Zhbogar: BE kundër ndarjes së Kosovës

Nov 2, 2012 | 21:52
SHPËRNDAJE
Samuel Zhbogar

Qëndrimi i Komisionit Evropian se Serbia duhet të respektojë integritetin territorial të Kosovës, nuk do të thotë se Serbia duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës, ka thënë përfaqësuesi special i BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar.

“Kjo do të thotë se jemi kundër ndarjes së Kosovës dhe se nuk do të mbështesim idetë për ndarje”, ka deklaruar Zhbogar për radion KiM, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ai po ashtu ka theksuar nevojën e zhvillimit të tre llojeve të dialogut: njëri ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve, tjetri në mes të autoriteteve kosovare dhe qytetarëve të veriut dhe i treti në mes të serbëve në veri dhe atyre në jug të Ibrit.

Diplomatët evropianë kanë kushtëzuar Serbinë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si kusht për të shënuar hapa para drejt BE-së.

Në një raport të publikuar muajin e kaluar nga Komisioni Evropian, thuhej se Serbia duhet të respektojë integritetin territorial të Kosovës.

Raporti ka nxitur reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët kanë thënë se një gjë e tillë nënkupton njohje të Kosovës dhe se ata nuk mund ta pranojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura