“Duam maksimumin ndaj Egnatias”, Kërnaja kërkon fitoren e dytë me Partizanin: Ju tregoj si qëndron e vërteta me Morieron për çështjen “spiuni”
Partizani do të përballet nesër me Egnatian në ndeshjen e vlefshme për javën e 8-të të Superiores dhe në prag të kësaj sfide, trajneri i të kuqve, Oltijon Kërnaja ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp.
“Përshëndetje, ashtu siç e thamë edhe përpara ndeshjes me Flamurtarin ekipit i duhej fitorja për të dalë nga ngërçi psikologjik që ishte për shkak të rezultateve të njëpasnjëshme jo të mira për ekipin tonë, por falë Zotit ja arritëm qëllimit që të fitonim dhe tani gjendja duket shumë e mirë, shumë solide. Djemtë kanë bërë një javë shumë të mirë stërvitje, jemi gati për ndeshjen e nesërme. Egnatia është ekipi kampion në fuqi, ndeshje e vështirë, e respektojmë, por ne kërkojmë maksimumin. Dëmtime nuk kemi, edhe Preka që kishte një problem shëndetësor është i gatshëm, do të japim 110% e mundshëm në fushë.
E ardhmja? Me Presidentin kam folur, flasim përditë, jemi në gjendje korrekte, besoj do të flasim pas dy javësh, të shohim si do të shkojë situata për të vendosur më shumë se ku do të ketë nevojë ekipi. Çipi vinte të luante pas një viti me ne, pati disa minuta të mira por pësoi një dëmtim të rëndë dhe do të qëndrojë jashtë 6 muaj. Ne përgatisim çdo ndeshje duke pasur parasysh kundërshtarët, menduam që për Flamurtarin të na duheshin tipa të tjerë lojtarët dhe jo Gudjufi e Kote. Për ndeshjen e nesërme janë të gjithë të gatshëm, të dy ata janë pjesë e rëndësishme e ekipit përderisa kanë kontrata afatgjata. Djemtë dhanë maksimumin duke vrapuar gjatë 90 minutave në një ndeshje të vështirë. Për Egnatian nuk kemi çfarë të themi është prej dy vitesh kampione, kanë grupin prej disa vitesh, pikët e dobëta i kemi studiuar dhe i kemi parë, ua kemi treguar edhe djemve”.
Pas përfundimit të pyetjeve nga gazetarët, Kërnaja sqaroi edhe diçka për opinionin publik: “Gjatë gjithë javës është marrë në koment një deklaratë e imja që ka qenë në formë miqësore me trajnerin Moriero punën e “spiunit” ka qenë më shumë deklaratë shoqërore duke ditur se kemi punuar bashkë disa muaj edhe siç e diti profesor Moriero për aktivizimin e Çipit ashtu e dija dhe unë kë do aktivizonte ai duke ditur tipologjinë e trajnerit, nuk ka pasur lidhje spiun, ka qenë diçka në formë shakaje me trajnerin”, përfundoi Kërnaja.
PANORAMASPORT.AL













