Zgjerimi i rrugës, banorët në protestë

May 31, 2014 | 13:11
SHPËRNDAJE

Rruga “Syrja Dylgjeri”
ELBASAN – Pasi Këshilli i Ministrave miratoi shpronësimin për pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga hapja dhe sistemimi i rrugës “11 Nëntori” në Elbasan, kanë reaguar pronarët e prekur. Ata kanë ndërtimet e tyre përgjatë segmentit nga shkolla “Jorgji Dilo” deri te “Rotonda e Postës”, por nuk pranojnë çmimin e ofruar. Sipas tyre, janë të indinjuar nga çmimi i vlerësimit të pasurisë së tyre dhe kërkojnë të rishikohet vlera e pagesës. “Është e patolerueshme që të zhvlerësohemi me një çmim që nuk i përket tregut aktual, ndaj i bëjmë apel qeverisë të tërheqë vendimin e dalë prej saj. Me faturën paraprake që na është dhënë nuk mund të blejmë qoftë edhe një apartament për një familje dhe jo më të strehohemi 2 ose më shumë familje siç po jetojmë aktualisht”, thonë banorët. Ata kërcënojnë se nuk do të braktisin shtëpitë, nëse nuk ndodh kjo. Sipas banorëve, vlera e përcaktuar 41 mijë lekë për m2 sipërfaqe toke, 45 mijë lekë m2 sipërfaqe banese, si dhe 50 mijë lekë m2 për biznesin është mjaft e ulët dhe nuk i afrohet vlerës së çmimit të tregut. Qytetarët janë shprehur pro investimeve që përmirësojnë cilësinë e jetës në qytet dhe planit rregullues për qytetin, por kjo nuk duhet të bjerë në kundërshtim me interesat e banorëve.  m.s

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura