Egnatia në emergjencë, Bylisi si provë karakteri. Rrogozhinasit zbresin në fushë me formacion të cunguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2026 | 9:26

Egnatia në emergjencë, Bylisi si provë karakteri. Rrogozhinasit zbresin në fushë me formacion të cunguar

Egnatia përballet me një nga momentet më të vështira të sezonit, teksa në fundjavë do të sfidojë Bylisin në kushte aspak ideale.

egnatia

Skuadra rrogozhinase duket e zhytur mes “një mijë e një halleve”, me probleme të shumta që prekin çdo repart dhe që e vendosin përballë një prove të fortë karakteri. Një nga shqetësimet kryesore mbetet mungesa e stafit teknik në pankinë, situatë e pazakontë që pritet të vazhdojë edhe në këtë ndeshje. Pa drejtimin e zakonshëm gjatë 90 minutave, menaxhimi i momenteve kyçe bëhet edhe më i vështirë, sidomos në një përballje ku çdo detaj mund të vendosë fatin e rezultatit.

GRUP I CUNGUAR – Por vështirësitë më të mëdha janë në përbërje, aty ku mesfusha është goditur rëndë nga mungesat. Kapiteni Albano Aleksi vijon të jetë jashtë për shkak të pezullimit, një mungesë që ndihet jo vetëm në aspektin teknik, por edhe në drejtimin e skuadrës në fushë. Po ashtu, Altin Kryeziu nuk është i gatshëm për shkak të kartonëve, ndërsa Flamur Ruçi mungon pas kartonit të kuq. Këto mungesa e lënë ekipin pa boshtin kryesor të mesfushës, duke e detyruar trajnerin Edlir Tetova të improvizojë dhe të kërkojë zgjidhje alternative. Në këto rrethana, pritet që minuta të rëndësishme t’u besohen lojtarëve që zakonisht kanë qenë në plan të dytë, ndërsa riorganizimi i skemës bëhet i domosdoshëm. Gjithçka tregon për një Egnatia që duhet të përshtatet shpejt dhe të gjejë ekuilibër në një situatë jo të zakonshme.

RIKTHEHET XHEMAJLI – Mes gjithë këtyre problemeve, një lajm pozitiv vjen nga mbrojtja, aty ku Arbenit Xhemajli rikthehet në dispozicion pas pezullimit. Prania e tij pritet të sjellë më shumë stabilitet në repartin difensiv, duke qenë një pikë referimi në një moment delikat. Megjithatë, pavarësisht rikthimeve apo zgjidhjeve të detyruara, Egnatia mbetet një skuadër e vendosur përballë shumë vështirësive njëkohësisht. E vendosur mes mungesash, pezullimesh dhe një situate të pazakontë në pankinë, mbetet për t’u parë se si do të reagojë skuadra në fushë.4

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL