kjo do të ishte një mundësi e madhe për Dinamon.
A ka një lojtar te Dinamo që ju ka bindur apo që ju ka zhgënjyer këtë sezon, nga i cili prisje më shumë?
Jo vetëm te Dinamo por në çdo ekip, forca më e madhe është grupi dhe jo një lojtar individualisht. Kur arrijnë rezultate të mira, të gjithë lojtarët kontribuojnë për ekipin. Nuk mund të veçoj ndonjë lojtar të vetëm, sepse në futboll është e rëndësishme që të fitojnë të gjithë. Megjithatë, ndonjëherë ndodhin periudha të vështira për disa lojtarë, por në fund të fundit, e gjithë skuadra është ajo që përcakton fatin.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













