Zbardhet skema e pasaportave false

Jul 29, 2011 | 14:59
SHPËRNDAJE

Zbardhet skema e pajisjes së shtetasve kosovarë me pasaporta biometrike shqiptare me identitete të rreme. Gjithçka fillonte me një certifikatë
të lëshuar nga njësitë bashkiake në Tiranë. Certifikata duhej të ishte e një shtetasi shqiptar të papajisur me pasaportë biometrike. Zotëruesi i
vërtetë i identitetit nuk kishte absolutisht dijeni për veprimin, pra se në emër të tij po lëshohej një pasaportë biometrike. Në vijim, me këtë certifikatë shtetasit kosovarë paraqiteshin për të aplikuar për pasaportë biometrike
me procedurë të përshpejtuar në njësitë bashkiake kryeqytetase. Më parë ata instruktoheshin mirë për gjeneralitetet e tyre të reja. Gjatë kohës
së pritjes për daljen e pasaportës, aplikuesit akomodoheshin në një hotel pranë Saukut, nën kujdesin e personave që do t’i ndihmonin për pajisjen
me pasaportë. I gjithë “shërbimi” kushtonte 4 mijë e 500 deri në 5 mijë euro. Vendimi gjyqësor i Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së
sigurisë “arrest me burg” ndaj Ylvi Shkallës zbardh detaje mbi skemën e pajisjes së shtetasve kosovare me pasaporta biometrike, me identitete shtetasish shqiptarë. Sipas hetimeve paraprake, kosovarët e interesuar
kontaktonin me Luz Bisakun. Ky i fundit dyshohet se u merrte atyre 4500 euro, 2500 nga të cilat i mbante vetë dhe pjesa e mbetur i jepej Ylvi
Shkallës dhe Eduart Stavasnit. Ndaj të dyshuarve Bisaku, Shkalla dhe Stavasani Gjykata e Tiranës caktoi pak ditë më parë masën e sigurisë “arrest me burg”. Sipas gjykatës, “i dyshuari Ylvi Shkalla është në rolin e
organizatorit”. Ata akuzohen për veprën penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve, të pasaportave ose të vizave”.

HETIMI
Më dt. 19.07.2011, shtetasi Xhevat U. është paraqitur në sportelet e kompanisë “Aleat” ku ka tërhequr një pasaporte biometrike në emër të shtetasit Artur C., banor i Tiranës. Disa momente më vonë, ky shtetas
është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, ku i janë sekuestruar një pasaporte biometrike shqiptare me nr. BR9979***, leje drejtimi automjeti në emër të shtetasit Artur C. dhe kartë identiteti në
emër të të arrestuarit me nr. ID 03416***. Të njëjtat veprime ka
kryer dhe shtetasi kosovar Zef B. i cili ka marrë një pasaportë biometrike në emër të shtetasit shqiptar Gazmir L. më datë 29.06.2011. Për këtë pasaporte
ai i ka paguar 4500 euro shtetasit Luz Bisaku. Të njëjtën shumë do të paguante dhe shtetasi Xhevat U., i cili për këtë qëllim i kishte lënë peng Luz Bisakut automjetin e tij tip “Golf” deri në pagimin e plotë të shumës. Këta
shtetas kanë ardhur në Tiranë të shoqëruar nga Luz Bisaku në të njëjtën kohë kur janë takuar me shtetasit Ylvi Shkalla dhe Eduard Stavasani. Pas instruktimeve të rastit prej tyre, kanë aplikuar në Njësinë Bashkiake
Nr. 10 në emër të shtetasve Artur C. dhe Zef B. Gjatë qëndrimit në Tiranë kanë qëndruar te një hotel që ndodhet në periferi të Tiranës në rrugën Tiranë-Elbasan. Pagesat për akomodimin në këtë hotel kryheshin nga
shtetasi Ylvi Shkalla. Shtetasi Zef B. ka aplikuar dhe ka marrë  pasaportën në fund të muajit qershor, ndërsa Xhevat U. ka aplikuar po atë ditë, por ka
ardhur për ta marrë pasaportën në datë 19.07.2011. Certifikatat në emër të shtetasve Artur C. dhe Gazmir L., të përdorura përkatësisht nga Xhevat
U. dhe Zef B., janë nxjerrë nga nëpunësja e Gjendjes Civile e Njësisë Bashkiake
Nr.7, shtetasja Afërdita Sukniqi. Për nxjerrjen e tyre është interesuar shtetasja Diana Rexho, punonjëse në Njësinë Bashkiake Nr.7. Në mënyrë të përmbledhur, shtetas kosovar të interesuar për nxjerrjen e pasaportave
biometrike kanë kontaktuar me shtetasin Luz Bisaku, i cili kërkonte 4500 euro, nga të cilat 2500 euro i mbante për vete. Shuma tjetër prej 2000 eurosh iu jepej shtetasve Ylvi Shkalla dhe Eduart Stavasani, të cilët
merrnin përsipër nxjerrjen e pasaportave biometrike për këta dhe akomodimin e tyre për ditët e qëndrimit në Shqipëri. Te Gjendja Civile e Njësisë Bashkiake 7 shkonte shtetasja L.S., e cila me ndihmën e shtetases Diana Rexho bënte të mundur nxjerrjen e certifikatave në emër të shtetasve
shqiptar për t’u përdorur më pas për nxjerrjen e pasaportave biometrike. Përpara se të aplikonin, shtetasit kosovarë instruktoheshin prej Ylvi Shkalles
dhe Eduart Stavasanit për gjeneralitetet e tyre të reja.

Hetimi, sekserët të informuar për qytetarët e papajisur me pasaportë

TIRANE – Në vendimin e Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasve të akuzuar për falsifikimin e pasaportave biometrike,
thuhet se Prokuroria ka dyshime për punonjës të ALEAT si të implikuar në këtë çështje. Ndonëse prova konkrete nuk dihet ende të ketë, nga hetimet e deritanishme disa indicie lënë për të dyshuar. Sipas burimeve, Njësia Task-
Force në Prokurorinë e Tiranës ka zbardhur faktin se shtetasit kosovarë që aplikonin për pasaportë biometrike nuk kanë gabuar asnjëherë. Sekserët kanë
qenë gjithnjë të informuar për identitetin e shtetasve shqiptarë që kanë zgjedhur për ta mbivendosur me foton e shtetasve kosovarë dhe ndërthurja e këtyre të dhënave printohej në pasaportë. Identitetet më të përdorura
në këto raste kanë qenë ato të emigrantëve që, duke mos qenë në Shqipëri, nuk kanë aplikuar për pasaporta biometrike. Pikërisht posedimi i
një informacioni të tillë dhe përzgjedhja e shtetasve shqiptarë që nuk kishin aplikuar ende për dokument biometrik, ka ngritur dyshimet se sekserët
që merreshin me këtë aktivitet, kanë pasur ndonjë bashkëpunëtor të brendshëm. Një tjetër element dyshues është se shtetasit të cilëve u vidhej identiteti, janë përzgjedhur të kishin ditëlindje dhe të dhëna të tjera të
përafërta me personat që merrnin pasaportat e falsifikuara. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes mësohet se shtetasit që vinin nga Kosova dhe pajiseshin
me certifikata në Shqipëri për t’u paraqitur më pas për aplikim për pasaportë, kanë zgjedhur gjithnjë variantin e  prodhimit të përshpejtuar të
dokumentit. Nisur nga mundësia që kompania ALEAT ka krijuar që shtetasit ta tërheqin pasaportën 48 orë pas aplikimit kundrejt pagesës prej 150 mijë
lekësh, shtetasit nga Kosova nuk kanë refuzuar në asnjë rast të ndjekin
këtë procedurë, e cila i siguron 9 mijë lekë të reja fitim më shumë kompanisë prodhuese se sa në rastet e aplikimeve të zakonshme. Sipas burimeve nga
Prokuroria, falsifikimi i pasaportave biometrike është zbuluar pikërisht nga një dosje e referuar nga Policia e Shtetit. Sistemi mësohet se ka sinjalizuar dhe ka shërbyer për identifikimin e pasaportave që lëshoheshin
në mënyrë abuzive.  ARMAND BAJRAMI

TË AKUZUARIT
LUZ BISAKU, në masën “arrest me burg”
YLVI SHKALLA, në masën “arrest me burg”
E.STAFHASANI, në masën “arrest me burg”
VILSON NIKOLLA, në masën “detyrim paraqitje”
SAJMIR TROTA, në masën “detyrim paraqitje”
DIANA REXHA, në masën “detyrim paraqitje”
AFËRDITA SUKNIQI, në masën “detyrim paraqitje”
AKUZAT: “Falsifikim dokumentesh
ndërkombëtare, falsifikim dokumentesh” nga
personi që ka për detyrë t’i lëshojë, “përdorim i
dokumenteve të falsifikuara”

Njësia Bashkiake Nr.7 dha certifikata false
TIRANE – Realizimi i pasaportave biometrike me identitete të falsifikuara dyshohet se zinte fill në Njësinë Bashkiake Nr.7 në Tiranë. Sipas hetimeve paraprake, ka rezultuar se certifikatat me të cilat është aplikuar nga shtetasit kosovarë për pasaporta biometrike janë lëshuar nga kjo Minibashki.
Certifikatat lëshoheshin në emër të personave të ndryshëm pa vërtetuar më parë identitetin e tyre. Për këtë shkak, policia arrestoi dy punonjëset e Minibashkisë si të dyshuara për pjesëmarrje në skemën e falsifikimit. Gjykata e Tiranës caktoi për to pas arrestimit masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
“Nga hetimet paraprake ka rezultuar se e dyshuara Afërdita Sukniqi në mospërmbushje të detyrës i ka dhënë shtetases Diana Rexho, punonjëse e Njësisë Bashkiake Nr. 7 Tiranë, certifikata personale e familjare pa vërtetuar më parë identitetin e aplikantëve. Ka rezultuar se këto certifikata janë
përdorur për të prodhuar pasaporta të falsifikuara. Më datë 22.07.2011, ora 00:15, oficeri i policisë gjyqësore ka arrestuar në flagrancë shtetasen Afërdita Sukniqi, e cila dyshohej si punonjëse e Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake Nr. 7 Tiranë, se ka lëshuar certifikata personale e familjare
në emër të personave të ndryshëm me shtetësi shqiptare, pa vërtetuar identitetin e tyre, certifikata të cilat janë përdorur për të prodhuar pasaporta false për shtetasit Gazmir L. e Artur C.”, thuhej në një nga vendimet e gjykatës.                         ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura