Bilanci i përballjeve, avantazh i qartë për Vllazninë ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2026 | 12:08

Bilanci i përballjeve, avantazh i qartë për Vllazninë ndaj Partizanit

Statistikat e përballjeve mes Vllaznisë dhe Partizanit në sezonin 2025-26 të Superiores shqiptare tregojnë qartë një epërsi të kuqebluve, në prag të duelit të katërt mes dy skuadrave.

Vllaznia-Partizani

Shifrat flasin në favor të shkodranëve, të cilët kanë ditur të imponohen në momentet kyçe dhe të marrin rezultate të rëndësishme ndaj një rivali direkt. Gjithçka nisi në fazën e parë, ku Vllaznia dhuroi një paraqitje spektakolare në “Loro Boriçi”, duke triumfuar me rezultatin e thellë 4-1. Protagonist absolut ishte Bekim Balaj, i cili realizoi dy herë, ndërsa në listën e golashënuesve u shtuan edhe Hakaj dhe Bismark.

Për Partizanin, goli i vetëm u shënua nga Isgandarli, në një ndeshje ku kuqeblutë dominuan thuajse në çdo aspekt. Në fazën e dytë, përballja në Tiranë rezultoi më e balancuar, me të dy ekipet që ndanë nga një pikë pas barazimit 1-1. Ishte një sfidë e luftuar fort në mesfushë, ku episodet vendosën fatin e takimit. Toma kaloi vendasit në avantazh, ndërsa Mala riktheu ekuilibrat, duke i dhënë Vllaznisë një rezultat pozitiv edhe në transfertë.

Edhe në fazën e tretë, Vllaznia konfirmoi superioritetin ndaj Partizanit, duke marrë një tjetër fitore, këtë herë minimale 1- 0. Vendimtar ishte Lirim Kastrati, i cili me golin e tij i dhuroi tri pikë të arta skuadrës shkodrane, në një sfidë të luftuar dhe me ritëm të lartë. Në total, bilanci i tre përballjeve të para flet qartë: dy fitore për Vllazninë dhe një barazim, me një golavarazh bindës në favor të kuqebluve.

Këto statistika jo vetëm që rrisin besimin në kampin shkodran, por edhe shtojnë presionin mbi Partizanin, që kërkon të përmbysë këtë trend negativ. Tashmë, në prag të përballjes së katërt sezonale, Vllaznia synon të ruajë këtë ecuri pozitive dhe të konfirmojë edhe një herë epërsinë ndaj rivalit. Një tjetër rezultat i mirë do të forconte jo vetëm pozitat në renditje, por edhe dominimin psikologjik ndaj Partizanit në këtë edicion të Superiores.

PANORAMASPORT.AL