Zhdukja e 2 emigrantëve, dyshime për hakmarrje e konflikte në Belgjikë

Sep 10, 2018 | 15:59
SHPËRNDAJE

Pas denoncimit të babait të njërit prej emigrantëve të zhdukur në Vlorë, Policia e këtij qarku bën të ditur se ka intensifikuar punën për gjetjen e tyre. Dy muaj pas zhdukjes pa asnjë gjurmë të 34-vjeçarit Albano Xhaferri dhe mikut të tij, Ervis Troqe, blutë kanë nxjerrë një njoftim vetëm ditën e djeshme në lidhje me denoncimin e familjarëve të tyre.

Albano Xhaferri

“Më datë 04.07.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për ‘Largimin nga banesa’ të shtetasit, A.Xh., ku, sipas kallëzimit që ka bërë bashkëshortja e tij, ky shtetas është larguar nga banesa në datën 18.06.2018.

Më datë 18.07.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për ‘Largim nga banesa’ të shtetasit E.T, ku, sipas kallëzimit të babait të tij, ky shtetas është larguar nga banesa më datë 17.07.2018. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë po punon intensivisht për gjetjen e tyre”, thuhej në njoftimin e dhënë dje nga Policia e Vlorës.

HETIMI

Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se nga tërësia e veprimeve të kryera deri më tani, rezulton se dy të rinjtë nuk kanë precedentë në vendin tonë. Ata, prej disa kohësh, jetonin në Belgjikë si emigrantë. Blutë nuk kanë ende informacion se ku punonin Xhaferri dhe Troqe në shtetin belg. Për këtë shkak po hetohet aktiviteti i tyre atje, pasi ka dyshime se edhe zhdukja e tyre të ketë lidhje me këtë.

Burime nga Policia bënë të ditur se nuk përjashtohet dyshimi se të rinjtë të jenë implikuar në ndonjë veprimtari të jashtëligjshme në Belgjikë dhe se kjo është bërë shkak i konflikteve e hakmarrjeve me persona të tjerë.

Gjithsesi, kjo mbetet ende në kuadër dyshimi, pasi, sipas të dhënave, ende nuk ka asnjë provë konkrete që ta çojnë hetimin drejt kësaj piste. Familjarët e të dy të zhdukurve i kanë pohuar Policisë në momentin e denoncimit, se nuk kishin dijeni që djemtë e tyre të kishin konflikte me persona të tjerë.

ZHDUKJA

Sipas edhe të dhënave që jep Policia, Albano Xheferri rezulton i zhdukur që prej datës 18 qershor të këtij viti. Rreth një muaj më pas, konkretisht më 17 korrik, është zhdukur në rrethana të mistershme edhe miku i tij, Ervis Troqe.

Sipas të dhënave që disponon Policia, Albano Xhaferri dhe Ervis Troqe kanë udhëtuar së bashku në të njëjtën ditë nga Belgjika për në qytetin e tyre, Vlorë. Pas kthimit, Albano i kishte thënë të atit se kishte ardhur pasi kishte mall për dy fëmijët dhe gruan e tij. Siç shprehet i ati, Lutfi Xhaferri, djali ka dalë nga banesa pas një telefonate nga një i njohur i tij. Aty ka të dhëna se telefonuesi e ka marrë me mjetin e tij 34-vjeçarin dhe më pas nuk dihet asgjë se çfarë ka ndodhur mes tyre.

Familjarë të të riut kanë bërë disa ditë më pas denoncimin për zhdukjen, ndërsa Policia, sipas të dhënave, e ka identifikuar dhe shpallur në kërkim personin, me të cilin u largua 34-vjeçari. 29 ditë pas kësaj ngjarjeje, është zhdukur në rrethana ende të paqarta edhe shoku i tij, me të cilin ishin kthyer së bashku nga Belgjika, shtetasi Ervis Troqe.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura