Zgjedhjet, fjala e fundit nga Gjykata, apo nga vetë Parlamenti

Sep 9, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

XHEZAIR ZAGANJORI xhezair-zaganjori

Më 10 korrik të këtij viti (2020), Dhoma e Madhe e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dha vendimin për çështjen Mugemangango kundër Belgjikës, një vendim ky shumë i rëndësishëm sepse ka të bëjë me respektimin e standardeve kryesore për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ndër të tjera, ajo theksoi qartësisht se pavarësisht praktikës së konsoliduar apo traditave të hershme në këtë fushë, gjithnjë, fjalën e fundit mbi procesin dhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në shtetet anëtare të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut duhet ta thonë gjykatat e pavarura dhe jo vetë parlamentet, të cilat, në fund të fundit, kanë parimisht në këtë rast edhe konflikt interesi. Vendimi ka ngjallur debate të shumta, veçanërisht në disa nga shtetet e Europës Veriore me demokraci shembullore, si: Danimarka, Norvegjia, Islanda, Holanda, Luksemburgu, Suedia e të tjera, të cilat prej dekadash të tëra këtë të drejtë ia njohin Parlamentit, pa pasur thuajse asnjëherë probleme serioze në këtë drejtim. Por megjithatë, vendimi i mësipërm i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, pa dyshim që edhe në këtë rast imponon ndryshime kushtetuese e ligjore jo vetëm në Belgjikë, por për të gjitha shtetet palë në Konventë, që parashikojnë zgjidhje të kësaj natyre. Shihet qartë se për Gjykatën e Strasburgut, rëndësi vendimtare në çështjet zgjedhore ka respektimi i standardeve që japin garanci reale për drejtësinë e zgjedhjeve dhe shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve, pavarësisht kontekstit apo rrethanave politike ose historike të shtetit anëtar respektiv, që për arsye të ndryshme ka bërë zgjidhje të tjera.

Për garantimin e zgjedhjeve të lira bëhet fjalë shprehimisht në nenin 3 të Protokollit të Parë Shtesë të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, i cili është nënshkruar nga shtetet palë që në marsin e vitit 1952, pra një vit para se të hynte në fuqi edhe vetë Konventa. Dhe kjo është e natyrshme, sepse vetëm përmes zgjedhjeve periodike e demokratike mund të bëhet legjitimimi dhe konstituimi i pushtetit politik. Ato bëjnë të mundur transferimin e vullnetit të lirë të qytetarëve në pushtetin shtetëror. Prandaj, integriteti dhe standardet e këtij procesi janë jetike për demokracinë si formë e qeverisjes. Pikërisht për këto arsye, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, përmes vendimmarrjes, është përpjekur vazhdimisht të japë kontributin e saj në këtë proces shumë të rëndësishëm e tepër delikat. Mes vendimeve të shumta për standardet e rëndësishme të vendosura, mund të përmenden ndër të tjera: Çështja Sitaropulos kundër Greqisë, në të cilën theksohet se “..është e rekomandueshme dhe e këshillueshme garantimi i migrantëve dhe personave zyrtarë që ndodhen jashtë shtetit për të votuar edhe për zgjedhjet parlamentare të vendit të tyre, por kjo nuk është e detyrueshme, pasi lidhet me mjaft çështje të tjera organizative, financiare dhe sigurimin e integritetit të votës e votimit në tërësi (rreziku manipulimit)”; Çështja Aziz kundër Qipros, ku ndër të tjera thuhet se.. “ pavarësisht kontekstit politik dhe historik të ndarjes së Qipros, nuk mund të shkohet deri aty saqë për shkak të origjinës etnike, t’u mohohet e drejta e zgjedhjeve të lira banorëve të rregullt të këtij shteti..”..; Çështja Podgolzina kundër Letonisë, ku theksohet se në sistemin e brendshëm “.. mungojnë garancitë objektive për vlerësimin e drejtë të kritereve gjuhësore si kushte për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare”; Çështja Hirst kundër Britanisë, në të cilën vihet në dukje se “… votimi i qytetarëve është një e drejtë dhe jo privilegj dhe se ndalimi kategorik i të gjithë të burgosurve për të votuar, pavarësisht masës së dënimit është në kundërshtim me Konventën…”; Çështja Zalanova kundër Letonisë, ku theksohet gjithashtu se “… ndalimi për të kandiduar për deputet për një kohë të caktuar i përfaqësuesve të spikatur të regjimit komunist, që kanë tentuar të përmbysin me dhunë regjimin e ri demokratik, është në përputhje me Konventën..”, e të tjerë.

Edhe çështja në fjalë, siç theksuam më sipër, paraqet mjaft interes në këndvështrim të standardeve të garantimit të lirisë së zgjedhjeve. Në mënyrë të përmbledhur, rreth këtij vendimi mund të evidentoheshin këto elemente:

Germain Mugemangango është shtetas belg. Ka lindur në vitin 1973 në Bruksel nga prindër emigrantë me origjinë ruandeze. Ka studiuar në Universitetin e Lirë të Brukselit për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe është bërë anëtar i Partisë së Punës së Belgjikës, një parti e ekstremit të majtë, e cila 10 vitet e fundit ka shtuar dukshëm numrin e deputetëve në Parlamentin Federal, si dhe në tri parlamentet e 3 rajoneve të Belgjikës (Rajoni i Flemish, Rajoni i Wallonisë dhe Rajoni i Brukselit). Në maj të vitit 2014, nën siglën dhe në listën e kësaj partie (ishte i pari në listë), Mugemangango kandidoi për deputet në Parlamentin e Rajonit të Wallonisë. Partia e tij e kaloi pragun zgjedhor prej 5% duke marrë 16,554 vota, por ai nuk fitoi, pasi për të qenë i tillë, sipas formulës zgjedhore, i duheshin edhe vetëm 14 vota. Sipas ligjit (në Belgjikë, vetë Parlamenti është gjykuesi dhe vlerësuesi i vetëm dhe përfundimtar i zgjedhjeve të tij) ai iu drejtua Parlamentit të Wallonisë, duke kërkuar rinumërimin dhe rivlerësimin në zonën e tij zgjedhore (Charleroi) të 21,385 votave që, për arsye të ndryshme ishin deklaruar si të pavlefshme. Në kërkesën dhe provat bashkëngjitur, ai përpiqej të argumentonte se në numërimin e votave ishin konstatuar shumë parregullsi. Komisioni i Mandateve të Parlamentit te Wallonisë e konsideroi kërkesën të pranueshme dhe të arsyetuar mirë, ndaj i rekomandoi Parlamentit të ndërpresë konfirmimin e mandateve dhe të bëjë sa me shpejt një rivlerësim të votave të deklaruara të pavlefshme në zonën Charleroi. Megjithatë, Parlamenti i mbledhur në seancën e parë të tij në qershor 2014, me 43 vota pro, 28 kundër e 4 abstenime, e konsideroi kërkesën e z. Mugemangango të pabazuar. Në të njëjtën ditë, Parlamenti konfirmoi gjithashtu edhe mandatet e deputetëve të zgjedhur. Duke mos pasur alternativë tjetër, kërkuesi iu drejtua më pas Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar ndër të tjera se në zgjedhjet e majit 2014 për Parlamentin e Wallonisë, atij i ishte cenuar e drejta për zgjedhje të lira, parashikuar nga neni 3 i Protokollit të Parë të Konventës, si dhe e drejta për ankim efektiv, parashikuar nga neni 13 i kësaj Konvente. Për shkak të ndjeshmërisë dhe nevojës për të vendosur standarde të qarta në këtë drejtim, dhoma normale e gjykimit të GJEDNJ ia kaloi çështjen për shqyrtim Dhomës së Madhe, e cila zhvilloi seancën publike më 4 dhjetor 2019.

Në këtë seancë, kërkuesi Mugemangango theksoi ndër të tjera se Parlamenti i Wallonisë kishte konfirmuar mandatet e të gjithë deputetëve, pa marrë seriozisht në konsideratë kërkesat e tij dhe pa i dhënë mundësinë për t’iu drejtuar një gjykate të pavarur e të paanshme. Sipas tij, Parlamenti kishte vepruar në këtë rast njëkohësisht edhe si gjykatë, edhe si palë në gjykim, duke i cenuar kështu të drejtën për të qenë kandidat në zgjedhje të lira e të ndershme. Për me tepër, edhe vetë kandidatët e shpallur fitues në zonën e tij kishin votuar në takimin plenar, në një kohë që formalisht ato kishin qenë në garë me atë gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ai vuri në dukje gjithashtu se edhe shqyrtimi i kërkesës së tij në Parlament ishte bërë pa i dhënë asnjë minimum të garancive procedurale.

Qeveria belge, si palë në gjykimin e zhvilluar në Strasburg, kundërshtoi pretendimet e kërkuesit, duke vënë në dukje se procedura dhe vlerësimi i kërkesës së tij ishin bërë në përputhje me ligjin. U theksua gjithashtu se sistemi ligjor belg, që e bën Parlamentin gjyqtar të zgjedhjeve të tij, është pjesë e pandarë e trashëgimisë kushtetuese të vendit dhe se autonomia e zgjeruar parlamentare në këtë drejtim e ka origjinën dhe bazohet tërësisht në parimin e ndarjes së pushteteve. Po kështu theksoi edhe qeveria e Danimarkës, e cila ndërhyri në këtë proces si palë e tretë e interesuar. Përfaqësuesi i saj argumentoi se e drejta dhe detyra e Parlamentit “..për të gjykuar vetë mbi çështjet zgjedhore, pa krijuar mundësinë e një rekursi ndaj vendimeve të tij në një mekanizëm gjyqësor, është pjesë integrale e strukturës kushtetuese dhe e traditave demokratike të rrënjosura thellë dhe të krijuara prej një kohe të gjatë….”. Pikërisht për këto arsye, të dyja qeveritë (Belgjikës e Danimarkës) theksuan nevojën e marrjes në konsideratë, në rastin konkret nga Dhoma e Madhe, të traditave të veçanta demokratike të këtyre vendeve, të reflektuara këto pa dyshim edhe në procesin dhe çështjet zgjedhore. Prandaj, sipas tyre, edhe steka që duhet të vendosë në këtë rast kjo gjykatë për demokracitë e vjetra europiane në garantimin e lirisë së zgjedhjeve duhet të jetë më e ulët se ajo që vendoset për demokracitë e reja.

Me vendimin e shpallur më 10 korrik 2020, Dhoma e Madhe unanimisht (17 – 0) i dha të drejtë kërkuesit, duke konstatuar shkelje si të nenit 3 të Protokollit të Parë Shtesë të Konventës (zgjedhjet e lira), ashtu edhe të nenit 13 të Konventës (e drejta për ankim efektiv). Bie në sy që në fillim se Dhoma e Madhe nuk e merr aspak mundimin të bëjë dallimin mes demokracive të vjetra apo të reja, por lë qartësisht të kuptohet se standardet kryesore për garantimin e lirisë së zgjedhjeve, pavarësisht diskrecionit të gjerë të shteteve në fushën e legjislacionit zgjedhor, janë tepër të rëndësishme, e prandaj, në parim, duhet të jenë të barabarta dhe njëlloj të detyrueshme për të gjithë. Konkretisht, në vendim theksohet ndër të tjera se kontrolli parlamentar i procesit zgjedhor nuk është dhe nuk mund të jetë mjaftueshmërisht i paanshëm, aq më tepër kur kandidatëve të shpallur fitues mund t’u rrezikohet vlefshmëria e mandatit, gjë që prek nga ana tjetër edhe interesat e grupeve parlamentare. Vihet në dukje gjithashtu se ligji nuk përcakton me saktësi kompetencat e Parlamentit në këto raste dhe se ai (pra ligji) nuk i garanton kërkuesit mjete të mjaftueshme procedurale kundër çdo vendimi arbitrar që mund të marrë Parlamenti, sepse vendimi i tij është përfundimtar. Mbi këtë bazë, Dhoma e Madhe arrin në konkluzionin se kjo zgjidhje nuk përputhet me detyrimet pozitive të shtetit anëtar për shqyrtimin efektiv të mosmarrëveshjeve zgjedhore. Përsërisim pra, se në thelb, vendimi i saj kërkon që si instancë e fundit për shqyrtimin e pretendimeve mbi procesin dhe rezultatin zgjedhor duhet të jetë jo vetë Parlamenti, por një mekanizëm gjyqësor i pavarur.

Në fakt, duhet sqaruar se edhe më parë, dhomat e gjykimit të GJEDNJ kishin vënë në dukje nevojën që si rregull, instanca e fundit që duhet të vendosë për procesin dhe rezultatin zgjedhor duhet të jetë një mekanizëm gjyqësor i pavarur. Për këtë qëllim mund të shihet veçanërisht vendimi i Paunoviç e Milojeviç kundër Serbisë i vitit 2016. Por ripërsërisim se vendimi më i fundit i Dhomës së Madhe imponon ndryshime të rëndësishme kushtetuese e ligjore në mjaft vende evropiane, që konsiderohen simbole të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, sepse standardi i vendosur qartësisht tashmë nga Gjykata e Strasburgut vlen për të gjithë shtetet anëtare pa asnjë përjashtim. Arsyeja është e thjeshtë. Siç theksuam edhe më sipër, zgjedhjet e fshehta e të lira janë jetike për demokracinë dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Vetëm përmes tyre garantohet qeverisja demokratike dhe rotacioni i nevojshëm i pushtetit shtetëror. Por fatkeqësisht, zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë dhe rritja galopante e ndikimit të medias sociale në jetën politike e shoqërore të vendit, kanë shtuar dukshëm edhe rrezikun e manipulimit dhe propagandës së fuqishme e të njëanshme të pushtetit në çështjet zgjedhore. Mbi këto çështje ka gjithnjë e më shumë polarizime të skajshme dhe tensione të shumta edhe në vendet me demokraci të zhvilluar. Në këto kushte, sigurisht që edhe Strasburgut i takon të jetë i vëmendshëm për ta garantuar ashtu siç duhet këtë proces si në demokracitë e reja, ashtu edhe në ato me përvojë të gjatë demokratike në çështjet zgjedhore.

Për kureshtjen e lexuesit mund të shtonim se në zgjedhjet më të fundit parlamentare të Wallonisë, të organizuara vitin që kaloi (2019), z. Germain Mugemangango arriti të fitojë mandatin për të qenë anëtar i Parlamentit të këtij rajoni dhe aktualisht është edhe kryetar i grupit prej 10 deputetesh të Partisë së Punës së Belgjikës në këtë Parlament, i cili në total ka 75 deputetë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura