Zbardhet vendimi: Ja pse u mbyll dosja e “21 janarit”

May 24, 2016 | 8:41
SHPËRNDAJE

Gjykata e Lartë zbardhi vendimin e saj mbi dosjen “21 janari”. Ky vendim mbylli përfundimisht çështjen, duke mos pranuar rekursin e Prokurorisë kundër vendimit të Apelit për ish-kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, dhe gardistin, Agim Llupo.

21 janar

Në vendimin e shpallur në dhomë këshillimi, pas më shumë se dy viteve e gjysmë studim të dosjes, Kolegji Penal përmbylli me vetëm një fjali vlerësimin e tij.

“Rekursi i paraqitur nga Prokuroria e Apelit Tiranë dhe të gjykuarit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, nëpërmjet avokatëve të tyre mbrojtës, nuk përmbajnë shkaqe nga ato që parashikon neni 432 i Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në vendimin e zbardhur. Ky nen përcakton shkaqet ligjore për të cilat mund të bëhet rekurs.

Bazuar në këtë arsye, Kolegji Penal i përbërë nga Edmond Islamaj, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj, Artan Zeneli e Shkëlzen Selimi vendosin: “Mospranimin e rekursit të paraqitur nga Prokuroria e Apelit Tiranë dhe të gjykuarit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, nëpërmjet avokatëve të tyre mbrojtës, kundër vendimit nr. 793, datë 18.09.2013, të Gjykatës së Apelit Tiranë”.

VENDIMI

Në vendimin e përbërë nga 14 faqe në total, një kopje e të cilit u siguria nga gazeta, Kolegji Penal rrëfente rrugën që ka ndjekur dosja nga Shkalla e Parë në Apel dhe pretendimet e paraqitura nga palët në rekursin e depozituar në Gjykatën e Lartë.

Gjykata e Lartë parashtron se Ndrea Prendi dhe Agim Llupo u deklaruan të pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë për akuzën e “vrasjes me dashje” ndaj demonstruesve Faik Myrtaj e Ziver Veizi. Më tej, duke iu referuar vendimit të Apelit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë përmend se dy ish-funksionarët e Gardës u fajësuan për “vrasje nga pakujdesia” dhe u dënuan përkatësisht Prenga 1 vit burg dhe Llupo me 3 vjet. Në rekursin e paraqitur për Ndrea Prendin, Prokuroria pretendonte se Apeli kishte gabuar në vlerësimin e tij.

Sipas Prokurorisë, Prendi jo vetëm që ka parashikuar pasojat që do të shkaktonte, por edhe e ka dëshiruar ardhjen e tyre. Po sipas rekursit të Prokurorisë, Apeli ka injoruar faktin që Prendi ka dëmtuar gjilpërën e armës së tij me synim zhdukjen e provave. Në rekursin për Llupon Prokuroria pretendonte se ai e ka vrarë me dashje direkte Ziver Veizin.

Më tej Gjykata e Lartë radhiste pretendimet e të pandehurve Prendi e Llupo, të cilët kërkonin pafajësi, me pretendimin se kanë zbatuar ligjin gjatë veprimeve të tyre dhe se i drejtë kishte qenë vendimi i shkallës së Parë dhe jo i Apelit.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura