Zbardhet udhëzimi/ Mësuesit në provim më 20 korrik për shtesën në pagë. Pezullohen nga puna ata që…

Jul 8, 2020 | 11:36
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA / Më në fund ka një datë provimi për mësuesit që duan të përfitojnë rritje profesionale e financiare.mesues-testimi

Ministria e Arsimit ka caktuar 20 korrikun për provimin e kualifikimit, efektet e të cilit në pagë nuk do të jepen që në korrik, siç ndodh çdo vit, por në shtator. “Provimi me shkrim për kategoritë e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar për vitin shkollor 2019-2020 do të zhvillohet në datën 20.07.2020, ora 10:00-12:30, në Tiranë, në mjedise të planifikuara nga QSHA”, thuhet në njoftimin e shpërndarë zyrave vendore arsimore.

Pjesë e provimit për kualifikim bëhen çdo vit rreth tre mijë mësues që kanë mbi pesë, dhjetë apo njëzet vite punë dhe kandidojnë për kategoritë: “mësues i kualifikuar”, “mësues specialist” dhe “mësues mjeshtër”.

Fillimisht u caktua 4 prilli për provimin e sivjetmë, mbajtja e të cilit u shty jo për shkak të pandemisë, por për disa ndryshime në udhëzim që penalizonin mësuesit që dilnin “dobët” në provim. Me gjithë kundërshtitë e grupeve të interesit që u ftuan në tryeza bisedimesh dhe dhanë sugjerime, udhëzimi u miratua në heshtje, pa mw tw voglin ndryshim.

PENALITETET

Mësuesit që nuk e marrin dot provimin për dy herë radhazi të çdo kategorie qofshin (edhe ata me mbi 20 vite punë që kandidojnë për kategorinë “mjeshtër”) praktikisht humbasin vendin e punës. Udhëzimi nr. 8 i miratuar përpara pak muajsh për “Kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve” përcakton në nenin 18 të tij se mësuesi ngelës pezullohet nga detyra deri në momentin që merr pikët e duhura për kualifikimin. Kështu, jo vetëm që nuk i rritet paga, efekt i pritshëm që kryesisht nxit mësuesit të testohen, por edhe i ndërpritet çdo marrëdhënie financiare me shkollën.

Për më tepër, hera e dytë e testimit nuk mund të jetë kurdo që mësuesi të ndihet gati, por në sesionin pas atij që rezultoi ngelës. “Kandidatët, për të gjitha kategoritë e kualifikimit profesional, që futen në procesin e kualifikimit, duke filluar nga ky vit, në rast se nuk e kalojnë me sukses provimin, e rijapin detyrimisht në sesionin pasardhës. Kandidatët që nuk paraqiten në provim, ose nuk e përfundojnë provimin konsiderohen që nuk e kanë kaluar me sukses atë. Në rast se nuk marrin provimin edhe në sesionin pasardhës, pezullohen nga detyra deri në momentin e kalimit të provimit me sukses. Kandidatit i pezullohen efektet financiare në periudhën e pezullimit dhe vendi i punës shpallet përkohësisht i lirë”, citohet në udhëzim.

SHTESA PËR KALUESIT

Ekspertët që kanë ndryshuar udhëzimin e provimit për kualifikim nuk kanë sjellë asgjë të re mbi efekteve financiare për kaluesit. Shtesa është po ajo. 5, 10 dhe 20 për qind. Edhe përllogaritja do të vijojë të bëhet mbi një udhëzim të vjetër, mbi pagën bazë që është 14 mijë, dhe jo neto.

Rreth 25 vite më parë, me vendimin nr. 537 të datës 26.09.1994, përcaktohet edhe sot e kësaj dite rritja që përfitojnë mësuesit në rast se rezultojnë kalues në provimin e kualifikimit. Më konkretisht, një “mësues i kualifikuar” (kategoria e tretë), me minimalisht pesë vite përvojë, përllogaritet të ketë në llogarinë e tij nga shtatori 700 lekë më shumë, një mësues specialist (kategoria e dytë) me dhjetë vite punë, afro 1400 lekë, ndërsa “mësuesi mjeshtër” (kategoria e parë)me mbi 20 vite përvojë në arsim përfiton 2800 lekë mbi pagën me të cilën trajtohet aktualisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura