Zija Çela: “Princi i buzëqeshur” është im bir

Mar 26, 2016 | 15:55
SHPËRNDAJE

“Kemi harruar të qeshim”, thotë Zija Çela, ndërsa një lot duket sikur e përcjell në fyt. Historia e letërsisë botërore njeh disa princër të famshëm, është ai i Wilde, i Saint-Exupéry dhe Twain, por Çela na sjell një të katërt, të buzëqeshur.

Zija Çela, Bardhyl Londo dhe botuesja Irena Toçi në promovimin e librit
Zija Çela, Bardhyl Londo dhe botuesja Irena Toçi në promovimin e librit

Është një princ pa kurorë, por që ofron veç dashuri me mesazhe telefonike, dhe që në fund ua thyen zemrën me vdekjen e tij të parakohshme. Është ai, Tani, djali i zemrës së tij, ndarja nga jeta e të cilit është një shenjë që do ta ndjekë shkrimtarin sa të ketë jetë. “Princi i buzëqeshur”, kështu titullohet përmbledhja me 33 tregime e Zija Çelës, një botim i shtëpisë botuese “Toena”, i promovuar dje në 70-vjetorin e shkrimtarit.

Poeti Bardhyl Londo, mik i hershëm i tij, do ta quante “Shën Zijai”, këtë shkrimtar që erdhi ndryshe në letërsinë shqipe, që dalloi menjëherë për nga mënyra se si përdorte gjuhën. “Edhe pse ka lindur dhe rritur në Shkodër, ai ka një gjuhë që përmbledh gjithë Shqipërinë. Me talentin e tij ai e kuptoi se gjuha është arma e shkrimtarit, është atdheu i tij. Dhe ai di ta përdorë në mënyrë të veçantë, duke cituar një titull të tij: di ta përdorë me lejen e Zotit”, tha Londo.

Për studiuesin Behar Gjoka, proza e Çelës rri në krah të asaj të Koliqit e Kutelit dhe vlen të tërheqë vëmendjen e studimeve letrare. “Princi i buzëqeshur” i Çelës u drejtohet kryesisht të rinjve, por siç do të thoshte Londo mund ta lexojnë të gjithë nga 5 deri në 200 vjeç.

“Ky libër të bën vetvetiu që të kujtohesh në rrugën nga ke ardhur, për fëmininë tënde. Në një pasthënie të një libri tim kam thënë se: unë kam lindur në Shkodër, në një shtëpi me shumë fëmijë, me pak bukë dhe pa libra. Njëherë kur u sëmura, i kërkova nënës që të dilte në mëhallë për të më gjetur një libër. Kur u kthye më solli dy libra; njëri prej tyre ishte “Princi i lumtur” i Oscar Wilde. E nuk e di se si në moshën 70 vjeç ishte taksur që unë të shkruaja një libër për Princin. Ka libra të famshëm për Princin, prandaj kur vjen një libër tjetër për të, ai libër duhet të vijë ndryshe”, thotë Çela.

princi i celesE nuk kishte se si të mos ishte ndryshe, përderisa mban shenjën e të birit. “Tani është Princi i Buzëqeshjes, nën shenjën e tij e kam shkruar tregimin, sepse kam marrë një fragment që e kam bërë si tregim. Tani është Jari Kaçinari i romanit “Sos një buzëqeshje””, zbulon ai.

Shkrimtari tregon se tregimet e librit janë shkruar në periudha të ndryshme, 15 në vitin 1997, nga të cilët u përfshinë 14 dhe të tjerat u shkruan në vitin 2014. “Kam pasur një shtysë nga vetë jeta. Njëherë një vajzë e vogël më tha: Xhaxhi unë e di se si e quajnë vajzën e Tanit, e tim biri të ndjerë. Si e quajnë-, i thashë? E quajnë Liviamë tha. Më tha se e dinte, sepse e kishte të ëmën mësuese. Kur lexonte librin tim “Dashuri që shkruhet pas vdekjes”, ajo m’i lexonte me zë pjesët. Në atë çast pashë xhamat e syzeve të saj, sikur plasën. Ajo kishte lotuar. E pyeta se si e quajnë. Më tha se quhej Viola. Më mbeti këtu si një bërthamë rrufeje, edhe nuk po rrija dot derisa të shkarkohesha. E bëra bashkë Violën dhe Livian. Prandaj ndonjëherë s’mund të humbash as lotët e njerëzve”.

ALMA MILE 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura