Zgjedhjet e 2013, Berisha: Sillni sa më shumë vëzhgues

Nov 2, 2012 | 10:05
SHPËRNDAJE
Sekretarja amerikane e Shtetit, Klinton dhe Kryeministri Berisha

Kryeministri në takim me Klinton zotohet për zgjedhje të ndershme.

Pas takimit me Presidentin Bujar Nishani, eskorta e sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, la Pallatin e Brigadave për t’u drejtuar në selinë e Kryeministrisë.  Në shkallët e godinës qeveritare ajo pritej nga Kryeministri Berisha, i cili nuk nguroi ta ndihmonte në heqjen e palltos sekretaren e Shtetit përpara se ata të ngjisnin shkallët për në katin e dytë. Përpara se takimi të vazhdonte me dyer të mbyllura, Berisha dhe Klinton dhanë një deklaratë të shkurtër për mediat. Kreu i Ekzekutivit tha se vizita e sekretares është më historikja, pasi përkon edhe me 100-vjetorin e pavarësisë. Ndërsa Klinton në komentin e shkurtër u shpreh se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare të jenë partnere dhe mikja juaj, ndërsa ju keni vazhduar të bëni progres, të konsolidoni demokracinë, të hapni ekonominë e të krijoni mundësi për të gjithë popullin tuaj. Ne ju urojmë përzemërsisht për 100 vitet e para dhe presim të çojmë përpara bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e ardhshme”.
Takimi
Pas deklaratave për mediat, dyert e sallës ku zhvillohen takimet me delegacionet u mbyllën dhe biseda zgjati për rreth 30 minuta. Në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë bëhet e ditur se: “Sekretarja Klinton falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe theksoi se kjo vizitë ishte realizimi i dëshirës për të vizituar Shqipërinë si sekretare Shteti e SHBA në një moment kaq të rëndësishëm, siç është 100-vjetori i pavarësisë”. Ajo theksoi gjithashtu se SHBA do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE dhe e falënderoi Kryeministrin për të gjithë mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë vendit të saj në forumet ndërkombëtare, në NATO dhe në luftën kundër terrorizmit. Nga ana tjetër, kreu i Ekzekutivit e njohu sekretaren Klinton me përpjekjet dhe reformat e qeverisë shqiptare për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin dhe përparimin ekonomik, social, shëndetësor etj. “Kryeministri u shpreh se problemet politike tashmë janë tejkaluar dhe se rekomandimet e Komisionit Europian janë përmbushur në masën më të madhe dhe duke shprehur angazhimin e plotë të qeverisë për të miratuar tri ligjet e kërkuara nga BE, shprehu besimin se interesi kombëtar do të mbizotërojë dhe opozita do t’i votojë këto ligje. Kryeministri e siguroi sekretaren Klinton për vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare që zgjedhjet e vitit 2013 të plotësojnë të gjitha standardet për zgjedhje demokratike”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Në të njëjtën kohë bëhet e ditur se Berisha ka shprehur besimin se reforma konsensuale zgjedhore dhe vullneti i mirë i të gjitha palëve do të sigurojnë që zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme. Kryeministri e ftoi sekretaren Klinton që SHBA të dërgojnë një numër sa më të madh vëzhguesish. Rreth orës 12:22, Kryeministri ishte i pari që la selinë e Qeverisë për t’u drejtuar në Parlament, ndërsa dy minuta pas tij u largua edhe sekretarja e Shtetit, Klinton.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura