Zija Çela dekorohet “Nderi i Kombit”

Apr 7, 2016 | 13:37
SHPËRNDAJE

Nuk është dhimbja, por modestia që e karakterizon më së tepërmi shkrimtarin Zija Çela. Dhe janë ca situata, që bashkë me gëzimin e vlerësimit, e vënë në një lloj “sëkëlldie”, sepse i duket sikur nuk i meriton të gjitha, sikur nuk do të mund t’i shlyente dot, sepse përkundër gjithçkaje që mund të thuhet për të, është ai skifteri brenda tij.

Presidenti Nishani duke i dhënë dekoratën Zija Çelës, “Nderi i Kombit”
Presidenti Nishani duke i dhënë dekoratën Zija Çelës, “Nderi i Kombit”

Kështu e quan ai, skifter, atë veten e dytë, me të cilën lufton vazhdimisht. Shumë pranë ditës së 70-vjetorit dhe promovimit të tij më të fundit, Zija Çela do të përjetonte dje gëzimin dhe “sikletin” e radhës.

Në prezencën e akademikëve, profesorëve, botuesve, artistëve, shkrimtarëve, kritikëve të artit, miqve, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e vlerësoi në një ceremonie solemne me Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në vlerësim të figurës së tij të shquar si përfaqësues i denjë dhe i veçantë i letrave bashkëkohore shqipe, si dhe të kontributit të spikatur e të rrallë si eseist dhe publicist”.

“Jemi mbledhur sot në Institucionin e Presidentit të Republikës për të vlerësuar së bashku punën e një shkrimtari, redaktori, prozatori e personaliteti, një njeriu unik në letërsinë moderne shqiptare, i cili me mendjen e pendën e tij, krijon një botë sa për veten, aq edhe për çdo lexues që prek krijimtarinë e të nderuarit Zija Çela. Ne presim prej tij akoma vepra po aq të arrira, si ato që ka realizuar deri tani, të cilat do të jenë burim frymëzimi i brezave të rinj dhe arkiv i denjë i fondit më të lartë shqiptar në Bibliotekën tonë Kombëtare”, u shpreh Presidenti i Republikës, i cili do të vlerësonte pasionin për letërsinë dhe jetën, shpirtin e madh dhe të dhembshur të shkrimtarit Zija Çela.

“Një individ që ka një pasion në jetë, si ajo e zotit Çela ndaj botës së shkrimit, e kultivon atë, duke prodhuar çdo herë vepra me vlerë letrare, duke shtyrë imagjinatën dhe duke bërë që lexuesi të futet në një botë larg realitetit, por edhe afër asaj. Shpirti i madh dhe i dhembshur i shkrimtarit Zija Çela përbën një rast unik në letrat shqipe. Ai shfaqet jo si prozatori më i rëndësishëm pas Kadaresë, siç janë shprehur plot dashamirës të autorit, por si një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm. Ky vizion i tij ndaj realitetit të sotëm shqiptar si dhe përtej tij, duke kapërcyer kohë, me mënyrën e tij origjinale të ekspresionit narrativ, perceptimi dhe filozofia origjinale mbi gjithësinë, fryma gjithherë e pranishme e dashurisë përballë urrejtjes, e jetës përballë vdekjes, janë këto cilësi që e bëjnë atë shkrimtar të dashur për lexuesit shqiptarë”, theksoi Presidenti Nishani.

Zija Çela është një nga prozatorët më të rëndësishëm në letërsinë shqipe dhe po ashtu një nga prodhimtarët. Çela ka ditur që edhe dhimbjen e madhe të jetës së tij ta kthejë në art, duke bërë për vete një lexues të gjerë, që ndien bashkë me të dhimbjen dhe forcën për të ecur përpara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura