Zbardhet dosja për tërmetin në Durrës/ Ja pse u shemb pallati 6-katësh, kush ndërhyri në katin e parë dhe roli i ish-kreut të ALUIZNI-t

Dec 16, 2019 | 11:17
SHPËRNDAJE

Mes personave të shpallur në kërkim nga Policia për tërmetin e 26 nëntorit janë edhe ish-drejtori i ALUIZNI-t të Durrësit, Flamur Gjuzi, dhe pronari i një barkafeje që ndodhej në katin e parë të pallatit 6-katësh, ku humbën jetën dy gra.pjimage (9)

Më konkretisht, më datë 26.11.2019, ora 03:54, në Durrës dhe rrethinat e tij ka rënë një tërmet me magnitudë 6.4 ballë të shkallës rihter, i cili ka zgjatur rreth 30 sekonda. Si pasojë e këtij tërmeti janë dëmtuar një numër i konsiderueshëm banesash dhe objektesh të tjera, si dhe kanë gjetur vdekjen 23 persona në zonën e Durrësit.

Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave (objekteve) dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit. Po kështu, ka dyshime se këto pasoja kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes apo moskryerjes së detyrës nga inxhinierët projektues, zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudatorë të këtyre ndërtimeve, si dhe nga veprimet e kryera në kundërshtim me ligjin nga nëpunësit shtetërorë dhe publikë, të ngarkuar me kontrollin dhe mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve. Objekti pallat nr.1032, me 6 kate, i cili ndodhet në lagjen nr.6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, Durrës, është dëmtuar në strukturë dhe është shembur i tëri. Si pasojë e lëkundjeve të tërmetit është shkaktuar vdekja e shtetasve Hatije Rexhepi dhe Xhulieta Gjana.

Nga hetimi rezulton se në katin e parë të ndërtesës është ndërhyrë në mënyrë të kundraligjshme në vitin 2014 e në vazhdim nga i dyshuari Artur Terziu, duke prishur strukturën e mureve mbajtëse etj., me qëllim përshtatjen e ambientit për qëllime tregtare (bar-kafe), të emërtuar “Barons”, duke e lidhur me shtesën pa leje të kryer në tri anët e këtij objekti. Po kështu, për qëllime dhe në funksion të biznesit, ai ka instaluar edhe tri depozita uji voluminoze.

Gjithashtu, edhe nga ana e personave që kryejnë funksione publike janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nr.9482, datë 03.04.2016, i ndryshuar, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, duke kryer legalizimin dhe regjistrimin e objekteve pa i plotësuar kushtet tekniko-ligjore të tij, duke sjellë pasoja në jetët e njerëzve. Nisur nga sa më sipër, rezulton se ekzistojnë dyshime të bazuara se nga ana e shtetasit Flamur Gjuzi, në cilësinë e ish-drejtorit të ALUIZNI-t Durrës, ka legalizuar më datë 17.05.2016 objektin në kundërshtim me ligjin, i cili dyshohet se ka kryer elemente të veprës penale “Shpërdorim detyre”.

Për shkak se autori i dyshuar i kësaj vepre penale ka rrezik të largohet e t’i fshihet hetimit, për shkak se vepra penale paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, është e nevojshme ndalimi i tij, mbështetur në nenin 253/1 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon se: 1. Kur ka shkaqe të bazuara për të menduar se ka rrezik ikjeje, prokurori urdhëron ndalimin e personit që dyshohet për një krim, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum me 4 vjet.

Për këto arsye urdhërojmë: Ndalimin e shtetasit Flamur Gjuzi, 48 vjeç, lindur e banues në Durrës, në cilësinë e ish-drejtorit të ALUIZNI-t Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorim detyre”; Me ekzekutimin e këtij urdhri ngarkohet oficeri i Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Policisë Durrës; Për ekzekutimin e këtij urdhri të mbahet procesverbali përkatës, me të cilin të njihet i ndaluari dhe materialet e ekzekutimit t’i komunikohen menjëherë prokurorit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura