Bylisi i plotë dhe optimist, kapiteni Marku: Gati për sfidën vendimtare në Rrogozhinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2026 | 10:52

Bylisi i plotë dhe optimist, kapiteni Marku: Gati për sfidën vendimtare në Rrogozhinë

Bylisi mbylli përgatitjet dje pasdite dhe skuadra është grumbulluar për ndeshjen me Egnatian, të cilën e luan sot në orën 17:00. Mallakastriotët janë të plotë dhe skuadra do të kërkojë që të marrë rezultat pozitiv edhe pse do të përballet me një nga ekipet më solide të elitës.markuTrajneri Mirel Josa u ka dhënë dje porositë e fundit të tijve, ndërsa skuadra e stafi kanë analizuar kundërshtarin edhe nëpërmjet video-projektorit, në ndeshjet që ka zhvilluar se fundmi. Ballshiotët do te jenë me grup të plotë dhe optimizmi është në shkallën maksimale. Synimi është një rezultat pozitiv për të vijuar ecurinë, por dhe konsoliduar pozitat në tabelën e renditjes, duke lënë pas zonën e rrezikut. Në një prononcim që ka dhënë për “Panorama Sport” është kapiteni Aurel Marku që duket optimist dhe ka besim se skuadra mund t’ia dale edhe ndaj Egnatias.

“Pas eksperiencës me Shpresat jam fokusuar te ndeshja shumë e rëndësishme me Egnatian që e luajmë në transfertë. I vlerësojmë rrogozhinasit sepse kanë një ekip cilësor dhe me kualitetet. Por edhe ne kemi treguar se dimë që të jemi të fortë me më të fortët. Bylisi duhet që të tregojë veten edhe në ndeshjet jashtë fushe në këtë fazë delikate të garës. Kampionati po tregon garë të fortë dhe rivalitet, shpresoj që të vijojë kështu, sepse gara e rrit bukurinë dhe cilësinë e lojës, duke e bërë me të fortë edhe betejën e mbijetesës. Personalisht kam besim se sot do të hyjmë në fushë me seriozitet dhe angazhim maksimal për të marrë rezultat pozitiv. Pozitiv është fakti që jemi të plotë në këtë duel vendimtar. Të hyjmë në fushë me “këmbë në tokë, të vlerësojmë çdo aksion dhe të besojmë te forcat që ne kemi si grup, sepse kemi merituar më shumë këtë sezon për atë qe kemi demonstruar në fushën e lojës”, tha Marku.

DILEMA PARA EGNATIAS – Bylisi luan sot në Rrogozhinë dhe trajneri Mirel Josa edhe pse thuajse me grup të plot ka dilema. Për shkak të formës së disa lojtarëve titullarë te ballshiotët. Pritet që të shihet forma e Kamarasë, Përgjonit e Olavios, nëse do ta nisin sot që nga minuta e parë ose nga stoli. Gati është edhe Bruno, por edhe Koxhi një “armë” më shumë. Pra problem mbetet Kamara për shkak se ka mbetur për një kohë të gjatë, rrugës. Si rrjedhojë e dokumentacionit dhe afateve procedurale në shtete dhe aeroporte.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL