Zbulohet dokumenti/ A pranoi Visar Zhiti të ishte spiun i Sigurimit?

Mar 23, 2017 | 16:35
SHPËRNDAJE

Mes debatit qe eshte ndezur kohet e fundit, botuesi Luan Pengili zbulon nje dokument ne te cilin tregohet qe Visar Zhiti, nuk ka pranuar te behej spiun i Sigurimit. Per kete ka reaguar edhe Agron Tufa, i cili ne nje status ne rrjetet sociale shkruan se “Presidenti duhet të jetë zëdhënës i fakteve dhe jo i shpifjeve”.

Presidenti Bujar Nishani, në një intervistë për “Panorama” e ka quajtur të ngarkuarin me punë në Vatikan si “jo të qëndrueshëm psiqikisht”, dhe se ka bashkëpunuar si spiun në Burgun e Spaçit. Këto akuza Zhiti i ka quajtur si shpifje ordinere.

Por Kreu i shtetit ka shkuar edhe me tej, kur ka publikuar një mesazh të një ish-të përndjekuri me inicialet P.V., sipas të cilit Visar Zhiti ka qenë spiun dhe bashkëpunëtor në administratën e Burgut të Spaçit, ku ka ndikuar në riarrestimin e të dënuarve politikë.

17426223_1827641114228609_1173888505496914655_n

STATUSI I PLOTE NE FB:

Hedhja e shpifjeve në treg është bërë tashmë një nga dukuritë më të zakonshme në shoqërinë tonë, sa shpesh nuk mund të ndahet lehtë nga njëra-tjetra e vërteta dhe gënjeshtra.
Kur një person shpif, të njollos keq me epitete e ngjarje të paqena, kush mban përgjegjësi?
Shko drejt e në gjykatë, të vjen ndërmend veprimi i parë që mund të kryesh. I drejtë ky arsyetim – kjo është rruga që duhet ndjekur...
Por pas kësaj përgjigje, për fat të keq në vendin tonë të përndjek vetëtishëm pyetja e dytë! Për sa kohë do të zvarritet nëpër gjykata kjo shpifje?
Është i thjeshtë arsyetimi, sa të dalë në dritë e vërteta, shpifja e parë harrohet, duke ja lënë vendin një shpifjeje të dytë… e kështu, e kështu me radhë. Ndërkohë që njerëzit që nuk e njohin personalisht personin mbi të cilin është hedhur baltë, e kanë përthithur helmin e injektuar të shpifësit, duke bërë kështu të mundur arritjen e qëllimit të shpifësit të zi.
Kjo dukuri merr një rëndesë ende më të madhe negative, kur këtë e bën një president.
Visar Zhiti – spiun!
Zoti President, duhet patjetër ta vërtetoni bindshëm këtë emërtesë ndaj Visarit, që të t’ju hiqet sa më parë epiteti i shpifësit!
Para disa vitesh kam bërë një bisedë me Visarin mbi këtë temë. U zhvillua në një takin që ia kërkova me ngut, pas disa sinjalesh jo mirëdashëse për të (Visari informator), që filluan të qarkullonin pikërisht pas daljes së romaneve të tij biografikë “Rrugët e ferrit” e “Ferri i çarë”, botime të cilat morën publicitetin e faqeve të tëra të shtypit më të rëndësishëm të vendit.
Midis të tjerave Visari më thotë që ka gjetur edhe dokumentin që ai refuzon në mënyrë kategorike bashkëpunimin me strukturat e sigurimit. Ja kërkova atë dokument e ai ma dha. E pyeta atëherë përse nuk e publikonte, por mora përgjigjen: “Njerëzit më njohin!”
Por sot Visar po të të them atë që ta kam shprehur atje, vite më parë: “Të njohin njerëzit, por nuk të njohin shpifësit!”
Sot po e botoj këtë dokument!

REAGON EDHE AGRON TUFA:

17474565_10212452289851087_371975502_n

MBI DEKLARATËN E PAPËRGJEGJSHME E TË DËMSHME TË Z. PRESIDENT KUNDËR POETIT VISAR ZHITI Pa hyrë në natyrën e ndërsjelltë të replikave midis Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani dhe poetit të njohur Visar Zhiti, që është dhe një ish-i dënuar politik i regjimit totalitar të Enver Hoxhës, mendoj, se deklarata e Presidentit për Zhitin – “…Ka qenë spiun në burgun e Spaçit”, – është një deklaratë e nxituar, e papërgjegjshme dhe mjaft e dëmshme për këto arsye: 1. Kreu i shtetit, Presidenti, nuk duhet të transmetojë në publik, se ç’thonë thashathemexhinjtë, pa qenë i sigurtë, me fakt të dokumentuar. Kush mund t’ia refuzonte të drejtën kreut të shtetit ta shihte dosjen e Zhitit, meqë Autoriteti i Dosjeve ka filluar punën e hapjes së tyre? Z. President duhet të jetë zëdhënës i fakteve dhe jo i shpifjeve. 2. Edhe sikur, fjala vjen, hipotetikisht, poeti Visar Zhiti të kishte qenë spiun, ka një logjikë, të përfshirë në të gjitha të drejtat ndërkombëtare që thotë: “Çdo dëshmi, çdo akt, çdo pohim i personave që gjenden robër, pengje lufte, të arrestuar dhe në tortura, nuk merret parasysh”. Dhe Visar Zhiti ka qenë nën këtë presion, si çdo i burgosur tjetër, përballë bishave më çnjerëzore. 3. Por për fat të mirë, për dinjitetin e tij dhe të tjerëve që vuajtën ferrin e burgjeve të komunizmit, Visar Zhiti ka bërë të kundërtën: ka firmosur një deklaratë, që nuk pranon, që refuzon të vihet në shërbim spiunimesh. Këtë e di mirë unë e jo ndofarë shpifësi me iniciale P.V, pasi z. Zhiti ka qenë pjesë e Këshillit Shkencor të ISKK dhe na është dashur të kontrollojmë, sipas ligjit, pastërtinë e figurave. Pafajësia e z. Zhiti do të bëhet e qartë dhe publike shumë shpejt, në një reagim institucional, zyrtar. Me presidentin e Republikës, z. Nishani kemi pasur gjatë këtyre viteve një sërë bashkëpunimesh të suksesshme dhe me vlerë të madhe për kujtesën dhe krimet e diktaturës, për nderimin e tyre me një sërë medaljesh, për çka i jemi sinqerisht mirënjohës. Por ndjej keqardhje të thellë për deklaratën e tij të fundit, siç e thashë më sipër, të nxituar, të papërgjegjshme dhe thellësisht të dëmshme për personin që atakon dhe për ata mijëra burra, të vdekur e të mbijetuar nga diktatura gjakatare komuniste.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura