Zgjedhjet në FSHF, ka “luftë” për Komitetin

Feb 28, 2014 | 12:33
SHPËRNDAJE

Presidenti aktual Duka garon i vetëm, 16 kandidatë për 9 vende në KE

Anashkalohet eksperienca e FIFA-s në rast kolapsi për kreun

Komuniteti i futbollit në vend do të mblidhet sot në orën 9:00 në hotel “Tirana Internacional” për Asamblenë Zgjedhore, nga ku do të dalë presidenti i ri, si dhe qeveria e re e futbollit.
Në garë për president pritet konfirmimi i kreut aktual Armand Duka, i cili është i vetmi kandidat zyrtar në garë. Duka kandidon për herë të katërt për një mandat katërvjeçar, duke qenë se u propozua nga plot 41 anëtarë me të drejtë vote në këtë asamble. Ndërkohë që në këtë rast mungon rivaliteti, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Komitetin Ekzekutiv, ku kandidojnë 16 emra për 9 vende. Por, ekziston edhe një lloj frike (probabilitet shumë i pakët) që zgjedhja e presidentit të mos jetë thjesht formalitet, madje të kalojë në ngërç. Kjo mund të vijë në rast se Duka nuk merr 50+1 për qind të votave të votuesve, edhe pse kandidon i vetëm (mund të votojnë të 65 delegatët dhe Duka të marrë vetëm 30 vota, teksa të tjerët të lënë fletën e bardhë). Kjo do sillte kolaps, pasi do duhej të bëheshin zgjedhje të tjera. Sakaq, FIFA dhe UEFA për të tilla raste ka praktika të tjera. Kështu, në rastin e vetëm një kandidati nuk bëhet fare votim i fshehtë, por thjesht një votim i hapur, kjo nisur edhe nga propozimet e vetë delegatëve (ka ndodhur kjo gjë para disa vitesh kur u rizgjodh në FIFA Avelanzh). Gjithsesi, për të shuar çfarëdolloj hamendësimi nga ana e anëtarëve në Asamble (sidomos ata që njihen si kundërshtarë të Dukës), FSHF ka vijuar duke zbatuar statutin e vet. Nga anëtarët aktualë të komitetit nuk do të kandidojë për një mandat 4-vjeçar Pjerin Fushaj, ndërsa janë në garë: Lutfi Nuri, Artan Hajdari, Bujar Kasmi, Arben Dervishi, Abdyl Kuriu, Skënder Hyka, Muhedin Targaj, Bardhyl Minxhozi dhe Tahir Kastrati, por ky i fundit hyn direkt duke qenë president i Shoqatës së Arbitrave. Ndërkaq, nuk mungojnë edhe emrat e rinj, të cilët pritet të jenë po kaq aktivë në garë për një mandat në qeverinë e futbollit. Kështu, bien në sy emrat e Vasil Bicit dhe Artan Shytit, por edhe të figurave të tjera që vijnë nga bota e sportit, nga politika dhe jurisprudenca. Sulejman Mema, Ramadan Shehu, Fatbardh Jera e deri tek Enkeled Alibeaj, Edvin Libohova dhe Artan Sallaku do kërkojnë të jenë në KE. Pritet një “luftë” e ashpër për qeverinë e futbollit, ku kandidatëve të rinj do t’u duhet të sfidojnë një “dorë” të regjur anëtarësh, të cilët kanë përvojë dhe shumë njohje në botën e futbollit.

Kandidatët në zgjedhje
Për president: Armand Duka
Për Komitetin Ekzekutiv: Lutfi Nuri, Artan Hajdari, Bujar Kasmi, Arben Dervishi, Abdyl Kuriu, Skënder Hyka, Muhedin Targaj, Bardhyl Minxhozi, Vasil Bici, Artan Shyti, Sulejman Mema, Ramadan Shehu, Fatbardh Jera, Enkeled Alibeaj, Edvin Libohova dhe Artan Sallaku.
SHËNIM: Janë 16 kandidatë për 9 vende në Komitetin Ekzekutiv. Çdo klub do të votojë vetëm 9 emra nga kandidatët e mësipërm. Tahir Kastrati hyn në KE pa kaluar në votim, pasi në bazë të statutit, presidenti i Shoqatës së Arbitrave është automatikisht pjesë e Komitetit Ekzekutiv.

Ja 65 delegatët që do të votojnë në Asamble
Numri i delegatëve me të drejtë vote është caktuar që më parë për në këtë asamble. Sakaq, Tërbuni nuk merr pjesë në votim për shkak të përplasjes mes ortakëve në sh.a. e klubit. Kështu do të votojnë delegatët e klubeve të Superiores: Bylisi, Besa, Lushnja, Laçi, Kukësi, Flamurtari, Skënderbeu, Teuta, Tirana, Vllaznia, Kastrioti dhe Partizani; të Kategorisë së Parë: Ada, Apolonia, Dinamo, Elbasani, Kamza, Tomori, Mamurrasi, Burreli, Butrinti, Pogradeci, Shkumbini, Luftëtari, Veleçiku, Albpetroli dhe Himara; të klubeve në kategoritë inferiore: Besëlidhja, Iliria, Vora, Sukthi, Olimpiku, Shënkolli, Erzeni, Turbina, Korabi, Egnatia, Luzi, Domosdova, Naftëtari, Sopoti, Bilishti, Tepelena, Gramshi, Orikumi, Delvina, Përmeti, Memaliaj, Këlcyra, Gramozi, Skrapari, Pojani dhe Maliqi. Shoqatat specifike të futbollit (Mjekësisë Sportive, arbitrave, trajnerëve dhe minifutbollit), si dhe përfaqësuesit e 8 rajoneve të futbollit amator: Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier, Korçë, Gjirokastër dhe Lezhë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura