Zbulohet lidhja e Gjergj Bojaxhi me koncesionin e parkingjeve në Vlorë

Jun 2, 2016 | 16:33
SHPËRNDAJE

Gjergj Bojaxhi, një biznesmen i fuqishëm me ambicie politike dhe nën hetim nga prokuroria për pastrim parash, rezulton i lidhur me një nga koncensionet më problematike në Shqipëri.

BojaxhiBëhet fjalë për koncensionin e parkingjeve në Vlorë, të cilin e ka fituar kompania “TIS Park shpk”, një kompani me pronësi të paqartë, e cila rezulton se e ka origjinën e saj në parajsa fiskale.

Ky koncension u fitua  nga kjo kompani e dyshimtë në Prill 2015, në ditët e fundit të mandatit të Shpëtim Gjikës.

Kompania do të ketë në administrim akset kryesore të qytetit dhe disa rrugica lagjesh, duke ofruar parkim kundrejt një pagese.

Por, me sa duket, mundësitë financiare të koncensionarit “TIS Park” kanë qenë të kufizuara për ndërtimin e infrastrukturës që ka marrë me koncension.

Genrian-Sherifaj-dokumentet-e-transfertave-shlyerje-fature-si-nenkontraktor-i-TIS-Park-shpkNë muajt e fundit, kjo kompani ka aplikuar në disa banka për të siguruar kredi dhe të ardhura, por e ka pasur të vështirë të procedonte me bankat pasi, koncensionin që ajo ka fituar, bankat nuk ia merrnin si garanci për kredinë.

Por në këtë moment duket se i ka ardhur në ndihmë biznesmeni Gjergj Bojaxhi.

Ky dokument i siguruar ekskluzivisht nga HashtagAL është një kërkesë e firmosur nga Bojaxhi më 26 Prill 2016. Bojaxhi i kërkonte bankës që të kryente transferimin e 225 mijë dollarëve nga llogaria e tij, drejt kompanisë koncensionare “TIS Park”.

Kerkesa-per-transferte-bankareKërkesa bazohet në një kontratë huaje që Bojaxhi ka lidhur me këtë kompani, kontrata parashikon që koncensionari i cili merr hua tek Bojaxhi, do t’i paguajë atij një interes prej 12% në vit.

Në këtë mënyrë Bojaxhi, i është gjendur kompanisë koncensionare “TIS Park” që të zgjidhë problemet e veta me likujditetin, duke i dhënë para me fajde.

Koncensioni i Rilindjes…

Vendimi për dhënien me koncension të shërbimit të parkingjeve në Vlorë, kaloi mes shumë debatesh dhe gafash burokratike.

Pasi u miratua në Këshillin Bashkiak, projekti u firmos dhe nga prefektja e Vlorës znj.Etjona Hoxha, por kjo e fundit doli më pas në një konferencë për shtyp dhe deklaroi se ishte kundër këtij koncensioni dhe se firmën e kishte vendosur një vartëse e saj.

Nuk vonoi shumë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit e konsideroi tërësisht të paligjshëm këtë koncension dhe sugjeroi anulimin e tij: “Kontratat koncesionare për parkimin me pagesë në rrugët e qytetit të Vlorës duhen anuluar. Nëse zbatohet kontrata koncesionare, ndikimi financiar në Bashkinë e Vlorës do të jetë negativ, sepse subjekti privat që merr me koncesion parkimet, përfiton me të padrejtë 184.47 mln lekë”, – deklaroi KLSH-ja në vitin 2015.

Por përtej problematikës së këtij koncensioni, dokumente ekskluzive të siguruara nga HashtagAL, sugjerojnë se zyrtarë rilindës me influencë në Bashkinë e Vlorës, janë drejtpërdrejt të lidhur me këtë koncension.

I tillë është dhe drejtori i shërbimeve në Bashkinë e Vlorës, z.Gentian Sherifaj.

Drejtori Sherifaj është njëkohësisht dhe pronar i kompanisë “EN-BJO shpk”, ndërsa evidencat e transferimeve bankare të kompanisë së z.Sherifaj, tregojnë se kompania e tij është nënkontraktuar drejtëpërsëdrejt ose nëpërmjet të tretëve për të kryer punime dhe shërbime për llogari të kompanisë  koncensionare “TIS Park shpk”.

Duket se të gjithë aktorët janë ndërthurur mirë mes tyre, për një koncension të cilin KLSH-ja e cilëson të paligjshëm dhe kërkon anulimin: Prefektja e Vlorës thotë se e firmosi padashje, drejtori i Bashkisë e mbështet edhe si zyrtar por edhe si nën/kontraktor, ndërsa kur koncensionari ka probleme me bankat, në ndihmë vjen Gjergj Bojaxhi, i cili i jep lekë me fajde që koncensionari të mos bllokohet dhe të vazhdojë punimet i qetë.

/ HashtagAL/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura