Zhegrova merr OK-in nga Masimiliano Alegri dhe nga… Tiago Mota

Apr 22, 2024 | 23:23
SHPËRNDAJE

Juventusi ka nisur që të piketojë objektivat e vërtetë për merkaton e verës, por e veçanta është se të paktën sipas burimeve të “calciomercato.com”, ato po vlerësohen jo vetëm nga trajneri aktual, Masimiliano Alegri, por edhe nga zëvendësi i tij i mundshëm, që duket se do të jetë Tiago Mota (te Bolonja). Nëse veton për objektivin e parë Teun Kopmainers e ka vënë drejtori sportiv, Kristiano Xhuntoli, i dyti duket ai i anësorit ofensiv kosovar, Edon Zhegrova.

 

ZHEGROVA

Te Juventusi nuk janë më aspak të kënaqur nga puna e Filip Kostiç dhe Samuel Iling, që të dy me valixhe në dorë në fund të këtij sezoni, kështu që me shitjen e tyre do të synohet seriozisht blerja e Zhegrovës. Edoni, aktualisht pjesë e francezëve të Lilë, numëron 28 prezenca në Ligën 1 dhe 5 gola të shënuar, ndonëse asistet janë pika e tij e fortë, 10 të tillë. Dhe një lojtar që di të luajë vertikalisht dhe është shumë i shpejtë në krah, është një profil ideal për skemën 4-3-3 mbi të cilën do të rilindë Juventusi nga sezoni i ardhshëm, me Alegrin, apo Tiago Motën, duke qenë se edhe ky është një urdhër i dhënë nga drejtori sportiv, Kristiano Xhuntoli.

“Zonja e Vjetër” duhet të rikthehet, ose të paktën të mësojë që të jetë më ofensive, pasi kjo është ajo çfarë kërkohet që të synosh një titull kampion, apo akoma më shumë në Champions. Prandaj, me Zhegrovën që luan si në të majtë ashtu sikurse në të djathtë, si sulmues i dytë apo edhe si mesfushor, Juventusi do të kishte dy opsione, por mbi të gjitha shpresohet që ai, Kenan Jildiz apo edhe Federiko Kieza (ky i fundit gjithmonë nëse qëndron), të jenë furnizuesit e rëndësishëm me topa për “pykën” Dushan Vlahoviç. Edon Zhegrova vlerësohet 15 milionë euro, dyfishi i asaj çfarë pagoi Lilë për ta sjellë nga Bazeli në janarin e vitit 2022.

PANORAMSPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura