Bylisi përgatitet për vlonjatët, Josa në dilema për sulmin
Në Ballsh tashmë janë fokusuar te sfida e javës së dytë me Flamurtarin, e cila do të luhet në fundjavë në “Adush Muça”. Fillimisht ndeshja ishte parashikuar të zhvillohej në Vlorë sipas kalendarit, por për shkak se stadiumi “Flamurtari” nuk është ende gati, është arritur një marrëveshje mes dy klubeve që sfida e fazës së parë të luhet në Ballsh, ndërsa ajo e fazës së dytë në Vlorë.

Ballshiotët do të kenë mungesën e Mustafas në repartin e sulmit, ndaj edhe trajneri Mirel Josa është duke menduar se kush do të jetë zëvendësuesi i tij për këtë ndeshje, ndonëse alternativat nuk mungojnë. Në dyshim për mallakastriotët është edhe fantazisti Indio Oliveira, braziliani me eksperiencë që shfaqi probleme në sfidën e parë të sezonit kundër Tiranës, ku hyri si zëvendësues.
Nga ana tjetër, edhe Karmona nuk e ka bërë ende debutimin, megjithëse pritet shumë prej tij, nisur nga eksperienca dhe cilësitë që solli si afrim në merkaton verore. Mbrojtësi anësor është duke kapur formën optimale dhe pritet të jetë pjesë e formacionit ose të 20-shes së Josës në sfidat e ardhshme. Nuk përjashtohet mundësia që ndaj Flamurtarit të ketë debutime apo ndonjë risi tjetër në formacion, çka do të shihet deri në fundjavë.
GRUMBULLIMI DHE LËVIZJET NË MERKATO
Skuadra është aktualisht në grumbullim në kompleksin “Gjanica” për sfidën me kuqezinjtë. Presidenca dhe stafi teknik kanë menduar që në prag të sezonit të ri të ndiqet një metodë e ndryshme, e cila pritet të ndikojë në harmonizimin e grupit dhe në përshtatjen e lojtarëve të rinj. Në Ballsh presin edhe dy afrime të tjera, ndaj së paku për javët e para kjo mënyrë e grumbullimit do të ndiqet me qëllim që lojtarët të jenë më pranë njëri-tjetrit.
Bylisi pritet të bëjë edhe disa lëvizje në merkato, pasi plot 6-7 lojtarë janë pikasur nga ekipe brenda dhe jashtë vendit. Kështu që deri në fund të afatit veror, te ballshiotët priten lëvizje të sigurta si në hyrje, ashtu edhe në dalje. Deri tani, klubi ka shitur mesfushorin Flamur Ruçi te Egnatia, ndërsa ka shpenzuar për afrimin e disa elementëve me eksperiencë dhe të rinj të talentuar. Mallakastriotët duan të lënë gjurmë këtë sezon në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë. Megjithatë, debutimi me Tiranën nuk i kënaqi, pasi pritshmëritë ishin për më shumë në një duel të dominuar me lojë dhe raste, ku mungoi vetëm goli dhe fitorja.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













