Zbardhet krimi, emigrantin e masakroi nipi 16-vjeçar

Dec 29, 2011 | 12:05
SHPËRNDAJE
Viktima Fatbardh Hysi

Policia e Durrësit identifikoi dhe arrestoi dje autorin e masakrimit me thikë të emigrantit të sapokthyer nga Greqia. Burime të Policisë bënë të ditur se 34-vjeçari Fatbardh Hysa është vrarë nga nipi i tij, 16 vjeç. Ky i fundit ka pranuar autorësinë, duke rrëfyer të gjithë skemën e krimit të rëndë, ku mbeti i vdekur xhaxhai i tij. “Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autor i dyshuar i ngjarjes është shtetasi i mitur A.Hysa, 16 vjeç, djali i vëllait të viktimës. Ngjarja dyshohet të këtë ndodhur për motive të dobëta, ku autori i dyshuar duke përfituar nga të qenët e viktimës në emigrim, në mënyrë sistematike i ka vjedhur këtij të fundit në total në banesën e tij rreth 3000 euro”, bëri të ditur Policia. Burime nga grupi hetimor thanë se viktima kishte insistuar t’i kthehej shuma e vjedhur, duke i lënë afat nipit të tij fundin e këtij viti. Me ardhjen nga emigracioni, më datë 22 dhjetor, 34-vjeçari ka shkuar në banesën e të vëllait dhe, pasi ka tërhequr mënjanë nipin, i ka kërkuar atij kthimin e shumës. “16-vjeçari, nëpërmjet mashtrimit se e kishte siguruar shumën në fjalë, e ka tërhequr xhaxhain e tij pranë barakës ku ndodhi ngjarja, duke i thënë se i kishte fshehur atje paratë. Pasi kanë mbërritur në vend, në konflikt e sipër, adoleshenti e ka qëlluar disa herë me një armë të ftohtë thikë, duke i shkaktuar vdekjen”, bënë të ditur burime të Policisë. Gjatë arrestimit, 16-vjeçarit iu sekuestrua edhe një shumë prej 140 eurosh që ia ka marrë viktimës. Dyshohet se 34-vjeçari ka pasur me vete një shumë më të madhe parash, të cilat ia ka marrë pas vrasjes nipi i tij, bashkë me telefonin celular. “E vrava sepse nuk kisha ku t’i gjeja paratë që ia kisha marrë. Nuk e përballova dot presionin që t’ia paguaja në fund të vitit. E gënjeva se i kisha paratë dhe i thashë të vinte bashkë me mua tek baraka, se i kisha fshehur aty 3 mijë euro. Por kur mbërritëm, e qëllova me thikë 7 herë”. Kështu mësohet se është shprehur në polici 16-vjeçari, i cili akuzohet për vrasjen e xhaxhait të tij. Fatbardh Hysa u kthye nga Greqia më 22 dhjetor. Pak orë pas mbërritjes, ai shkoi tek nipi i tij që t’i kthente paratë, por më pas u zhduk. Policia arriti të zbulonte trupin e tij dy ditë më pas, më 22 dhjetor, pas sinjalizimit të dhënë nga banorët. Ndërkaq, në polici kishte kryer denoncim për zhdukjen edhe familja e tij.

Gjurmët e gjakut tradhtuan autorin
Prej ditësh, Policia e ka mbajtur në vëzhgim 16-vjeçarin e dyshuar. Ai është tradhtuar nga disa gjurmë gjaku, kampionët e të cilit rezultuan se nuk ishin të viktimës, dhe nga  shenjat e gishtave që kishte lënë në vendin e ngjarjes. Instituti i Policisë Shkencore në Tiranë konfirmoi dyshimin e bluve, çka solli më pas arrestimin e tij.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura