Egnatia është ekipi i momentit, 9 pikë në 3 javë/ Profecia e trajnerit Edlir Tetova del plotësisht
Skuadra e Egnatias duket se ka gjetur ritmin e du hur dhe ka nisur të tregojë se mund të jetë seriozisht një pretendente për titullin kampion. Për më tepër, për të tretën herë radhazi ka arritur të dërgojë kundërshtarët në shtëpi pa pikë. Fitorja e arritur në Vlorë ishte jo thjesht një triumf individual, por një konfirmim se rrogozhinasit kanë nisur të ndërtojnë një seri pozitive që mund t’i çojë drejt kreut të Superiores, ku aktualisht janë vetëm një pikë larg Elbasanit kryesues.

Dy fitoret e mëparshme nuk mund të konsiderohen rastësi, tri suksese radhazi e bëjnë Egnatian ekipin e momentit në kampionat, pasi asnjë skuadër nuk ka arritur këtë ecuri pozitive në tri javët e fundit. Seria ka rritur besimin te grupi, ka forcuar kohezionin mes lojtarëve dhe ka treguar se skuadra ka mësuar nga gabimet e fillimit të sezonit.
PROFECIA E TETOVËS – Në nisje të edicionit, Egnatia dukej shumë larg pritshmërive, si në lojë, por mbi të gjitha në marrjen e rezultateve. Momente këto që ngjallën dyshime tek tifozët dhe opinion publik për ekipin që trajneri Edlir Tetova kishte në dispozicion. Megjithatë, për të zbutur disi ambientin, Tetova paralajmëroi pas dy ndeshjeve të para skuadra do të kishte nevojë për kohë për të gjetur ritmin e duhur dhe për të arritur në formën optimale.
Sipas tij, kjo fazë adaptimi mund të zgjasë deri në tetor dhe tani profecia e tij po konfirmohet, ndonëse forma e ekipit ka ardhur pak më shpejt se pritej. Ky proces ka lejuar skuadrën të forcojë kombinimet, të rrisë koordinimin dhe të zhvillojë një lojë më të qetë dhe efektive në fushë. Përveç teknikës dhe taktikes, Tetova ka punuar gjithashtu mbi aspektin mental, duke rritur përqendrimin dhe motivimin e lojtarëve në momentet vendimtare të ndeshjeve.
VIJNË GOLAT – Një tjetër tregues i qartë i ngritjes së Egnatias është vazhdimësia në gjetjen e rrugës drejt portës kundërshtare. Skuadra ka arritur të shënojë gol në katër ndeshje radhazi, edhe pse jo gjithmonë me ritëm të lartë ose me pikatore të shumta. Kjo tregon se strategjia e sulmit po jep rezultat, ndërsa lojtarët po mësojnë të krijojnë hapësira, të bëjnë lëvizje të koordinuara dhe të konkretizojnë rastet me më shumë siguri.
Në këtë moment, Egnatia duket e vendosur të vazhdojë serinë e fitoreve dhe të konsolidojë pozitën në klasifikim. Kombinimi i serisë së fitoreve, gjetjes së golave dhe përmirësimit gradual të formës e bën skuadrën një pretendente reale për titullin dhe një ekip që rivalët duhet ta respektojnë. Nëse vazhdon ky ritëm, Egnatia mund të konsiderohet jo vetëm ekipi i momentit, por edhe një kandidat serioz për kampionatin 2025-2026 dhe mbajtjen e trofeut në shtëpi edhe për këtë sezon.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













