Zbulohen milionat e Bodes, “loja” me vlerat e shtëpive. Ish-ministri fiton 18 mijë euro në vit vetëm nga qiratë

Apr 10, 2015 | 18:58
SHPËRNDAJE

Zbardhet pasuria e plotë ish-ministrit të Financave, njëherësh deputetit të Partisë Demokratike, Ridvan Bode. Dy ditë pas kallëzimit penal në Prokurori nga Inspektorati i Lartë i Deklarimi të Pasurive, për fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë, “Panorama” zbardh të plotë deklarimi që Bode dhe familjarët e tij kanë bërë pranë ILKDP, për vitin 2013.

Ridvan Bode dhe deklarata e pasurise

Mësohet se hetimet e ILDKP-së janë përqendruar në një sërë burimesh financiare, të cilat vetë deputeti nuk i ka shoqëruar me shkresa. Në deklaratën e ish-ministrit nuk justifikohet burimi i një shumë prej 720.574 lekë, në llogarinë e Bankës “Intesa Sanpaolo”, që gjatë vitit 2013 është shtuar me 160.269 lekë.

Po ashtu, në deklaratën e Bodes bie në sy fakti se nuk ka dokumentacion për shlyerjen e kredisë për banesën e blerë me kredi nga Enti i Banesave, e shlyer plotësisht me këstin e fundit prej 1.520.415 lekë. Edhe për këtë veprim, sipas ILDKP mungojnë shkresat përkatëse.

Ndërkohë që, në pasurinë e deputetit të PD-së, bie në sy shtesa e rreth 27 milionë lekë, (rreth 270 mijë USD me kursin 1 usd/100 lekë) që ka pësuar banesa e tij për shkak të rivlerësimit. Banesa me vlerë tregu prej 3.6 milionë lekë është shtuar nga rivlerësimi me 27.357.000 lekë.

Bode ka deklaruar se të ardhurat nga paga dhe shpërblimet si ministër për një vit ka fituar 1.4 milionë lekë, ndërkohë që nga paga si deputet 677.561 lekë. Po ashtu, ish-ministri ka përfituar 18 mijë euro nga qiraja e një shtëpie. Për këtë deputeti ka dorëzuar edhe kontratën, por nga sasia e parave duket qartë që nuk bëhet fjalë për një shtëpi “modeste”. Ndërkohë që ka fituar interesa nga bonot e thesarit në Bankën e Shqipërisë 71.000 lekë.

BASHKËSHORTJA Bashkëshortja e deputetit demokrat, Jola Bode (Xhafo) ka deklaruar panë ILDKP-së se disponon dy apartamente në Tiranë. I pari në zonën e Komunës së Parisit, i rivlerësuar me 6.6 milionë lekë. Ndërkohë që apartamenti i dytë në rrugën Samir Frashri, kap vlerën e 175 mijë eurove.

Bashkëshortja e Bodes ka theksuar se ky apartament është blerë nga kursimet personale. Po ashtu, ajo disponon një garazh makine që e ka blerë bashkë me apartamentin me vlerën 7.790 euro. Bashkëshortja e ish-ministrit ka deklaruar 7.8 milionë lekë bono thesari, të cilat i ka nga kursimet e saj në Bankën e Shqipërisë. Po ashtu disponon dy llogari rrjedhëse me shumë prej 1.4 milionë lekë dhe 472.203 lekë.

VAJZA
Adela Bode, vajza e ishministrit të Financave, ka deklaruar se në vitin 2013 ka arritur të fitojë 22.593 euro nga puna pranë një kompanie private “Alba Trade Handles”, ndërkohë që ka qenë e punësuar dhe pranë Bankës së Shqipërisë. Në deklarimin e pasurisë, Adela Bode ka nënshkruar se ka fituar 945.372 lekë nga konsulenca pranë kompanisë “Ava Consalting”.

Ndërkohë që vajza e deputetit të PD-së ka deklaruar se ka blerë një makinë Audi, me vlerë 990.000 lekë, për të cilën nuk ka vënë në dispozicion asnjë dokumentacion. Në dy llogaritë rrjedhëse, Adela Bode rezulton se ka pakësuar te depozitat me 2 mijë euro dhe me 88.565 lekë. Në deklarimin e saj bie në sy dhe 345.441 lekë, të fituara nga barrëlindja. FATION BINJAKU

PASURIA RIDVAN BODES

RIDVAN BODE
1. Bono Thesari (Gj.31.12.13) (5.220.000 lekë)+ 630.000 lekë të shtuara.
2. Eraldo Bode, Bono thesari (Gj.31.12.13)-( 1.950.000)+ 120.000 lekë të shtuara.
3. Ridvan Bode, Rivlerësim i apartamentit të banimit Ad. “Marsel Kashen”. Zona kadastrave 938.
(Vlerësuar 31.030.000 lekë, vlera fillestare V.2000 ishte 3.673.000 lekë.
+ 27.357.000 lekë (rivlerësuar me rritje njëzet e shtatë milionë e treqind e pesëdhjetë e shtatë lekë).
4. Ridvan Bode, Llogari rrjedhëse BKT Gj. 31.12.12. ishte: 2.032.477, gj, 31.112.13: (369.254)
(-1.669.22 lekë pakësuar).
5. Ridvan Bode, llogari rrjedhëse Sanpaolo Bank Gj. 31.12.12 ishte: 560.278, gj. 31.12.13, 720.574
(+160.269 lekë të shtuara).
RIDVAN BODE, TË ARDHURA NGA PAGA DHE SHPËRBLIMET SI MINISTËR I FINANCAVE
1. (1.401.542 lekë, një milion e katërqind e një mijë e 542 lekë).
2. Të ardhura nga paga dhe shpërblimet si deputet i Kuvendit (677.561 lekë, gjashtë qind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e 561 lekë).
3. Të ardhurat nga pagesat kalimtares ISSH (87.542 lekë, tetëdhjetë e shtatë mijë e 542 lekë).
4. Të ardhurat nga qiraja e shtëpisë sipas kontratës (18.000 euro).
5. Të ardhura nga interesat e bonove të thesarit BSH. (71.000 lekë ,shtatëdhjetë e një mijë lekë).
6. Eraldo Bode, të ardhura nga pensioni familjar Janar-Gusht (50.536 lekë, pesëdhjetë e pesë mijë e tridhjetë e gjashtë lekë).
7. Eraldo Bode, të ardhura nga Bono Thesari BSH. (151.470 lekë njëqind e pesëdhjetë e një mijë e 470 lekë).
8. Eraldo Bode, të ardhura nga puna shtator-dhjetor Balfin C. (203.358 lekë, dyqind e tremijë e 358 lekë).
PËRSHKRIMI I DETYRIMEVE
1 -Kredi shtëpie (fillimi vitit 200) në lekë Enti Kombëtar i Banesave (1.520.415 lekë – shlyer plotësisht).
2. Kredi në euro (fillimi i vitit 2007) 
– Raiffeisen Bankë e shlyer deri (4.025 euro).
– Të mbetura pa shlyer 12. 540 euro.
BASHKËSHORTJA JOLA BODE (XHAFO)
1. Bono thesari pranë Bankës së Shqipërisë nga kursimet e mia. Gj. 31.12.13 (7.850.000, shtatë milionë e tetëqind e pesëdhjetë mijë lekë).
2. Dy llogari rrjedhëse Procredit Gj. më 31.12.13 (472.203 lekë).
3. Llogari rrjedhëse në BKT, Gj. më 31.12.13 (1.491.099 lekë).
4. Apartament banimi Komuna Parisit, sip. 57.4 m2, blerë nga shitja e banesës së privatizuar në 1992 me vlerë 3 milionë lekë. Rivlerësuar në vitin 2013 me vlerën 6.687.100 (gjashtë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e 100 lekë).
5. Jola Bode, apartament banimi Rr. “Sami Frashri”. Sipërfaqe 203.1 m2, blerë nga shitja e pronës ap. banimi në zonën kadastrale nr. 8150 për 156 mijë euro si dhe nga kursimet personale.
Vlera e apartamentit 175.000 euro.
6. Jola Bode, garazh makine, zona kadastrave nr.8270, dhënë pa pagesë nga shitësi si pjesë dhe në pagesën e apartamentit të mësipërm.
Vlera 7.790 euro.
ADELA RIDVAN BODE
1. Adela Bode, llogari rrjedhëse në euro BKT Gj. 31.12.13 (- 2 mijë euro pakësuar).
2. Llogari rrjedhëse në lekë BKT Gj. 31.12.13, ishte 39.880 lekë,
Pakësuar me -88. 565 lekë.
3. Blerje autoveture “Audi” me targa AA410GF, Vlera 990.000 lekë.
Përshkrimi i të ardhurave
1. Adela Bode, të ardhura nga paga e shpërblimet nga Banka e Shqipërisë (673.849 lekë, gjashtëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e 849 lekë).
2. Të ardhura nga barrëlindja ISSH (345.441 lekë).
3. Të ardhura nga interesat e bonove të thesarit BSH (24.800 lekë).
4. Të ardhura nga puna në kompaninë “Alba Trade Handles” (22.593 euro).
5. Të ardhura nga konsulenca në kompaninë “Ava Consalting” (945.372 lekë).

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura