Basha negociata me 20 parti për zgjedhjet lokale. Mediu dërgon Madhin në tryezën e aleatëve, negociatorë Halimi e Spaho

Apr 2, 2015 | 15:29
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur dje në selinë e PD përfaqësuesit e 20 partive politike, ku u diskutua marrëveshja për daljen në një koalicion për zgjedhjet e 21 qershorit. Në përfundim të tryezës 90- minutëshe, palët kanë rënë dakord që negociatat të zhvillohen deri në datën 6 prill. 

Kreu i PD-se, Lulzim Basha

Për të arritur një marrëveshje, është ngritur një grup i posaçëm pune, në përbërje të të cilit do të jenë nënkryetari i PD-së Edmond Spaho, Eduard Halimi dhe Ivi Kaso.

Mësohet se duke nisur nga e premtja grupi i punës do të zhvillojë bisedime më vete me çdonjërën nga partitë për zonat ku ata pretendojnë se kanë kandidatura fituese, por edhe mbi pikat e tjera të bashkëpunimit.

Në çdo rast, emri që do të propozohet prej aleatëve, do t’u nënshtrohet sondazheve në zonën përkatëse, për të përcaktuar nëse ka më shumë mundësi fitoreje sesa kandidati që propozon Partia Demokratike.

Mësohet se partive u është kërkuar që për çdo zonë ku pretendojnë se dalin fitues të paraqesin dhe rezultatet e zgjedhjeve në vitet e shkuara si dhe një analizë për mundësitë që ka kandidati. Pas përfundimit të bisedimeve me grupin e punës, do të vijohet edhe me marrëveshjen përfundimtare me secilën forcë.

 

Basha me aleatet

TAKIMI
Në tryezën e drejtuar prej kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, janë ulur 20 përfaqësues të partive të djathta, ndërsa ka munguar PDIU. Po ashtu dhe kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, ka treguar shenjën e parë të pakënaqësisë. Në takim PR është përfaqësuar me sekretarin e Përgjithshëm, Arjan Madhi.

Një ditë para tryezës, Mediu deklaroi se PR mbështet emrin e Agron Dukës për kandidat në Bashkinë e Tiranës. Madje, ai tha se më parë Basha kishte shprehur dakordësinë, pasi Duka rezultonte fitues sipas sondazheve të kryera.

Por duket se refuzimi i PD për Dukën në Durrës ka sjellë kërcënimin e Mediut për të dalë i vetëm në zgjedhje. Pavarësisht kësaj, Arjan Madhi në tryezën e aleatëve mësohet të ketë shprehur vullnetin e PR-së për daljen në një koalicion të përbashkët.

Nenkryetari i PR-se, Arjan Madhi

KËRKESAT
Burimet kanë bërë të ditur se në tryezë aleatët kanë kërkuar që marrëveshja të mos shtrihet vetëm në kandidatin e përbashkët që do të kenë për bashkitë. Por të parashikohet bashkëpunimi si në nivelin e këshilltarëve, ashtu dhe në njësitë administrative.

Pavarësisht se partitë e koalicionit do t’i kenë të ndara listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë, është propozuar që në listën e PD-së të përfshihen, sipas zonave, edhe kandidatë të aleatëve. Kjo në zonat ku aleatët nuk pretendojnë kryetarin.

Pas tryezës, me anë të një deklarate për mediat, theksohet se koalicioni “shpreh vullnetin politik që, bazuar në parimet e transparencës, kolegjialitetit, proporcionalitetit dhe bashkëqeverisjes, koalicioni të dalë me kandidatë të përbashkët për kryetarë bashkie në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, me objektiv fitoren e këtyre zgjedhjeve”.

 BRAHIM SHIMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura