Zbardhet vendimi i plotë i Kushtetueses: Pacolli të ikë

Mar 31, 2011 | 12:06
SHPËRNDAJE

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur dje vendimin e plotë në lidhje me gjykimin e ligjshmërisë gjatë procesit të votimit të Presidentit Behgjet Pacolli, të cilin e ka vlerësuar antikushtetues.Në kërkesën e nënshkruar nga 25 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nga 9 deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, mbi shkeljen e Kushtetutës gjatë procesit të votimit të Presidentit, Gjykata ka vlerësuar se ata kanë të drejtë në dy pika dhe nuk i ka mbështetur në një pikë. Përkatësisht, në çështjen e paraqitjes së një kandidati të vetëm, gjykata ka vlerësuar se është shkelur Kushtetuta e Kosovës. Po ashtu edhe në çështjet e numrit të deputetëve që ka votuar në këtë seancë, ku sipas Kushtetutës duhet të jenë të pranishëm dy të tretat e të gjithë (120) deputetëve të Kosovës, që do të thotë se duhej të ishin të pranishëm 80 deputetë. Ndërkohë që gjatë votimit, opozita ka braktisur sallën, duke lënë të votojnë vetëm 67 deputetë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, që në momentin që në sallë nuk ishin të pranishëm 80 deputetë, votimi duhej të ishte ndërprerë. Çdo hap i hedhur më pas ka qenë shkelje e Kushtetutës, vlerësoi Gjykata më e lartë në Kosovë. Në lidhje me pushimin pas raundit të dytë, gjykata ia ka veshur përgjegjësinë Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, i cili sipas saj nuk duhej ta kishte lejuar pushimin, ose të paktën duhej të kishte njoftuar që në fillim të seancës se me rregulloren e Kuvendit dhe me Kushtetutë, gjatë këtij votimi nuk duhet të ndërpritet seanca, gjë që nuk e ka bërë. Pikën e tretë të ankesës Gjykata Kushtetuese nuk e ka cilësuar shkelje. Sidoqoftë, gjithçka në përmbajtjen e dy pikave të para, mbi çështjen e kandidatit të vetëm dhe numrit të deputetëve që votuan, kanë mjaftuar që gjykata ta quajë të jashtëligjshme zgjedhjen e Presidentit, duke e larguar atë menjëherë nga detyra. Kundër këtij vendimi kanë qenë dy nga nëntë gjykatësit e Kushtetueses, gjyqtarët Robert Carolan dhe Almiro Rodrigues.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Argumentet e parashtruesve të kërkesës (Sabri Hamiti dhe deputetët e tjerë – 25 nga LDK dhe 9 nga AAK)
1. Mungesa e kuorumit që mundësonte zgjedhjen e Presidentit
Neni 86(4) i Kushtetutës siguron se: “Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, 2/3 e shumicës të 120 deputetëve është 80 deputetë, i cili është kuorumi i nevojshëm që nevojitet për të proceduar me zgjedhjen e Presidentit. Gjatë seancës të jashtëzakonshme të Kuvendit, gjatë raundit të parë të votimit, ishin të pranishëm vetëm 67 deputetë.
2. Mungesa e ndonjë kundër-kandidati gjatë procedurës së votimit të Presidentit
Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të kishte ndodhur pas nominimit të më shumë se një kandidati, sipas nenit 86.5, i cili siguron se: “Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës”.
3. Ndërprerja e votimit në kundërshtim me Rregulloren e punës të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Përmbledhja e fakteve

Më 21 shkurt 2011, Kryetari i Kuvendit ftoi deputetët për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme më 22 shkurt 2011. Në rendin e ditës u paraqit edhe zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës.
I vetmi kandidat i propozuar ishte z. Behgjet Pacolli.
Gjatë votimit, nuk morën pjesë partitë opozitare: LDK, AAK dhe Vetëvendosja. Të pranishëm ishin vetëm 67 deputetë.
Pas raundit të parë të votimit, Kryetari i Kuvendit deklaroi se nga këta 67 deputetë, vetëm 54 deputetë kishin votuar PËR.
Kuvendi mbajti edhe një raund te dytë, pas të cilit, Kryetari i Kuvendit deklaroi se nga 67 deputetë, 58 deputetë votuan PËR.
Kryetari i Kuvendit shpalli edhe një raund tjetër votimi. Megjithatë, PDK (Partia Demokratike e Kosovës) kërkoi një pushim, i cili fillimisht u refuzua nga Kryetari i Kuvendit. Pas pushimit, u mbajt raundi i tretë i votimit, në të cilin Kryetari i Kuvendit deklaroi se nga 65 deputetë, 62 votuan PËR. Pas raundit të tretë të votimit, Kryetari i Kuvendit, z. Jakup Krasniqi, konkludoi se z. Behgjet Pacolli zgjidhet President i Republikës së Kosovës.
Vlerësimi ligjor i kërkesës lidhur me numrin e kandidateve
Gjykata vëren se z. Behgjet Pacolli, si kandidat për President i Republikës së Kosovës, paraqiti nënshkrimet e 64 deputetëve. Është e qartë se grupet parlamentare që e lëshuan dhe nuk morën pjesë në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur më 22 shkurt 2011, nuk e shfrytëzuan mundësinë kushtetuese për të nominuar një kandidat tjetër për President të Republikës së Kosovës.
Gjykata vëren se korniza kushtetuese qëndron e heshtur lidhur me numrin e kandidatëve për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Megjithatë, ndryshe nga korniza kushtetuese, neni 86 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përmend në mënyrë të qartë (jo-ambigue) se duhet të ketë më shumë se një kandidat në raundin e parë dhe të dytë, si dhe në raundin e tretë. Procedura e zgjedhjes është krijuar me qëllim që të sigurojë, që më shumë se një kandidat i nominuar për t’u zgjedhur si President, ai, që me shumicën e votave do të zgjidhej si përfaqësues i popullit të Kosovës. Lidhur me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, siç parashihet në nenin 86.6 të Kushtetutës, Gjykata thekson se nëse deputetët paraqesin vetëm një kandidat për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, kushtet formale për të vënë në lëvizje procedurën e zgjedhjes nuk janë plotësuar. Në një situatë të tillë, çdo procedurë e cila u pasua me vetëm një kandidat për t’u zgjedhur President i Republikës së Kosovës, ka qenë kështu shkelje e nenit 86 të Kushtetutës.
Gjykata konkludon se procedura për zgjedhjen e z. Behgjet Pacolli si President i Republikës së Kosovës, mbajtur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, më 22 shkurt 2011, përbën shkelje të nenit 86 të Kushtetutës dhe prandaj është kundërkushtetuese.
Lidhur me votimin në Kuvend
Gjykata thekson se sipas nenit 27 të Rregullores së punës së Kuvendit, anëtarët e Kuvendit do të pajtohen me Kodin e sjelljes, i cili është i bashkëngjitur me Rregulloren. Gjykata vëren se lidhur me numrin e votave që kërkohet për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, neni 86.4 i Kushtetutës siguron se Presidenti i Republikës së Kosovës do të zgjidhet me dy të tretat(2/3) e “votave të të gjithë deputetëve” të Kuvendit, që do të thotë se të gjithë 120 deputetët duhet të votojnë, minus ata deputetë të cilët kanë marrë leje nga Kryetari i Kuvendit, dhe kandidati i cili merr 80 ose me shume vota nga votat e të gjithë deputetëve në raundin ë parë dhe të dytë do të zgjidhet. Vetëm nëse nuk arrihen dy të tretat e shumicës, mbahet raundi i tretë.
Nga procesverbali i seancës së jashtëzakonshme, mbajtur më 22 shkurt 2011, shihet se para se të fillonte votimi, fillimisht ishin të pranishëm 81 deputetë. Kur votimi filloi, vetëm 67 deputetë ishin të pranishëm dhe morën pjesë në votim, ndërsa deputetët e tjerë ishin larguar nga salla e Kuvendit.
Gjykata konkludon se, meqë vetëm 67 deputetë morën pjesë në procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, mbajtur më 22 shkurt 2011, neni 86 i Kushtetutës u shkel.
Pushimi
Ankesa e parashtruesve se u mbajt një pushim para se të mbahej raundi i tretë i votimit, sipas mendimit te Gjykatës, nuk përbën shkelje kushtetuese. Megjithatë, nëse Kuvendi do të kishte vendosur që të mos e lejonte atë pushim, ose nëse Kryetari i Kuvendit, si interpretuesi përfundimtar i Rregullores së punës, të kishte informuar deputetët që gjatë votimit nuk do të lejohen pushime, me qëllim që të shmanget presioni i ushtruar mbi deputetë, atëherë pushimi para raundit të tretë do të kishte përbërë shkelje të atij vendimi. Prandaj, lidhur me ankesën e parashtruesve se ka shkelje të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës, kur u lejua dhënia e pushimit para raundit të tretë, Gjykata konkludon se parashtruesit nuk kanë paraqitur dëshmi, pse një shkelje e atij neni duhej të kishte ngjarë.
PER KETO ARSYE GJYKATA, në seancën e mbajtur më 28 mars 2011,
I. SHPALL njëzëri se Kërkesa është e PRANUESHME.
II. SHPALL, me shtatë vota pro dhe dy kundër, se Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, më 22 shkurt 2011, është jo-kushtetues dhe nuk do të jetë në fuqi nga data e publikimit të tij në përputhshmëri me nenin 116.3 të Kushtetutës, meqenëse është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty.
III. Ky Aktgjykim do t’u njoftohet palëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20(4) te Ligjit. IV.
Ky Aktgjykim do të ketë efekt të menjëhershëm.
Mendim mospajtues i gjyqtarëve Robert Carolan dhe Almiro Rodrigues
Kuorumi
Shumica, së paku në mënyrë implicite, gabimisht konkludon që përkufizimi i “kuorumit” për qëllime të zgjedhjes së një Presidenti, është njësoj si numri minimal i votave që një kandidat i suksesshëm për President duhet t’i marrë për t’u zgjedhur dhe që ai numër minimal i votuesve duhet të jetë i pranishëm me rastin e hapjes se seancës. Kuorumi dallon nga votimi. Kuorumi është “numri minimal i anëtarëve të një kuvendi votues të nevojshëm për ta zhvilluar punën”. Votimi nga anëtarët e organit legjislativ është pjesë e punës së atij organi legjislativ. Rregullat që zbatohen për cilindo prej tyre, mund të jenë, dhe shpesh janë të ndryshme. Në përputhje me paragrafin 3 të nenit 69 të Kushtetutës, “Kuvendi i Kosovës ka kuorum kur janë të pranishëm më shumë se gjysma (1/2) e te gjithë deputetëve të Kuvendit”.
Numri i kandidatëve
Kandidati i suksesshëm duhet të nominohet nga së paku 30 deputetë të Kuvendit. Prandaj, maksimumi prej katër dhe minimumi prej një kandidati, mund të ekzistojë. Megjithatë, shumica gabimisht konkludon që Kuvendi i Kosovës nuk mund ta zgjedhë Presidentin e Kosovës nëse së paku 60 deputetë nuk i nominojnë dy kandidatë të ndryshëm për President, madje edhe në një situatë në të cilën ata të gjithë mund ta mbështesin vetëm njërin kandidat.
Pasojat e aktgjykimit
Duke deklaruar që procesi zgjedhor i 22 shkurtit 2011 e shkeli Kushtetutën, kjo gjykatë deklaroi që Kuvendi nuk e kishte zgjedhur Presidentin pas raundit te tretë të votimit. Kushtetuta më pas urdhëron shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja të përgjithshme brenda 45 ditësh. Vendimi i sotëm i gabuar i Gjykatës, që nuk mund të jetë pa pasoja, e imponon atë përfundim. Gjykata, duke deklaruar thjesht që procesi zgjedhor i 22 shkurtit 2011 e shkeli Kushtetutën, në mënyrë implicite pranon që nuk ka kompetencë për t’i urdhëruar Kuvendit që të rivotojë. Pasi Gjykata nuk ka kompetence për ta shpallur zgjedhjen jokushtetuese pa asnjë mjet, vendimi i shumicës imponon shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja të përgjithshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura