Zidan: Vuajtëm por e meritonim ne, Ronaldo s’i gabon penalltitë

Apr 12, 2018 | 9:59
SHPËRNDAJE

Trajneri i Realit, Zinedin Zidan, ishte shumë i kënaqur me kualifikimin për në gjysmëfinale edhe pse skuadra e tij humbi 1-3 ndaj Juventusit në shtëpi, në një ndeshje dramatike, ku Kristiano Ronaldo shënoi në minutën e 97-të me një penallti shumë të kontestuar.

Zidan

Trajneri francez nuk kurseu kritikat ndaj skuadrës së tij që kishte fituar në Torino një javë më parë me rezultatin 0-3. Mendohej të ishte e lehtë për “Galaktikët”, që nuk parashikuan një Juventus aq të fortë, edhe pse Roma i kishte paralajmëruar ekipet me eliminimin spektakolar që i bëri Barcelonës vetëm një ditë më parë.

“Jam i kënaqur me atë që kemi bërë në 180 minuta lojë. Duke llogaritur të dyja ndeshjet ndaj Juventusit, mendoj që e kemi merituar kualifikimin. Do të kishte qenë shumë vështirë po mos të kishim shënuar në ndeshjen e sotme (djeshme), pasi kishim shumë raste për gol, por kështu e ka futbolli. Në Torino zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, duke fituar 0-3 dhe këtu ndodhi e kundërta. Bëmë shumë gabime dhe për rrjedhojë vuajtëm. Juventusi ishte vendosur mirë taktikisht, prandaj u detyruam të bënim disa ndryshime në përfundim të pjesës së parë.

Nuk është se Bejl dhe Kasemiro ishin dobët, por Asensio dhe Lukas ishin më efektivë dhe do të na mundësonin të luanim më thellë në zonën e tyre”. Zizu komentoi dhe episodin më të diskutueshëm të ndeshjes, 11-metërshin e Vazkesit, momenti që ndryshoi fatet e takimit për skuadrën madrilene. “Mua më thanë që ishte penallti dhe realisht që e tillë ishte.

Kristiano, këto goditje, nuk i gabon kurrë dhe jemi të lumtur për kualifikimin”, përfundoi trajneri i Realit. Madrilenët do të presin shortin e ditës së nesërme (ora 12:00) për të mësuar kundërshtarin e radhës në gjysmëfinale. Skuadra e drejtuar nga Zidan do të kërkojë të fitojë Champions-in e tretë radhazi, si kampione dhe rekordmene në fuqi të këtij kompeticioni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura