Zbulohet shkaku, pse Vetingu në Polici shtyhet për në muajin shtator

Aug 3, 2018 | 19:59
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA / Vonesa në përzgjedhjen e anëtarëve për Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit dhe Sekretariatin Teknik, ka bërë që procesi i vetingut në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe SHÇBA të shtyhet për në shtator.

police

Ndonëse ishte parashikuar që seancat për 300 oficerët e parë të nisnin në muajin gusht, drejtuesit e lartë të Policisë do të presin edhe një muaj për të dalë para trupave të vlerësimit. Burimet thanë dje se përveç faktit se komisioni nuk është ende gati, shkak për vonesën është bërë edhe nevoja për një trajnim, që parashikohet të zgjasë disa javë.

Mësohet se seancat për zyrtarët e Policisë, që do të verifikohen të parët, do të jenë të hapura për publikun dhe pritet të zhvillohen në mjediset e Akademisë së Sigurisë. Komisioni i vlerësimit që do të kalojë fillimisht drejtuesit e lartë të Policisë përbëhet nga 5 inspektorë të ILDKPKI-së, 5 pedagogë të Universitetit të Tiranës, si dhe 5 anëtarë që janë zgjedhur me konkurrim të hapur. Por deri tani, përveç listës emërore të personave që janë regjistruar për të konkurruar, nuk është bërë publik asnjë emër që do jetë në përbërje të komisionit.

KANDIDATET

Ministria e Brendshme publikoi në qershor listën me 38 kandidatë, që do të përzgjidhen për të qenë pjesë e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, që do të verifikojë 300 drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.

Edhe pse të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA kanë dorëzuar prej më shumë se dy muajsh formularët e vetëdeklarimit, Komisionet e Vetingut dhe Sekretariati Teknik ende nuk janë ngritur. Mësohet se 38 kandidatët janë kualifikuar nga Bordi i Përzgjedhjes për të vazhduar në fazën e dytë të konkurrimit për pozicionet e lira të anëtarëve të Këshillit të Jashtëm të Vlerësimit, si dhe për pozicionet e anëtarëve të Sekretariatit Teknik.

Nga 38 kandidaturat për Komisionin e Vlerësimit, do të përzgjidhen vetëm 15. Pesë anëtarë të këtij Komisioni caktohen nga ILDKPKI, të përzgjedhur midis punonjësve të këtij institucioni. Ky organ cakton gjithashtu edhe dy anëtarë zëvendësues, që ushtrojnë detyrën në rast mungesash të zgjatura të anëtarëve të caktuar.

Pesë anëtarë të tjerë përzgjidhen nga një bord i caktuar posaçërisht për këtë qëllim, nga pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Ndërsa 5 të fundit, nga radhët e avokatëve nga bordi i përzgjedhjes. Ministria e Brendshme ka publikuar edhe listën me emrat e 42 kandidatëve për Sekretariatin Teknik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura