Dinamos i duhet një mrekulli, Ilir Daja për gjendjen e ekipit: Një lojtar ishte në spital deri në orët e vona
Ilir Daja ka folur para ndeshjes që Dinamo do të luajë me Jagiellonian. Nesër në “Air Albania” do të duhet një mrekulli, pasi takimi i parë në Poloni u humb me rezultatin 3 me 0.

Trajner i dinamovitëve tregon gjendjen e ekipit para sfidës së kthimit në “play-off” të Ligës së Konferencës. Dhe problemet, siç dihet, nuk mungojnë.
Ilir Daja deklaroi para ndeshjes me polakët:
“Sigurisht që përballë kemi një ekip shumë të fortë që u pa edhe në ndeshjen e parë. Në edicionin e kaluar u eliminua në çerekfinale nga Betis. Duke i shtuar kësaj nivelin e vështirësisë se edhe ne kemi mungesat tona, qoftë me lojtarë që janë larguar, e që nuk janë zëvendësuar, se edhe pse kanë ardhur të rinj, duhet kohë që të ingranohen në pjesën tjetër të grupit. Kemi lojtarë që janë afruar në seancën e djeshme por vijnë nga një mungesë një apo dyjavore, që do të thotë që edhe nëse nesër i përdorim, i përdorim në minutazh të kufizuar. Kështu që do të bëjmë më të mirën e mundshme për të bërë një ndeshje që të paktën, të prezantojmë sa më mirë të jetë e mundur veten tonë. Duke parë e duke bërë pastaj, se kurrë mos thuaj kurrë në futboll, por është një mision shumë i vështirë për ne.
Pushimi në kampionat? Edhe lojtarët që ishin të dëmtuar nuk është se do të ishin pjesë e ndeshjes së parë të kampionatit. Natyrshëm që kur shkon në një nivel si play off i Ligës së Konferencës, të duhet të kesh një javë pushim për të akumuluar forcat e përballur, se dihet që sa më shumë kalon turet në Europë, aq më e vështirë bëhet. Nuk do ndryshonte gjë edhe po të luhej, por më mirë që nuk u bë ndeshja dhe gjej rastin të falënderoj Teutën dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.
Dinamo ka 15 vite që nuk është në kompeticionet europiane dhe që vitin e parë pas një dekade e gjysmë mungesë, të shkosh deri në play-off është një arritje goxha e madhe. Besoj që kemi bërë maksimumin. Nëse do e kishim të gjithë kontingjentin, ndoshta do të kishim bërë edhe diçka më të bukur.
Kur dozat emocionale bien, del në pah logjika dhe analizat që kemi bërë. Kemi luajtur me një qendërmbrojtës që është mbrojtës i djathtë, kemi luajtur me një mbrojtës së djathtë që është mesfushor i djathtë, na mungojnë brenda tre javësh dy golashënuesit tonë kryesorë dhe lojtarët që kanë ardhur, po përmend Berishën që erdhi i fundit, ka ardhur vetëm 3-4 ditë para ndeshjes. Duke parë edhe mungesën e kapitenit Dita dhe Qefaliajt që janë të rëndësishëm për ne, duke parë që Loran që nga dëmtimi me Hajdukun, bëri vetëm një seancë stërvitore, me gjithë këto problematike, kur bën analizën, e di që nëse do kishte qenë ndryshe, edhe paraqitja jonë në ndeshjen e parë do kishte qenë ndryshe. Ndaj nuk është vështirësi për t’u thënë djemve që të shohin atë gotën gjysmë plot e jo gjysmë bosh.
E kemi përgatitur ndeshjen në mundësinë më të mirë të mundshme, sepse akoma vetëm dje janë bashkuar me grupin Qefaliaj, Dita e Qardaku. Kishim një probleme dje me një lojtar i cili deri në orët e vona ka qenë në spital për shkak të virozave në qarkullim. Do i marrim gjërat me motivim maksimal, por pa kaluar në aventurë se natyrshëm po të kalosh në aventurë me një ekip me një sulm të shpejtë siç ka Jagiellionia, mund t kemi vështirësi në vijimësinë e lojës.
Mbrojtja? Ajo ishte një zgjidhje e improvizuar se edhe dëmtimi i Hoxhës dhe kemi kërkuar e nuk e gjetëm deri në këto momente një tjetër qendërmbrojtës. U detyruam të spostonim një lojtar, në kampionatin shqiptar e ka bërë Meksi këtë pozicion disa herë kur kemi pasur nevojë për ndihmën e tij. Por në nivele të tilla, me një kundërshtar kaq të fortë, del me problematikë. Çdo lloj zgjidhje që kemi bërë, del me probleme. Edhe nesër Dita është me pikëpyetje të madhe.
I cilësuar si trajneri më i mirë shqiptar nga opinioni. Keni ndonjë koment?
Ndihem i respektuar për opinionin, në fund futbolli luhet për tifozët dhe kur merr urime nga tifozët e Dinamos dhe jo vetëm, sigurisht që ndihem i vlerësuar. Kjo është një punë e përbashkët sepse futbolli është sport kolektiv ku do ta ndaj këtë meritë bashkë me lojtarët e mi, për paraqitjen e bërë së fundmi. Edhe vetë ka qenë gjithmonë një gjë që më ka dërguar deri në këto rezultate të mira, serioziteti dhe përkushtimi që kam për pozicionin tim në trajnim. Kam shumë vite trajner, dhe si ditën e parë vazhdoj të kem të njëjtin motivim, përkushtim dhe seriozitet. Në fund, kur kjo mbështetet edhe si ajo e tifozëve pas ndeshjes me Hajdukun, kthehet një pjesë e sadisfaksionit për të gjithë përkushtimin e bërë.
Është rikuperuar ndonjë nga lojtarët?
Në kaq ditë që kemi pasur në dispozicion, duke qenë se Dita nuk ka qenë prezent në stërvitje, është bashkuar me ekipin në seancën e djeshme. Kemi provuar disa mundësi. Dhe sot e kemi një dilemë, të provojmë me Meksin ose me një lojtar tjetër. Do shohim edhe seancën e sotme stërvitore. Do ta kemi të vështirë, por që në fund fare do rrezikojmë se nuk kemi çfarë bëjmë.
Qefalija është një lojtar që i jep bukuri lojës sonë, është mungesë e rëndësishme në atë manovër që kemi ne. Shpresojmë nesër të na ndihmojnë, por besoj se nesër edhe nëse do aktivizohet do jetë me minutazh të reduktuar. Për shkak se Qefalija dje është bashkuar me grupin në seancën stërvitore.
Vllaznia? Sigurisht që me një kundërshtar të vështirë si Jagiellonia duhet të jesh i fokusuar 100% dhe nuk duhet ta shpërndash vëmendjen. Ne gjithmonë kemi bërë dhe në kampionat të njëjtën gjë, që i kemi marrë gjërat hap pas hapi. Dhe kësaj radhe do mendojmë që nesër të jemi të përqëndruar dhe fokusuar te ndeshja me Jagiellonian. Pas përfundimit të saj të merremi me ndeshjen që kemi në kampionat”, u shpreh Ilir Daja.
PANORAMASPORT.AL













