Bardhi i bindur te Vora: Duam triumf në Vlorë, më të vlefshme janë pikët
Me seancën e djeshme skuadra vorake i ka dhënë fund përgatitjeve dhe pasdreke në ora 15:30 u nisën drejt qytetit bregdetar të Vlorës, për të kaluar një natë buzë detit e për të qenë të gatshëm sot, për ndeshjen e mbrëmjes që do të luhet në ora 19:00 në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës.

Kjo për vorakët do të jetë një sfidë sa delikate, po aq e vështirë në luftën për mbijetesë dhe të gjithë janë të preokupuar nga mbarëvajtja dhe rezultati i kësaj ndeshje. Skuadra e Vorës, nën fokusin e 27-vjeçarit kryeqytetas, Patrik Bardhi, e ndjen presionin, por sipas tij do ta kalojnë me sukses këtë provë të vështirë. Kjo do të jetë një sfidë jetike në fundin e tabelës, ku të dyja skuadrat e kanë të nevojshme marrjen e pikëve.
Skuadra do të qëndrojë e grumbulluar, në Vlorë. A tregon kjo rëndësinë, që Vora i ka kushtuar këtij takimi? Po sigurisht që është një ndeshje shumë e rëndësishme si për ne po ashtu edhe për kundërshtarin, sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, pasi ndodhemi në një pikë kritike e nuk ka kohë për gabime. Grumbullimet tona janë të zakonshme për çdo herë përpara ndeshjeve të radhës. Këto janë të rëndësishme sepse na japin qetësinë, rregullojnë regjimin para ndeshjes, por dhe profesionalizmin e vetë skuadrës, duke e bërë grupin më të përgjegjshëm si në ushqimin dhe atë të fjetjes. Skuadra para ndeshjes ka nevojë për qetësi dhe reflektim e këtë më mirë se sistemi grumbullimit nuk e bën askush.
A e konsideroni këtë ndeshje jetike, apo nuk jeni në atë presionin final? Sigurisht, që është një ndeshje jetike, por jo që skuadra të ndjejë atë presionin final, pasi edhe nëse nuk arrijmë fitoren, jemi ende në kohë për të riparuar. Në këto javë të mbetura, për ne nuk ka më momente qetësie, derisa të kalojmë këtë ngërç për mbijetesën. Ky është kampionati ynë i parë në superiore dhe ka treguar se sa e vështirë është mbijetesa për një skuadër debutuese. Ka rëndësi jetike, pasi ke të bësh me një rival direkt, që edhe mund të shkëputesh përfundimisht prej tij dhe mund të marrësh frymë më lirisht. Sigurisht që duke qenë e tillë ajo është edhe mjaft e vështirë.
Fusha e Vlorës, ka regjistruar rezultate pozitive, pasi keni fituar në fazën e parë, a mos ndoshta keni fatin sërish me vete? Fushat kundërshtare janë gjithmonë të vështira, por në superiore nuk ndjehet ai presionin siç e kishim dikur në kategorinë e parë. Vërtet kemi marrë një rezultat pozitiv këtu në Vlorë, por nuk është më ai Flamurtari i fazës së parë kur mundej kollaj. Ne do t’ia bëjmë “hyzmetin” deri në fund kësaj ndeshje e ndoshta fatin ta kemi në ndihmë, për tu rikthyer me një rezultat pozitiv. Ne do ta kërkojmë atë, ndoshta edhe për ta rrëmbyer, sido që të jetë, e bukur apo e shëmtuar, ku të rëndësishme janë vetëm pikët.
Çfarë mund të ndryshojë Bellai, nga ndeshja e javës së kaluar, kur fituat me Teutën? Nuk mendoj se do të ketë ndryshime të mëdha, pasi grupi është i kompletuar, përveçse paraqitjes së formës së çdo futbollisti, në pragun e ndeshjes mund të përbëjë shkak për ndonjë ndryshim.
Së fundi çfarë pritet të ndodhë nesër (sot) në Vlorë? Ne nuk kemi alternativë tjetër, ashtu si në çdo ndeshje kur futemi në lojë, vetëm për fitore dhe ky është problem kryesor për skuadrën tonë, para çdo kundërshtari. Ne, këtë moment dimë ta përballojmë në shumë aspekte të jashtme, për të kaluar këtë sfidë, duke shfrytëzuar dhe vëmë në punë edhe përvojën e profesionalizmin e lojtarëve tanë. E vetmja armë që na siguron dhe duhet të na udhëheqë, është qetësia, para, gjatë dhe deri në fund të ndeshjes. Unë shpresoj se jemi të gjithë së bashku, që do ta kalojmë me sukses edhe këtë provë, për të ecur përpara në objektivin e vetëm të mbetur, mbijetesa.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













