Zjarr në Kalanë e Gjirokastrës

Jun 29, 2012 | 20:42
SHPËRNDAJE
Pamje nga Kalaja e Gjirokastres

GJIROKASTER- Një zjarr ka përfshirë kurorën e gjelbër të monumentit më të vizituar në Gjirokastër, kështjellës së qytetit. Zjarri ka rënë në orën 17:30 minuta dhe i favorizuar nga era, është përhapur me shpejtësi në të dy anët e kështjellës. Si vatër e zjarrit është  përcaktuar hyrja e tunelit që lidh pjesën muzeale të Pazarit Karakteristik, me lagjen “Manalat”.

Nga mënyra e shpërthimit të flakëve të zjarrit, gjykohet se ai është vendosur  qëllimisht nga kalimtarë që shfrytëzojnë këtë rrugë kalimi, pasi zjarri është vendosur  në të dy anët e tunelit. Kanë qenë punonjësit e PMNZSH dhe strukturat e Policisë Bashkiake ato që kanë ndërhyrë në mënyrë të rrufeshme duke vendosur nën kontroll përhapjen e mëtejshme të tij.

Falë këtij bashkëpunimi, është evituar përhapja e zjarrit brenda hapësirave të kështjellës, veçanërisht në sheshin ku është ekspozuar një avion amerikan i rrëzuar nga forcat partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore, si trofe i epokës së socializmit. Kurora e gjelbër e monumentit më të vizituar të qytetit, është dëmtuar  ndërkohë që vetë monumenti ka shpëtuar nga zjarri. Gjatë përpjekjeve për shuarjen e  zjarrit, një grup turistësh nga Izraeli, kanë qëndruar në pritje dhe vetëm pasi zjarri është vënë nën kontroll, vijuan vizitën në ambjentet e kalasë.

Në pjesën e pasme të kalasë, janë angazhuar qytetarë të lagjes “Manalat”. Kjo është hera e dytë brenda vitit, që bie zjarr në kalanë e Gjirokastrës pas atij të rënë në muajin shkurt, ku një zjarr aksidental dogji një pjesë të brendshme të zonës.

Piro Nase

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura