Zhvillime të rëndësishme në Gjykatën Europiane të Drejtësisë

Jan 24, 2023 | 7:53
SHPËRNDAJE

xhezair-zaganjori

XHEZAIR ZAGANJORI

Rreth një muaj më parë (dhjetor 2022), Gjykata  Europiane e Drejtësisë (GJEDR) iu drejtua me kërkesë të veçantë organeve ligjvënëse të Bashkimit Europian, pra Këshillit dhe Parlamentit Europian, përmes së cilës argumenton se ato duhet të ndërmarrin menjëherë nismat e duhura për të bërë sa më parë ndryshimet e nevojshme në Statutin e saj (të Gjykatës Europiane të Drejtësisë), për t’i krijuar kështu realisht mundësinë Gjykatës së Përgjithshme për të dhënë edhe ajo Vendime Paragjykimore në fusha të caktuara të së drejtës së BE-së. Ky hap konsiderohet me të drejtë si një zhvillim shumë i rëndësishëm në sistemin gjyqësor të BE-së, pasi sigurisht që përmes këtij ndryshimi do të marrin përgjigje më të shpejta gjykatat kombëtare të Shteteve Anëtare mbi kërkesat e tyre për Vendime Paragjykimore, do të ulet ndjeshëm backlogu i GJEDR, si dhe do të rritet efikasiteti i vendimeve të saj. Nuk duhet harruar se aktualisht, Vendimet Paragjykimore të Gjykatës Europiane të Drejtësisë zënë rregullisht mbi 70% të volumit të punës vjetore të saj, dhe se pritja për trajtimin e dhënien e një Vendimi Paragjykimor shkon mesatarisht në 17– 18 muaj. Nga ana tjetër, duhet theksuar se pikërisht përmes këtyre vendimeve që iniciohen nga mijëra e mijëra gjykata të të gjitha niveleve që operojnë në Shtetet Anëtare, bëhet interpretimi përfundimtar i Traktateve të BE-së dhe i akteve të institucioneve dhe mekanizmave të shumtë të saj, si dhe kontrollohet vlefshmëria e këtyre akteve. Kjo do të thotë se Vendimet Paragjykimore luajnë kështu një rol të jashtëzakonshëm për ruajtjen e unitetit e konsistencës së jurisprudencës, unifikimin e praktikës gjyqësore si dhe zhvillimin progresiv të së drejtës së Bashkimit Europian për arritjen e objektivave themelore të përcaktuara në Traktate. Le ta sqarojmë shkurtimisht disi më gjerë propozimin e bërë për këto ndryshime.

Gjykata e Drejtësisë së BE-së është padyshim një nga shtatë institucionet më të rëndësishme të Bashkimit Europian. Me të drejtë ajo konsiderohet shpesh si Margaritari në Kurorën e kësaj organizate shumë të rëndësishme ndërkombëtare, apo si Aeropagu i Europës Moderne, pasi që nga krijimi i saj në vitin 1952 e deri në ditët e sotme, ka arritur të kontribuojë thelbësisht në krijimin e një rendi të ri ligjor brenda hapësirës që aktualisht përfshin territoret e 27 shteteve anëtare, me një popullsi prej më shumë se 500 milionë banorë. Ky kontribut i dhënë në vazhdimësi përmes jurisprudencës së saj të pasur, vitet e fundit ka pasur në fokus jo vetëm çështjet e tregut, si një hapësirë pa kufij të brendshëm, brenda të cilit duhet të garantohet sa më efektivisht lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitaleve, por edhe çështje të garantimit të dimensionit të vlerave të Bashkimit Europian, që janë respektimi i dinjitetit të njeriut, lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtat e njeriut, të përmendura shprehimisht në Nenin 2 të Traktatit të Bashkimit Europian.

Në fakt, sipas Nenit 19 të Traktatit të Bashkimit Europian, Gjykata e Drejtësisë së BE-së përbëhet nga a) Gjykata e Drejtësisë, që qëndron në majë të piramidës së sistemit gjyqësor; b) Gjykata e Përgjithshme, që është termi i ri i përdorur nga Traktati i Lisbonës i vitit 2009 për ish Gjykatën e Shkallës së Parë të BE-së, krijuar në vitin 1988 përmes Aktit Unik Europian, me qëllim që të “përmirësojë mbrojtjen e interesave individuale, veçanërisht në çështjet që kërkojnë shqyrtim të hollësishëm të fakteve komplekse, si dhe për ti krijuar mundësinë Gjykatës Europiane të Drejtësisë të përqendrohet në detyrën themelore të saj, që është dhënia e Vendimeve Paragjykimore…”; si dhe c) Gjykatat e Specializuara, që deri tani ka qenë vetëm Tribunali i Shërbimit Civil, i krijuar në vitin 2004. Në vitin 2016, ky Tribunal është shkrirë, duke i kaluar juridiksionin dhe kompetencat e tij në Gjykatën e Përgjithshme. Në të ardhmen mund të krijohen Gjykata apo Tribunale të tjera të specializuara brenda sistemit gjyqësor të BE-së, por momentalisht tashmë nuk ka asnjë të tillë.

Paditë që mund të ngrihen brenda sistemit gjyqësor të BE-së kanë natyrë të ndryshme. Mes tyre mund të përmënden: Vendimet Paragjykimore; Paditë për Mospërmbushje të Detyrimeve të Traktateve; Paditë për Kontrollin e Ligjshmërisë së Akteve; Paditë për Mosveprim; Paditë për Shpërblim Dëmi; Kërkesat individuale me natyrë administrative të rreth 70 mijë punonjësve të BE-së apo familjarëve të tyre; e të tjerë.

Ritheksojmë se Vendimet Paragjykimore, të futura në sistemin gjyqësor të BE-së që në vitet e para të krijimit të GJEDR, janë më të rëndësishmet. Ideja e mundësimit të tyre u frymëzua në atë kohë nga sistemi italian i Kontrollit Incidental. Ishte pikërisht gjyqtari i shquar italian, Nikola Katalano, që insistoi në grupin e punës për adoptimin e këtij sistemi. Më vonë ai do të bëhej edhe gjyqtar në GJEDR. Pavarësisht gjykatës referuese, në trajtimin e këtyre çështjeve ftohen për të marrë pjesë sipas dëshirës në këtë gjykim të gjitha Shtetet Anëtare. Veçanërisht shtetet e mëdha e shfrytëzojnë këtë mundësi për të qenë sa më aktivë, si në fazën me shkrim, ashtu edhe në seancën plenare që zhvillohet në Gjykate. Duke pasur parasysh pikërisht këtë ndjeshmëri të madhe dhe impaktin e jashtëzakonshëm të Vendimeve Paragjykimore për BE-në dhe Shtetet Anëtare, kompetenca e trajtimit të tyre gjer tani ka qenë ekskluzive vetëm për GJEDR.

Në fakt, në këndvështrimin formal, e drejta e dhënies së Vendimeve Paragjykimore nga Gjykata e Shkallës së Parë (nga viti 2009 quhet Gjykata e Përgjithshme) është njohur parimisht rreth 20 vjet më parë. Me Traktatin e Nicës të vitit 2001 u fut edhe një ndryshim në Nenin 256/3 (ish Neni 225) të Traktatit mbi Funksionimin e BE -së (TFBE) ku thuhet ndër të tjera se edhe kjo Gjykatë ka të drejtë të japë “ …Vendim Paragjykimor në fusha të caktuara që përcakton Statuti…”. Ky ndryshim imponohej edhe për shkak të rritjes së ngarkesës së GJEDR nga hyrja në fuqi më 1999 e Traktatit të Amsterdamit, përmes të cilit thuajse e gjithë problematika e kolonës së tretë lidhur me bashkëpunimin ndërqeveritar për Çështjet e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, kalonin në kolonën e parë, duke u bërë çështje tërësisht të brendshme të BE-së. Po kështu, po në këtë periudhë, fillonte edhe faza e tretë dhe e fundit e Bashkimit Ekonomik e Monetar, që do të kurorëzohej edhe me qarkullimin e rregullt fizik të Monedhës së BE, Euro, nga 1 janari i vitit 2002. Megjithatë, pavarësisht këtyre masave ligjore, nuk u bënë ndryshimet e nevojshme në Statut, për ta lejuar edhe Gjykatën e Përgjithshme të jepte Vendime Paragjykimore. Sidoqoftë, në atë kohe asaj i kaluan për kompetencë Paditë për Anulim dhe Paditë për Mosveprim, të cilat trajtoheshin më parë nga GJEDR. Nga ana tjetër, në vijim, vëmendja u përqendrua në krijimin e Tribunalit të Shërbimit Civil, gjë që e realizua në vitin 2004. Për shkak të rritjes në tërësi të kompleksitetit, ndjeshmërisë dhe numrit të çështjeve në Gjykatë, si rezultat edhe i zgjerimit të dukshëm të BE-së me 13 anëtarë të rinj (dhjetë në 2004, dy në 2007 dhe një në 2013), në vitin 2015 filloi zbatimi i një reforme të thellë gjyqësore, me fokus kryesor zbatimin e procedurave më të thjeshta e më strikte në dhënien e Vendimeve Paragjykimore në GJEDR, si dhe rritjen e numrit të gjyqtarëve të Gjykatës së Përgjithshme dhe krijimin e dhomave të specializuara të gjykimit në këtë Gjykatë. Masat e zbatuara në kuadër të kësaj reforme kanë bërë të mundur ndërkaq që nga korriku i vitit që kaloi (2022), Gjykata e Përgjithshme të ketë 54 gjyqtare, pra jo më nga një por nga dy gjyqtarë për çdo Shtet Anëtar, gjë që i ka krijuar gjithashtu mundësinë të realizojë objektiva të tjerë të rëndësishëm, si: riorganizimi i brendshëm; ndryshimi i metodës së punës; dhe specializimi i mëtejshëm i dhomave të saj të gjykimit.

Të gjitha këto masa apo arritje kanë bërë të mundur që tashmë të bëhen ndryshimet përkatëse në Statutin e Gjykatës së Drejtësisë, quajtur ndryshe edhe Protokolli 3 i BE-së, në mënyrë që Gjykatës së Përgjithshme t’i jepet realisht kompetenca e dhënies së Vendimeve Paragjykimore. Dhe ndryshimi kryesor është përcaktimi i fushave specifike, në të cilat do të ushtrohet kjo kompetencë nga ana e kësaj Gjykate. Në kërkesën e dërguar për këtë qëllim nga GJEDR në Këshillin dhe Parlamenti Europian vihet qartësisht në dukje se juridiksioni dhe kompetenca e Gjykatës së Përgjithshme për dhënien e Vendimeve Paragjykimore duhet të jetë në fusha qartësisht të identifikueshme dhe me jurisprudencë të mjaftueshme të GjEDr, të aftë për ta orientuar atë (Gjykatën e Përgjithshme) në vendimmarrje, duke mos rrezikuar kështu unitetin dhe konsistencën e jurisprudencës së mëparshme. Nga ana tjetër, theksohet se edhe numri i çështjeve që mund të paraqiten për Vendim Paragjykimor brenda një fushe të caktuar, duhet të jetë i mjaftueshëm, në mënyrë që impakti që do të ketë ky angazhim i ri në uljen e ngarkesës dhe shpejtësinë e gjykimit, të jetë i konsiderueshëm. Mbi këtë bazë, duke pasur parasysh edhe jurisprudencën e GJEDR të pesë viteve të fundit (2017–2022), i propozohet dy organeve ligjvënëse që përmes ndryshimeve në Statut të përcaktohen sa më parë si fusha specifike të angazhimit të Gjykatës së Përgjithshme në dhënien e Vendimeve Paragjykimore, si më poshtë:

1) Çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e Taksës mbi Vlerën e Shtuar, quajtur ndryshe edhe VAT apo TVSh.

2) Çështjet lidhur me Taksën e Akcizës

3) Çështjet mbi Kodin Doganor

4) Çështjet lidhur me Klasifikimin e Tarifave të Mallrave

5) Çështjet lidhur me Ndihmën dhe Kompensimin e Pasagjerëve (kryesisht për anulimet dhe vonesat e fluturimeve ajrore)

6) Çështjet lidhur me kontrollin dhe zbatimin në Tregun e Brendshëm të masave të avancuara të BE-së mbi Kufizimin apo Zvogëlimin e Efektit Serë (gazit karbonik).

Në gjashtë fushat e mësipërme, gjer tani, në pesë vitet e fundit, numri më i madh i kërkesave për Vendim Paragjykimor ka qenë për cështje rreth Taksës mbi Vlerën e Shtuar (50 – 53 kërkesa në vit), si dhe për Kompensimin dhe Ndihmën e Pasagjerëve (deri në 60 – 65 kërkesa në vit). Për katër fushat e tjera, numri i kërkesave ka qenë më i vogël, por i mjaftueshëm me jurisprudencë dhe me akte dytësore të BE-së, gjë që bën që edhe ato të trajtohen në të ardhmen nga GJP si çështje më vete. Nga ana tjetër, në të gjashtë fushat e përmendura, tepër rrallë është shtruar nevoja e gjykimit të tyre në Dhomën e Madhe të GJEDR, për shkak të pranisë në to të një çështjeje me rëndësi parimore që ka të bëjë me unitetin dhe konsistencën e jurisprudencës. Kjo ka ndodhur praktikisht vetëm në tri raste gjatë gjithë periudhës 2017– 2022, në një kohë që numri total i Vendimeve Paragjykimore në këtë hapësirë kohore në të gjashtë fushat e mësipërme është rreth 700.

Në kërkesë sqarohen gjithashtu për ligjvënësin edhe mjaft elementë të rëndësishëm me natyrë procedurale. Kështu, për shembull, vihet në dukje se për të shmangur pasigurinë që mund të vijë nga kompleksiteti i çështjes, përvoja e paktë e gjykatës referuese apo përfshirja e shumë fushave të së drejtës së BE-së, gjykatat kombëtare duhet ta paraqesin kërkesën për Vendim Paragjykimor gjithnjë, pra në çdo rast, në GJEDR. Kjo duhet të bëhet edhe në funksion të parimit të sigurisë juridike dhe të trajtimit të shpejtë të çështjes konkrete. Prandaj parashikohet që vetë GJEDR të bëjë verifikimet e nevojshme brenda një afati të caktuar kohor, e mbi këtë bazë e përcjellë ose jo kërkesën e bërë në Gjykatën e Përgjithshme. Duhet pasur parasysh me këtë rast se në realizimin e kësaj detyre, GJEDR nuk duhet dhe nuk mund të marrë në konsideratë oportunitetin, rëndësinë apo interesin e çështjes, por thjesht zbatimin e kuadrit ligjor mbi ndarjen e qartë të kompetencës për dhënien e Vendimeve Paragjykimore mes saj (GJEDR) dhe Gjykatës së Përgjithshme. Kështu, nëse në një kërkesë përfshihen fusha që i përkasin të dy gjykatave, atëherë çështjen e mban GJEDR. Por nëse pavarësisht numrit të fushave, praktikisht të gjitha bien brenda kompetencës që do t’i jepet Gjykatës së Përgjithshme, çështja padyshim që do të gjykohet nga kjo e fundit. Por sigurisht që nga ana tjetër, nëse çështja ka të bëjë me dhënien e një vendimi në parim, përmes të cilit shtrohet problemi i unitetit të së drejtës së BE-së, atëherë ajo mbahet për gjykim nga vetë GJEDR.

Parashikohet gjithashtu që pasi çështja të kalojë në Gjykatën e Përgjithshme, bëhet menjëherë kalimi i saj në dhomën respektive të gjykimit, të specializuar në fushën përkatëse. Më pas, ashtu siç veprohet në gjykimet e GJEDR, edhe në dhënien e Vendimeve Paragjykimore nga Gjykata e Përgjithshme parashikohet të marrë pjesë sipas nevojës edhe një Avokat i Përgjithshëm, i cili studion çështjen, është aktiv në gjykim dhe paraqet mendimin e tij të kualifikuar për zgjidhjen e saj. Sigurisht që një gjë e tillë ka natyrë rekomanduese për trupin gjykues. Është për t’u vënë në dukje së fundi gjithashtu që në raste të veçanta, edhe Gjykatës së Përgjithshme mund t’i njihet proceduralisht e drejta të trajtojë një kërkesë të caktuar për Vendim Paragjykimor, në një Dhomë të Madhe gjykimi.

Këto janë disa nga risitë kryesore në sistemin gjyqësor të BE-së, që priten të bëhen realitet pas miratimit nga Këshilli dhe Parlamenti Europian, të ndryshimeve të propozuara në Statutin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë. Ato janë shumë të domosdoshme e tepër të rëndësishme. Pikërisht për këto arsye besohet se dy organet ligjvënëse të Bashkimit Europian do të reagojnë pa vonesë. Prandaj, është detyrë e gjykatave kombëtare të Shteteve Anëtare dhe të atyre që aspirojnë t’i bashkëngjiten Bashkimit Europian që të njihen sa më mirë me këto ndryshime, në mënyrë që të ushtrojnë efektivisht të drejtat dhe detyrimet që kanë për shkak të funksionit që kryejnë. Sepse realisht ato janë pjesë e pandarë e rendit ligjor të Bashkmit Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura