Egnatia me 4 debutues, do kohë për automatizimin
Nisja e kampionatit me humbje nuk është e re për Egnatian dhe, ndryshe nga ç’mund të ndodhte në klube të tjera, në Rrogozhinë nuk ndizet asnjë alarm. Sigurisht që humbja dhemb dhe kontestimet nuk munguan në fund të takimit, por deri në këtë pikë, pa kaluar në panik, edhe pse janë kampionët në fuqi.

Rezultati 0-2 ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi” shihet më shumë si një test i parë serioz sesa një sinjal shqetësues. Stafi teknik dhe drejtuesit janë të vetëdijshëm se grupi i këtij sezoni ka ndryshuar ndjeshëm dhe kërkon kohë për t’u formësuar siç duhet. Nisjet me vështirësi nuk janë të panjohura për Egnatian. Sezoni i kaluar nisi jo perfekt, por skuadra u ringrit shpejt dhe arriti të luajë në nivele shumë të larta. Ky kujtim i afërt bën që sot të mos ketë tension të panevojshëm.
4 DEBUTUES NË FORMACION – Në formacionin bazë të ndeshjes me shkodranët, trajneri hodhi katër lojtarë debutues: mbrojtësin Anio Poçi, si dhe sulmuesit Kastriot Selmani, Ildi Gruda dhe Nikola Buriç. Këta pritet të jenë fytyra e re e sulmit rrogozhinas, por është e qartë se bashkëpunimi mes tyre dhe pjesës tjetër të ekipit nuk mund të krijohet brenda një nate. Performanca individuale e secilit prej tyre ishte pozitive në disa momente, por mungesa e lidhjes automatike në veprime bëri që skuadra të mos ishte aq efikase në fazën sulmuese.
Ndërtimi i skuadrës së re ka ardhur edhe si pasojë e disa largimeve të bujshme. Regi Lushkja ishte i fundit që u përshëndet me Egnatian, duke lënë një boshllëk të dukshëm në mesfushë. Përvoja dhe lidershipi i tij kanë qenë elemente të rëndësishme dhe zëvendësimi nuk është i lehtë. Në klub janë të bindur se, edhe pse profili i lojtarëve të rinj është ndryshe, grupi mund ta përthithë këtë mungesë përmes kolektivitetit.
SYTË NGA E ARDHMJA – Për Egnatian, kampionati është i gjatë dhe kjo humbje shërben si leksion për të parë ku duhet përmirësuar urgjentisht. Lojtarët e rinj do të kenë mundësinë të tregojnë vlerat e tyre me kalimin e javëve. Që tani duket se filozofia e klubit mbetet e qartë: projekti afatgjatë është mbi çdo rezultat të momentit.
Në Rrogozhinë e dinë mirë se kampionati nuk fitohet në javën e parë. Me një grup të rinovuar, që kërkon kohë për t’u integruar, Egnatia synon të marrë ritmin e duhur shumë shpejt dhe të konfirmojë se mbetet një nga skuadrat më të forta të Superiores. Ndeshja e radhës është ndaj Elbasanit, një kundërshtar që ka synime madhore këtë edicion, ndaj për Egnatian është një mundësin e mirë për të treguar veten.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













