Bylisi mendon Flamurtarin, Josa pa Ibrahim Mustafa/ Ja çfarë po kërkojnë ballshiotët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2025 | 22:46

Bylisi mendon Flamurtarin, Josa pa Ibrahim Mustafa/ Ja çfarë po kërkojnë ballshiotët

Barazimi me Tiranën sigurisht që nuk ka kënaqur në Ballsh, ku e kishin vlerësuar shumë kundërshtarin, jo vetëm për emrin dhe traditën, por edhe për kualitetet që bardheblutë kanë në gjirin e tyre. Ballshiotët e goditën 4 herë portën e Tiranës, teksa dy raste ishin flagrante, ato të Mustafa dhe Peraltës. Bylisi e nisi me pikë në shtëpi, ndërsa tashmë ballshiotët kanë filluar që nga dje të mendojnë për ndeshjen e radhës, pasi do të luajnë në një transfertë delikate.

Bylis

Takimin mallakastriotët e kanë në Vlorë më fundjavë, ndaj një skuadre që është riorganizuar nga e para dhe që rikthehet në elitë pas 5 sezonesh. Për këtë arsye trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij kanë nisur menjëherë nga puna, pasi do të kenë edhe një mungesë të sigurt: sulmuesin kryesor, Ibrahim Mustafa, i ndëshkuar me të kuqe ndaj Tiranës.

Josa tashmë duhet të gjejë zëvendësuesin e tij brenda grupit, ndonëse presidenti Besnik Kapllanaj është duke punuar për të sjellë të paktën edhe dy lojtarë të rinj. Një sulmues goli dhe një mbrojtës qendre ose mesfushor që të luajë para mbrojtjes. Nga sa u pa në sfidën me bardheblutë, skuadra dominoi në lojë dhe raste ndaj një prej ekipeve më në zë në vend, por shpërdoroi mundësitë që do t’i jepnin 3 pikët.

Bylisi dhe presidenca ballshiote janë në garë me kohën, pasi u duhet të bëjnë të paktën edhe dy afrime për të konsoliduar skuadrën, duke përforcuar grupin, por edhe rritur konkurrencën si në 11-shen bazë, ashtu edhe në stolin e rezervave për një sezon të gjatë dhe me pretendime. Merkato mbyllet në fundjavë dhe presidenca mallakastriote ka treguar shpesh se surprizon me goditje në minutat e fundit.

TESTI I BYLISIT B

Ekipi Bylisi B, ka nisur riorganizimin që prej fillimit të gushtit, çka tregon se edhe skuadra e dytë e mallakastriotëve do të ketë pretendime. Në Ballsh janë afruar shumë lojtarë të huaj, kryesisht afrikanë dhe nigerianë, të cilët do të kenë hapësira me këtë ekip dhe me U-19.

Ekipi që do të luajë në Kategorinë e Dytë, për herë të parë ka zhvilluar disa miqësore: është mundur në Lushnjë 3-1 dhe ka mposhtur Butrintin me të njëjtin rezultat. Pritet të zhvillojë testin e radhës, me shumë gjasa ndaj një skuadre tjetër të Kategorisë së Dytë, ndoshta nga grupi i Veriut me pretendime.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL