“Si ndryshoheshin këngët në diktaturë”- Të pathënat e jetës së Rik Bunecit, nga fëmijëria e deri në ditët e sotme! Artisti: Gjuha tironse në këngët popullore qytetare, drejt zhdukjes

Mar 8, 2024 | 13:57
SHPËRNDAJE

EVA IKONOMI/ Sa herë që kalon në rrugën “Myslym Shyri” dëgjohen tingujt e fizarmonikës dhe zëri i mrekullueshëm dhe i ëmbël i këngëtarit, Rik Buneci, që të bën menjëherë për vete. Edhe sot e kësaj dite ai vazhdon të këndojë me gjithë shpirt e me pasionin që nuk i është reshtur gjatë gjithë jetës. “Muzika më man gjallë! Më heq mërzitjen dhe çdo gjo të keqe. Pa atë nuk e di se si do ia bojsha!”, shprehet vetë ai.

reik buneci

Mbiemri Buneci shquhet si në arte, sporte dhe shkencë, por unë do të ndalem te këngëtari i njohur në mbarë Shqipërinë dhe kohët e fundit dhe nëpër botë, sidomos me albumin “Tirana-Tirona all-stars”, i cili ka marrë dhe çmimin në Britani, si albumi më i mirë me këngë popullore qytetare në Europë. Që në moshë fare të re, ndoqi mësimet e muzikës me profesorin, Met Lura. U dallua menjëherë zëri i veçantë, i plotë e i ëmbël.

Gjatë gjithë jetës së tij, ka përçuar gëzime në familjet shqiptare dhe vazhdon akoma të këndojë, megjithëse tashmë në moshë të vjetër. Por, ajo që e trishton këngëtarin dhe e shpreh herë pas here është shtrembërimi i fjalëve dhe gati zhdukja e këngëve origjinale, qytetare, tiranase. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama” me këngëtarin ai rrëfen jetën e tij me nostalgji, që e ka pushtuar kohët e fundit në lidhje me humbjen e origjinalitetit të këngëve aq të përzemërta për të, që siç thotë dhe vetë janë një “gjuhë e pastër tironse” dhe secila ka histori më vete.

Z. Buneci, kur i keni filluar mësimet e para të muzikës?

Knojsha që fëmi. Duke parë filmat me muzikë dhe duke pasur dajën fizarmoniçist, nji nga tezet e mia që kishte zonin e omël, çunin e xhajës këngëtar dhe fizarmoniçist, Sotir Buneci, i cili e mësoi fizarmonikën për të shoqëruar veten e tij. Kurse unë mësimet e muzikës i fillova në moshë të re, me profesorin Met Lura.

Kur e keni ndierë për herë të parë se ky do të ishte profesioni aq i dashur për ju, që do ta ushtronit për gjatë gjithë jetës suaj?

Kur mora mësimet e para me profesorin, ai pa tek unë zonin që e kisha të veçantë dhe kisha vesh muzike dhe kisha shumë talent. Më dha kurajo që të vazhdoja ta praktikoja e t’i dedikohesha vetëm muzikës.

rik buneci2

Çfarë ndjesie ju pushton kur këndoni?

Kur knoj kongën, e knoj me gjithë shpirt, se kshu knohet konga, në qoftë se do me e knu tamom. Më heq çdo mërzitje. Gjithë kohës rri t’u knu. Çdo njeri ka nji hobi, unë kam kte pasion.

Kemi dëgjuar, që në çdo moment të ditës e të natës ju kanë kërkuar për të kënduar në dasma e gëzime të tjera, keni qenë gjithmonë i gatshëm?

I gatshëm në çdo moment, me qindra raste. Më kanë marrë, sepse e donin kongën origjinal. Sa fillonin knonin kongën ato që kishin marrë për në dasmë, nuk e donin, sepse nuk e knojshin origjinal dhe vinin më merrnin mu, notën, në çdo orë. Dhe knojsha nëpër dasma deri në mjes, shumë herë dhe pa mikrofon.

Keni thënë që i dini këngët me fjalët përkatëse origjinale dhe keni dhe libra të vjetër e ju kanë mësuar dhe këngëtarë të asaj kohe. Po ju, a ju kanë ardhur t’ju kërkojnë këngët që t’i mësonin?

Vinin këngëtarë shumë dhe më kërkonin fjalët e kongëve dhe melodinë. Vinin me manjetofon dhe më inçizonin. Sepse dhe atyre ua kërkonin, sepse njerëzit nëpër dasma i donin kongët ashtu siç kanë qenë, jo të ndryshme.

Sa këngë dini gjithsej?

Me qindra kongë. Dhe sa herë që më kërkonin nonji kongë, direkt e knojsha. Më thonin kur jemi me ty, ne jemi rehat, sepse po të kërkojmë nonji kong ti i di të gjitha. Kur thoja “Hapni gojën, kërkoni çfarë t’doni?”, ata kënaqeshin sepse dhe e dinin që unë do ia knojsha çfarëdolloj konge të donin.

Kemi dëgjuar që këndoni dhe në gjuhë të huaj, në cilët gjuhë janë ato?

Italione, spanjolle, rumune, maqedonse, bullgare, ruse. Knojsha shpesh në atë kohë. Në Estradën e Tironës, kanë qenë këngtarë të vjetër që knojshin dhe unë i mësova kongët.

Cilat këngë të qyteteve të tjera të Shqipërisë pëlqeni më shumë të këndoni, përveç këngëve tiranase?

Kongët shkodrone më pëlqejnë shumë. Dhe Berati që nuk është përmen shumë, ka kongë shumë të bukura.

rik buneci3

Cilët këngëtarë të asaj kohe keni pas njohur dhe i pëlqenit?

Këngëtarë të vjetër tironas, Sulejman Çela, Afsa Zyberi, Fitnete Rexha, Ramazan Zyberi, Agim Hoxha, Xhavit Xhepa. Kanë qenë edhe shumë këngëtarë të tjerë, Safete Toska, Pavlina Nika, Anita Take. Mreti i tangos shqiptare Rudolf Stamolla.

Pas viteve ’45, jepeshin shumë kongë te “Radio Tirana”, dhe mbizotëronin kongët shkodrone. Jepeshin dhe kongë të huja, por më vonë regjimi komunist i hoqi, dhe ato kongë që ishin të huja i përkthejshin në shqip. Pranej dhe kanë qenë melodi që dukeshin të huja, sepse ishin marrë nga kongët e huja, vetëm se ishin përkthy dhe përshtat në shqip.

Nji kong, tango hungareze e përkther në shqip

“Mos harro kurrë atë që të do me zemër

 Shif veten tënde se dhe ti ke plot gabime

 Dhe trëndafilin që ti mban në dorën tënde

 Prej diellit të bukur do të lotojnë sytë e tu.”

Edhe konga e nigjume e salepçiut është melodi e marrme nga nji marsh gjermon.

Këtu po përmen tri strofa të ksaj konge:

“Mu te pusi te qoshja e Elezit

 Gotat tuj pastru

 Salepçiu në pikë të mjesit

 Mallin me reklamu.

 Në mjes herët pa dal drita

 nji burr simpatik

 po bërtet në mes Tironës

 ç’er ka n’ibrik.

Dalin plakat në penxhere

Plasja t’preft he dreq

Salepçiu prej inotit

Po bërtet mo keq.”

Keni interpretuar në festivale në televizione?

Kur u lirova nga ushtria, më merr këngëtari Xhaferr Ballushi, ishte kongtar që knote në kor dhe Fitnete Rexha, më thanë hajde në ansambël të knosh. Shkova dhe më thanë të knojsha kongën për Vojo Kushin. Kur e nigjoj ishte melodia e vjedhme nga konga për Gani Bej Toptanin. “Unë nuk shkel kujtimin e të parëve tonë”, u thashë. Dhe ika e nuk knova. Kam knu me qendrat e ndërmarrjeve, dhe nëpër t’gjithë Shqipninë, më kërkojshin nëpër ekskursione, nëpër ditëlindje e dasma. Jam tirons i nershëm dhe nuk knoj kongë që janë të nryshume, aq mo tepër nga regjimi komunist.

rik buneci

Keni qenë në koncerte jashtë Shqipërisë?

Në Rumani kam qenë për herë të parë në vitet ’90, masanej në Maqedoni, Bullgari dhe Kosovë, tashti vitet e funit.

Kemi dëgjuar që keni thënë plot herë që këngët qytetare tiranase e kanë humbur origjinalitetin dhe sa po vjen e po zhduken

Në çdo qytet kanë pas dhoma kulture, kurse në Tiranë nuk ka pas dhomë kulture. Edhe në fshatra ka pas, kurse ktu jo. Dhe si rrjedhim kongët tironse avash-avash po zhduken. Dhe i kanë shtremnu, i kanë deformu, i kanë tjetërsu komplet fjalët. Kanë hy rryma të tjera muzikore dhe nga brezat e rinj e i kanë shkatërru fjalët origjinale dhe melodinë e kanë tjetërsu. Kongët tironse të vjetra, të pastra, të bukura, kur i knojnë e prishin melodinë komplet. Fjalët i vejnë ndryshe, sepse edhe nuk e dinë origjinalin dhe kuptohet e knojnë ashtu siç i vjen për mar.

Mundet disa shembuj?

Ne themi: “Ti mi goc”, ne nuk e themi “moj”.

E kanë nryshu “Pastaj do vemi” “Masnej do ikim” e themi ne.

“Dashuria si rrufe më goditi në kokë”

Origjinali ësht “Dashunia si rrufe më ra mu n’kok”

Të gjitha kongët janë të deformume.

“Dashuria më gremisi”

Duhet: “Dashunia ç’më rrëklleu”.

“Të shikova”

Në kongët tironse është “Të pashë”.

“Tani vetëm mbeta”

Duhet: “Tashti vetëm meta”.

“Larg të dëgjova dhe në vend qëndrova”

Origjinali është: “Larg të nigjova dhe zonin ta njofta”.

“Eja” “Hajde”. “Mjaltë” “Mjoltë”. “Dritare” “Penxhere”.

M’penxhere kam dal për me bo sehir

Prit të them nji fjal’ mi goce

Nji fjal’ për t’mir’.

Si p.sh., edhe konga e Gani Bej Toptanit, që në vargun e parë është gabim:

“Leu dielli leu hona”

Të dy përiher lindin?!

Konga origjinal është:

“Leu dielli ç’u fal hona

po shkëlqejn gurët e kalasë

Gani Beg Toptani

ndan zeqatin fukarasë”

rik buneci1

Eshtë dhe nji strofë për Gjylen (nji goc) po te kjo kong, që përmen Gjylen në mjes kur çohet dhe fjala është “mafmur” dhe e kanë nryshu e kanë bo “përgjumur”. E shumë e shumë kong të tjera ka që janë nryshu fjalët, por dhe meloditë. Gjithsekush kno kongën e qytetit t’vet. Unë nuk i knoj kongët e jugut, se o gjuhë tjetër, nuk më shkon, nuk më përshtatet.

Ashtu edhe ata nuk duhet të knojnë e t’i tjetërsojnë fjalët e kongve tona tironse dhe të Shqipnis’ Mesme. Si pasojë ndryshon dhe ndjesia që përcjell konga. Se ka t’boj kjo gjo. Për menimin tim, ky ësht nji lloj “pushtimi”, që fillon që nga gjuha që ndryshon kongën, masnej edhe me traditat etj. Dhe kongët tironse avash-avash janë tu u zhduk. Se nuk ka kujdes për kulturën tironse edhe komplet të Shqipnis’ Mesme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura