ANALIZA/ Shumë zhurmë për 3 pikët e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2026 | 22:03

ANALIZA/ Shumë zhurmë për 3 pikët e Vllaznisë

Fitorja ndaj Partizanit në 10 minutat e fundit të takimit me shifrat 0-2 ishte shumë e rëndësishme dhe jetike për shkodranët. Të cilët vijojnë kryesimin e kampionatit në një moment ku gara po ashpërsohet nga java në javë. Kështu në një ndeshje plot rivalitet dhe shumë të fortë siç ishte ajo ndaj të kuqve, Vllaznia nuk mori vetëm 3 pikët, por edhe diçka tjetër po aq të rëndësishme, shfaqi edhe karakterin dhe grintën e një skuadre të denjë për kampione.

Vllaznia

Me kuqeblutë që nuk u dorëzuan për asnjë çast, duke qenë të bindur në forcat e tyre. E duke marrë një sukses edhe në një ndeshje ku nuk ishin edhe aq brilantë. Por, në këto momente ku vlejnë më shumë pikët se sa loja, skuadra e Martinit e arriti me shumë meritë misionin e tyre. Por, para këtij dueli “ujërat” duket se ishin “trazuar” në Shkodër, ku një lajm i cili pretendonte se kishte pasur grushte mes Bismark dhe Bajramit një ditë para ndeshjes mori “dhenë” në mbarë vendin.

Një lajm ndoshta që mund të ndikonte edhe negativisht në humorin e skuadrës, që dukej se gëzonte një harmoni të jashtëzakonshme. Kjo u pa edhe tek festimi i golave, ku Bajrami edhe pse ishte parashikuar titullar, shkak i një dëmtimi para ndeshjes, qëndroi në stol. Por, me mbrojtësin kosovar i cili ishte i pari që “shpërtheu” në festë në golat e Dodajt. Apo edhe dedikimi që iu bë Kastratit tashmë të lënduar, tregojnë qartazi për një skuadër që gëzon një harmoni të shkëlqyer. Dhe ku marrëdhëniet njerëzore janë në plan të parë për të arritur te suksesi.

Edhe në daljen e tij për mediat pas ndeshjes me Partizanin, qoftë ato kombëtare apo edhe ato lokale të Shkodrës, Edi Martini sheshoi gjithçka. Duke thënë se ajo që kishte ndodhur në stërvitje është një skenë totalisht normale dhe që i ka ndodhur me qindra herë në karrierën e tij si futbollist apo edhe trajner. Me teknikun shkodran që kësaj radhe hyri në “spërkatë”, për të mbrojtur ekipin e tij dhe larguar totalisht presionin nga skuadra që tashmë sa vjen e shtohet nga ndeshja në ndeshje.

Pra, shumë zhurmë në shumë media para këtij dueli që ishte goxha përcaktues për Vllazninë. Zhurmë e “rrëmujë” që u konkretizuan me një fitore bindëse të kuqebluve brenda në kryeqytet. Duke treguar qartazi ambiciet që kanë 9 herë kampionët e vendit këtë edicion, që janë suksesi si në kampionat, por edhe në kupën e Shqipërisë. Me ekipin totalisht të përqendruar vetëm në fushën e lojës dhe jo në atë jashtë saj, ku edhe aty situata tashmë “nxehet” në fundin e edicionit.

PANORAMASPORT.AL