“Zbrazja e hidrocentralit të Fierzës duhet të jetë objekt hetimi”/ Eksperti i ekonomisë: Qeveria mori masa periferike, s’mbron qytetarët. Nuk rregullohet tregu me vendime arbitrare

Apr 2, 2022 | 11:52
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, është i mendimit se qeveria nuk po i mbron qytetarët nga rritja e çmimeve pasi ajo po mundohet vetëm t’i “qetësojë” konsumatorët për efektet e krizës.

zef_preci

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Preçi thotë se qeveria nuk ka marrë asnjë masë të drejtpërdrejtë për krizën, pasi paketat e propaganduara prej saj ishin të parashikuara në buxhetin e vitit 2022. Eksperti i ekonomisë ironizon kontrollin e çmimeve në terren, duke u shprehur se tregu nuk rregullohet me vendime arbitrare dhe konsulta në tavolinat qeveritare, po përmes kërkesë-ofertës. I pyetur për zbrazjen e hidrocentralit të Fierzës, Preçi shprehet se është i mendimit që ky veprim duhet të jetë objekt i një hetimi nga organet ligjzbatuese.

INTERVISTA

Shqipëria është duke u përballur me një rritje të ndjeshme të çmimeve. Sipas jush, cilët janë faktorët që e kanë shkaktuar këtë krizë dhe sa po prekin ato xhepat e shqiptarëve?!

Rritja e çmimeve është fakt i njohur, ashtu si edhe faktorët që e kanë shkaktuar atë. Rritja e çmimeve në ekonominë tonë kombëtare, në familjet tona, në biznese ndodh për shkak të krizës ekonomike botërore, por edhe për shkak të problemeve që ekonomia jonë ka pasur dhe ka në vazhdimësi, të pavarura nga koj krizë. Sa i takon mekanizmave të ndikimit të ekonomisë botërore në ekonominë tonë kombëtare bëhet përmes çmimeve të karburanteve dhe energjisë elektrike për atë pjesë që importohet. Çmimeve të imputeve bujqësore, plehrave kimike dhe çmimeve të drithërave. Gjendja e ekonomisë tonë kombëtare, aftësia e saj për të plotësuar nevojat e tregut të brendshëm dhe për të konkurruar në rajon dhe BE shfaqet pikërisht në kohë krize. Fakti që Shqipëria vazhdon të funksionojë si një ekonomi post koloniale që eksporton lëndë të para të papërpunuara dhe importon produkte të nevojshme në masë të konsiderueshme. Kjo rritje çmimesh është saktësisht ajo çka është kritikuar me kohë. Mungesa e vizionit, mungesa e strategjive mosrespektimi i strategjive të ndërtuara dhe shndërrimi i ekonomisë sonë në një ekonomi natyrore, kryesisht bujqësore, por pa ndonjë program zhvillimi. Njëkohësisht, kjo situatë pasqyron edhe mbështetjen e pamjaftueshme përmes buxhetit të shtetit për rimëkëmbjen e ekonomisë, rritjen e fuqisë konkurruese dhe shfrytëzimin e avantazheve krahasuese të saj.

Qeveria ka ndërmarrë 2 paketa për të ndihmuar pensionistët, familjet në nevojë dhe biznesin e vogël. A janë të mjaftueshme këto dy paketa për përballimin e krizës?

Kur flasim për masa korrigjuese për t’iu përgjigjur krizës mendoj se duhet parë përvojat e vendeve të tjera dhe masa apo shuma e parave që shpenzohet duhet parë në përputhje me fuqinë që ka vetë ekonomia jonë kombëtare, buxheti i shtetit. Për mendimin tim paketa e ofruar nga qeveria është marrë nën presion, kryesisht nën presionin e protestave të shoqërisë civile. Qeveria duhet të heq dorë nga qëndrimet e saj arrogante dhe mospërfillëse ndaj një shqetësimi të drejtë të grupeve dhe shtresave që ndikohen nga kriza. Në të njëjtën kohë duhet thënë që fokusi i paketave është riafirmimi i atyre parashikimeve buxhetore për vitin 2022 të miratuara më herët. Nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me krizën. Për mendimit tim, fokusi te disa masa periferike ka vlejtur vetëm për një gjë: për të kuptuar se sa e gjerë është varfëria, sa i madh është numri i personave që ndikohen prej saj. Ndërkohë, masa e popullsisë që jeton më pak se 5.5 dollarë në ditë për frymë është shumë më e madhe sesa raportohet zyrtarisht. Sa e dobishme është masa? Do ishte e dëshirueshme që qeveria të ndjekë ato rrugë që ndjek e gjithë bota e qytetëruar. Për shtresat në nevojë të rikthehet te minimumi jetik, ta njohë dhe përdorë si bazë për të korrigjuar mbështetjen shtetërore për shtresat në nevojë, përfituesve të ndihmës ekonomike, personave me aftësi të kufizuar dhe personave në pension minimal. Në qoftë se sot do të kishte një program që të rrisim 4-fish mbështetjen ndaj bujqësisë, të heqim nga axhenda PPP-të që janë të parakohshme, të panevojshme dhe të diskutuara gjerësisht si të dyshuara për korrupsion kjo do të ishte tregues jo vetëm i vullnetit të mirë, por edhe i mbështetjes reale. Për fat të keq, këto nuk kanë ndodhur dhe paketa e ofruar deri më sot mendoj se është, subjekt i rishikimit edhe në të ardhmen, së bashku me rishikimin e domosdoshëm, e pashmangshëm të buxhetit të vitit 2022.

Qeveria ka vendosur çmime tavan për karburantet dhe disa produkte të shportës, pasi çmimi i tyre është rritur. A është kjo forma e duhur për të zbutur krizën dhe moslejuar rritjen e vazhdueshme të tyre?

Përveç kontestimit të përgjithshëm që koha kur qeveria caktonte çfarë të mbjellësh dhe çfarë të korrësh, sa ta shesësh dhe ku ta shesësh, teorikisht ka marrë fund 30 vjet më parë dhe përdorimi i këtij instrumenti të ndërhyrjes qeveritare në ekonomi është i dëmshëm dhe në vend që ta ndihmojë funksionimin e tregjeve mendoj se e dëmton atë dhe sjell mundësi për të fshehur realitetin që na rrethon. Të gjithë e pranojmë që niveli i informalitetit në ekonominë shqiptarë është midis 30-50 për qind. Informaliteti bëhet nga grosistët e mëdhenj, nga rrjetet e furnizimit me ushqime, karburante etj. Në këto kushte, të fokusohesh në një komision që nuk thotë asgjë për kostot nga burimi, nëse është prodhim vendas apo nga importi, por thjesht mundohet të kontrollojë shitjen me pakicë është e pamundshme të ndodhë dhe e gabuar në princip. Në qoftë se studiohet zinxhiri i vlerave ka nevojë të hidhet dritë mbi kostot dhe përfitimet në çdo hallkë për të parë se cilat hallka mund të ndikohen dhe mënyra e ndikimit më të mirë në këto hallka. Mungesa e rezervës së sigurisë, abuzimi në ushtrimin e kësaj detyre nga ministrat përgjegjës për ekonominë, pasi rezerva e sigurisë ka 20 vjet që është e fiksuar në ligj, do të thotë që qeveria në vend që të ngrejë komisione është e mira që të importonte një sasi nafte dhe gazi dhe ta përdorte si instrument për të balancuar tregun, për të krijuar konkurrencë në treg. Nuk rregullohet tregu me vendime arbitrare dhe as konsulta individësh në tavolinat qeveritare. Tregu vetërregullohet vetëm përmes mekanizmit të kërkesë-ofertës. Qeveria po ndjek një rrugë që më shumë qetëson protestën, por kurrsesi nuk mbron konsumatorin, atë që ndëshkohet nga kriza. Në këtë krizë ka dy anë që s’mund të injorohen, paniku dhe spekulimi. Të dyja kanë qenë dhe janë prezentë në tregun tonë, por nuk ka asnjë shenjë përveç vizitave prej inspektori të deputetëve dhe ministrave në terren që më shumë u vlen për të = sa i mbështet publiku, sepse ndoshta maxhoranca është duke testuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Ne kemi më shumë se 20 vjet që në drejtorinë e përgjithshme të tatimeve njësitë e inteligjencës financiare, e cila disponon të dhënat për kompanitë duke përfshirë inventarët, gjendjen e mallrave në depo, mallrave të dërguara etj. Janë hedhur hapa të rëndësishëm me fiskalizimin, ku gjej rastin të theksoj se operatorët e mëdhenj janë jashtë këtij procesi edhe pse bëhet propagande dhe flitet për debitë e këtij procesi, por në fakt u ndëshkuan të vegjlit. Mundësitë janë për të kontrolluar çfarë ndodh në secilën hallkë, nga prodhimi tek konsumatori apo nga importi te konsumatori. Mungesa e rezervës së sigurisë është treguesi më komprometues i bashkëjetesës së lidhjes politike drejtuese me biznesin e madh, siç ndryshe njihen si oligarkët.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria dhe a duhet të nxisë subvencionimin në sektorin e bujqësisë si vendet e rajonit?

Bujqësia në Shqipëri ka një sërë problemesh për të zgjidhur. Ndër problemet kryesore është fragmentimi i tokës që nuk lejon përdorimin e mjeteve të mekanizuara, për rrjedhojë rritjen e rendimentit dhe shndërrimin e këtij sektori në sektor konkurrues. Ka nevojë për politika që mbështesin për krijimin e urave ndërmjet prodhimit dhe konsumit. Sot, nuk kemi asnjë politikë që mbështet farat e zgjedhura, fidanët, kafshët e racës në mënyrë që sektori bujqësor dhe agro-përpunimi i lidhur me të zhvillohet. Është e pafalshme që fermerët e Korçës i kalben domatet dhe detyrohen t’i hedhin në lumenj për shkak të çmimit të pafavorshëm. Kjo tregon nga njëra anë mungesën e lidhjeve kooperuese midis prodhimit dhe konsumit, por tregon edhe mungesën e industrisë përpunuese. Në 10 vjet të qeverisjes së Kryeministrit Rama janë pakësuar me 20 për qind numri i lopëve, deleve, dhive dhe kafshëve të prodhimit. Ka nevojë për politika që të nxisin rritjen e rendimentit dhe krijimin e kushteve për të pasur një prodhim vendas më të madh. Kjo i përgjigjet edhe krizës.

Z. Preçi, keni ndonjë koment për krizën energjetike të artikuluar nga qeveria dhe sipas jush pse ka ardhur?

I konsideroj spekulative komentet që bëhen nga Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarët e lartë për blerjen e energjisë elektrike. Pasi nuk ka ndodhur asgjë e veçantë përveç keqmenaxhimit të burimeve hidrike të vendit dhe mungesës së planifikimit në perspektivë të nevojave për energji dhe për rrjedhojë, blerjes në kushtet e emergjencës. Unë do doja që qeveria të shmangë rolin e nxitësit të panikut, por të ndërmarrë masa. Të mos bëjë thirrje për kursim, por të shohë cilat masa sigurojnë lëndë energjetike zëvendësuese. Në qoftë se energjia elektrike e mban të gjithë ngarkesën atëherë ka nevojë të shohë si mund të lehtësohet me lloje të tjera të energjisë. Ka nevojë të rregullojë turnet e punës, sistemin e transportit publik pra, ato politika që në thelb krijojnë mundësi për të ulur presionin mbi energjinë elektrike dhe për të shfrytëzuar burimet që ekzistojnë përfshirë edhe eksportin. Por, jo import në kushte emergjence siç po ndodh. E ka pasur të gjithë hapësirën që para 6 muajsh të parashikonte. Por në qoftë se përdoret energjia për eksport dhe importohet me 4 apo 5-fish kjo është përgjegjësi e qeverisë.

Keni ndonjë koment për zbrazjen e hidrocentralit të Fierzës?

Mendoj se duhet të jetë objekt hetimi, sepse është e pazakontë dhe pajustifikuar, edhe në qoftë se dikush i thotë Kryeministrit dhe ai del dhe na thotë që po ta linim do na përmbytej Nënshkodra, nuk ka pasur asnjë prognozë që e ushqen këtë tezë dhe mendoj se mund të ketë pasur interesa të dyshimta qoftë për eksportin qoftë edhe për ndonjë interes tjetër që lidhet me investimet në atë territor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura