Zbulohet dokumenti, Garda do blejë 29 makina të reja për Qeverinë, Nishanin dhe Metën

Mar 26, 2015 | 21:29
SHPËRNDAJE

Qeveria ka vendosur të ndryshojë të gjitha makinat e ministrave, përfshi edhe atë të Kryeministrit. Gazeta boton vendimin, me anë të të cilit do të bëhet tenderi për rinovimin e të gjithë parkut të mjeteve të zyrtarëve të lartë. Bashkë me qeverinë, makinë të re do të blejë edhe Presidenti e kreu i Kuvendit.

Kabineti qeveritar pas betimit te Nishani

Më pak se dy vite pas ardhjes në pushtet, duket se ministrat janë mërzitur me automjetet që kanë në dispozicion dhe kanë vendosur t’i ndërrojnë të gjitha në grup. Vendimi i qeverisë autorizon Gardën e Republikës për të kryer tenderin. Në total do të blihen 43 makina të reja. Për Presidentin, Kryeministrin dhe ministrat do të blihen 29 makina. Por duket se edhe stafi i Kryeministrisë nuk është i kënaqur me transportin.


Krahas makinave të titullarëve, Garda është ngarkuar të tenderojë edhe blerjen e 14 makinave “në dispozicion të aparatit të Kryeministrisë”. Duke qenë se vlera e një tenderi të tillë mund të arrijë në shifra të frikshme, qeveria ka vendosur të përdorë një procedurë tjetër. Atë të “leasing” -ut ose qirasë financiare. Pra, do i blejnë makinat me këste, duke autorizuar bankën në të njëjtën kohë, të zgjedhë krahas firmës ku do të blejë mjetet, edhe firmën që do të ofrojë kushtet e “leasing”-ut.

Në tabelën që ndan funksionet, bie në sy se institucioni që do të blejë më shumë “automjete në dispozicion të funksionarit publik”, është Kryeministria.

Për Kryeministrinë janë përcaktuar 8 mjete të reja. Kjo sepse, krahas Ramës, në varësi të Kryeministrisë janë edhe zv.kryeministri Peleshi, ministrja e Shtetit për Inovacionin Harito, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Felaj, si dhe ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Çuçi.

Vendimi i qeverise

Pjesa tjetër e mjeteve duket se janë për shoqërimin e eskortës të Ramës. Ndërsa për Kuvendin do të blihen 4 mjete, që duket se janë për kreun Meta dhe dy nënkryetarët. Për Presidentin do të blihen 2 mjete.

Ndërsa të gjithë ministrat e tjerë do të ndërrojnë makinën e tyre personale. Në vendimin e qeverisë parashikohet që Garda e Republikës ngarkohet për këtë procedurë për shkak të sigurisë së lartë që duhet të kenë këto makina. Ajo ngarkohet nga qeveria “të përcaktojë specifikimet teknike në përputhje me standardet teknike dhe kërkesat e sigurisë për automjetet që do të merren me qira financiare”.

Nga ana tjetër, të gjitha ministritë, bashkë me Kuvendin e Presidentin, duhet t’i kalojnë fondet në arkën e Gardës. “Institucionet, brenda datës 31 mars 2015, të dërgojnë në Gardën e Republikës së Shqipërisë, si organi qendror blerës, fondin përkatës, sipas numrit dhe tipologjisë së automjeteve të përcaktuara”.
NERTILA MAHO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura